13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

SBASHK-u dhe MASHT-i pa marrëveshje, greva vazhdon

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk ka pranuar ofertën e Qeverisë së Kosovës për rritje të koeficientit për 0.15 për qind, dhe si rezultat i kësaj greva në arsim do të vazhdojë.

Kështu u bë e ditur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Arsim, në të cilën ishin të ftuar përfaqësues të SBASHK-ut si dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqi.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka thënë se me pagat aktuale mësimdhënësit janë të demotivuar për ta rritur cilësinë në arsim. Ndërkaq, rritjen e koeficientit ka thënë se po e kërkojnë për t’i siguruar një vend meritor mësimdhënësve e jo vetëm për rritje pagash.

“Në opinion nganjëherë se ne po kërkojmë ngritje pagash. Jo, po kërkojmë përmirësim koeficientësh, në mënyrë që ta kemi vendin meritor. Ky vend meritor, bile për afër arrihet me 30 përqindëshin. Ju lus shikoni ligjin, të gjithë të punësuarve në arsimin fillor, Ligji për Paga iu sjellë zero për qind rritje. Këtu nuk po bëjmë gara me të tjerët, lum për ne që do të arrijmë t’ua ngritim pagat mjekëve, lum për ne që do të arrijmë t’ua ngrisim pagat policëve, por edhe ne jemi në një sektor shumë të rëndësishëm, pra të ngriten edhe për arsimin”, ka thënë Jasharaj.

Kurse Ymer Ymeri nga kjo sindikatë tha se përmes Ligjit aktual për Paga po shkelet parimi i barazueshmërisë.

“Në një sektor të caktuar një profesion që e ka të njëjtin në arsim dhe në një sektor tjetër, njëri e ka koeficientin 2 e tjetri 3.4. Është fjala për psikologun e shkollës edhe psikologu në QKUK. Kjo do të thotë se nëse e shikojmë me pagë, njëri merr pagë 480 euro, tjetri e merr pagën 820 euro. Do të thotë për të njëjtën punë qe e kryejnë, në sektorë tjerë marrin 70 deri në 80 të pagës më të madhe se në arsim, kjo është arsyeja”, ka thënë Ymeri.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thënë se aktualisht nuk është e mundur që koeficienti i pagës për mësimdhënës të rritet për 30 për qind, pasi këtë nuk e përballon buxheti i Kosovës.

Ai tha se qeveria propozoi rritje të koeficientit për 0.15, por SBASHK-u nuk ka pranuar.

“I kemi propozuar sot SBASHK-ut që e para të kemi një ngritje të koeficientit, jo ajo e cila po kërkohet nga SBASHK-u sepse është e pamundur ta përballojë buxheti, d.m.th. nuk është çështje e mungesës së vullnetit, po flas në emër të qeverisë. Pra, qeveria thotë që jemi dakord, duhet të marrim masa për ndryshim, por kërkesa 30 për qind është e pamundur që të mbulohet, mund të themi se do të jetë një kolaps për buxhetin e Kosovës”, ka thënë Bytyqi.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka bërë thirrje që greva të ndërpritet, duke arritur një marrëveshje përmes këtij takimi.

“Ne si komision do të kërkojmë nga të dy palët, nga qeveria që në këtë rast përfaqësohet nga MASHT dhe nga Sindikata e Arsimit që sa më parë të arrijnë një marrëveshje, sepse marrëveshja është e paevitueshme”, ka thënë Kurteshi.

Përndryshe, shumica e anëtarëve janë deklaruar se përkrahin mësimdhënësit, por jo edhe grevën si mjet për t’i plotësuar kërkesat. /Telegrafi/

Më Shumë

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit