9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Rrëfimi i ish-komisarit të Brigadës, Pali Nito: Si e bëri Enver Hoxha për ujë të ftohtë kryetarin e këshillit popullor të fshatit Strum

Të raportoje para Enver Hoxhës duhej të mendoje shtate herë e të flisje një herë

Ishte koha kur udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit, madje edhe vetë personalisht komandanti Enver Hoxha i kushtonin një vëmendje dhe interesim të veçantë ecurisë, përparimit, mbarëvajtjes dhe konsolidimit të kooperativave bujqësor ekzistuese si dhe intensifikimit dhe përmirësimit cilësor dhe kualitativë punës për vazhdimësinë e shpejtimi të përfundimit të kolektivizimit bujqësor në të gjithë vendin.

Më kujtohet dhe mbaj mend saktësisht atë ditë mesi i muajit prill e vitit 1956, një ditë e ngrohtë dhe e bukur pranvere e që zhurmonte në mënyrë monotone nga ulërima e traktorëve që plugonin me sforco tokat, kur befas dhe krejt papritur, pa bujë, zhurmë, bujë e tam-tame të mëdha, vjen për vizitë në kooperativën bujqësore “10 korriku” Strum të rrethit të Fierit udhëheqësi i partisë dhe i shtetit komandanti Enver Hoxha. Ardhja dhe vizita e udhëheqësit krejt papritur e në mënyrë konspirative ndoshta shpjegohej dhe lidhej me sigurimin e tij fizik apo edhe për shkaqe të tjera dytësore por, gjithsesi vizita e udhëheqësit të kupolës së lartë, partiake, shtetërore dhe ushtarake të vendit ishte një vlerësim dhe respekt e nderim që u bëhej kooperativistëve të fshatit Strum , fshat te cilin duhet pranuar se Enveri e kishte dobësi ndoshta për shkak të lidhjeve miqësore të lashta që kishte në fshatin Marinëz me disa persona të fisit Prifti që edhe këta kishin miqësi në Strum apo ndoshta edhe pse dinte diçka mbi gojëdhënën e bukuroshes së Strumit se cilës i është ngritur një përmendore në qytetin e Rokovecit nga Bashkia e këtij qyteti.

Në këtë vizitë Enver Hoxha shoqërohej nga kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit Fier, kuadri veteran e me kontribute lufte dhe pune Faik Ahmeti, sekretari organizatës bazë të partisë Kici Kalivaçi, kryetari i kooperativës Harrilla Verria dhe kryetari i këshillit popullor të fshatit.

Veshje e bukur

Udhëheqësi demonstronte një pamje të jashtme të pashme, i gjatë, madhështor e bukurosh si ai që përcillte tek të pranishmit optimizëm, besim, garanci dhe siguri të padiskutueshme për perspektivën pozitive e të ardhmes.

Në pamjen e jashtme paraqitej gjithnjë seriozë, krenar, herë i qeshur e herë burrëror dhe autoritar e tamam si një burrë shteti që të bënte optimistë e të fluturojë m krahë.

Ishte veshur thjeshtë e paksa sportiv e ushtarakë me një tip xhakoventojë ngjyrë pjepri të këndshme, me llushë të bardhë rreth qafës dhe në mëngët e duarve me këmishë borë të bardhë, pa kravatë, me pantallona ushtarake qillotë, me rrip mesi gjenerali që vezullonte dhe xixëllonte nga shkëlqimi, kishte veshur çizme meshini prej boksi special, të gjata deri në kupë e gjurit, sipër të përveshura e me llushë të bardhë e të gjitha këto ishin një vlerë e shtuar përsa i përket bukurisë dhe paraqitjes së udhëheqësit të partisë, shtetit dhe ushtrisë.

Takimi spontan

Takimi spontan dhe i improvizuar u bë në oborrin e ndërtesave të kooperativës bujqësore që dikur kishin qenë pronë e Salo Beut.

Duke qenë se ishte vizitë jo protokollare mbaj mend ekzaktësisht se pjesëmarrja e të pranishmëve ishte modeste në fillim, e shumta mund të ishin rreth 100 vetë, megjithatë lajmi u përhap me shpejtësi si vetëtima dhe duke qenë se në atë kohë fshati nuk ishte i madh dhe as i shpërndarë, kooperativistët filluan të grumbullohen e të shtohen dukshëm.

Në përfundim të bisedës me kooperativistët u bë takimi me kuadrot kryesore të fshatit në zyrën e kryesisë së kooperativës. Duke qenë se sekretari i rinisë së fshatit ishte në një kurs një mujor, duke qenë se unë isha zëvendësi i tij mu dha rasti që të isha unë në këtë takim interesant e të paharrueshëm. Pa më braktisur memorja kujtoj saktësisht se fillimisht mori fjalën kryetari i kooperativës Harrila Verria, një kuadër ardhur nga Fieri i cili me seriozitet, me përgjegjësi dhe me trysninë emocionale, raportoi saktë dhe qartë duke bërë një rezyme të kënaqshme të gjendjes ekonomike të kooperativës çka dukej edhe nga aprovimi që i bënte komandanti duke tundur kokën lehtësisht në shenjë dakortësie dhe miratimi.

E vërteta ishte se kryetari ishte njeri i gojës, madje raportoi në detaje për arritjet dhe mosarritjet, për vështirësitë, nevojat e ngutshme për kuadro të arsimuar e me dije të mjaftueshme agroteknike, nevojat e ngutshme të sistemit vaditës dhe atij kullues, për farërat dhe racat e zgjedhura e tjerë. Më pas e mori fjalën kryetari i këshillit popullor të fshatit emrin e të cilit nuk po e përmend për çështje etike i cili meqënëse kishte qenë partizan dhe kishte zbrazur ca armë në luftë, i dukej vetja sikur kishte çliruar Shqipërinë. Duke qenë se ky filloi të fliste në përgjithësi dhe aspak për gjëra konkrete pa e kuptuar e filloi raportin mbrapsht dhe tepër i hallakatur dhe i shpërndarë sa andej këndej pa dashur u bë objekt i bombardimit me pyetje nga më të ndryshme nga ana e udhëheqësit aq sa i gjori kryetar e humbi krejt toruan dhe u çorientua totalisht, e braktisi arsyeja, logjika dhe objektiviteti duke përsëritur vetveten. Meqenëse ahere kryetari i këshilli të fshatit nuk ishte funksionar si dhe duke parë kapadillëkun e këtij njeriu shoku Enver e pyeti: Po kryetari i këshillit punon? dhe përgjigja ishte: Po, edhe unë dhe përzihem me shokët. Aherë shoku Enver i bëri pyetjen e radhës, duke e pyetur se sa ditë pune bën në vit përgjigjja e papërgjegjshme ishte:Nuk i kam mbajtur shënim po kam bërë ca. A mund të na thuash se si jetojnë bashkëfshatarët dhe përgjigja hazërxhevapëshe ishte: Jetojnë mirë shoku komandant. Harroi ky mendjelehtë se komandanti i donte drutë të prera shkurt, donte raporte konçize, të sakta, të qarta e të besueshme dhe jo kodra pas bregut dhe gjëra të përgjithshme.

Komandanti i pakënaqur vijoi me një sërë pyetjesh …

Po mirë xhanëm nuk mund të na thuash pak më konkretisht: A ka ndryshuar ndopak mënyra e jetesës së bashkëfshatarëve të tu dhe pa marrë përgjigjen vijoi: Sa përqind e fshatarëve kanë radio, sa përqind kanë blerë orendi të reja shtëpiake, sa përqind flenë në krevate, sa përqind hanë bukë në tavolinë? Përgjigja ishte se unë me përqindje i kam. Aherë Enveri i vrenjtur paksa në fytyrë pa e zgjatur i drejtohet Faik Ahmetit: Këtij shoku mund ti gjeni një punë tjetër. Nuk vonoi dhe të nesërmen kryetari i këshillit u gdhi bekçi i fshatit (roje) i fshatit. Pra, sikundër thotë populli mendjemadhësia të nis kaluar e të kthen në këmbë.

Në fund të takimit shoku Enver dha këshilla e porosi të vlefshme për rritjen e pjesëmarrjes në punë të kooperativistëve, për qarkullimin e kullotave bujqësore për zbatimin e afateve kohore të mbjelljeve, për plehëzimin, vaditjen dhe përdorimin në shkollë të gjerë të mekanikës bujqësore duke u përmiellë më respekt, ngrohtësi dashuri nga kooperativistët e fshatit Strum të rrethit Fier.

Më Shumë

34 vjet nga vdekja e veprimtarit Fadil Vata

Sot mbushen 34 vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Fadil Vata. Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes...

Kosova merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në Bienale të Venecias

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin...

Lajmet e Fundit