16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

SBASHK-u paralajmëron grevë nga e premtja

Nga e premtja pritet të ketë grevë dyorëshe në sistemin arsimor. Ky vendim është marrë dje nga Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në shenjë pakënaqësie të dërgimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese. Sindikalistët duan që pagat të dalin me rritje nga muaji dhjetor, shkruan gazeta Zëri.

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBASHK) dje ka mbajtur takim, në të cilin është diskutuar lidhur me veprimet sindikale në rast të pezullimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik. Këshilli Drejtues pas takimit votoi që të premten të mbajë grevë dyorëshe. Sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, vendimi përfundimtar do të merret nesër dhe më pastaj do të dalin me një qëndrim të përbashkët. Sipas tij, në grevë do të përfshihen edhe punonjësit e çerdheve publike në vend. “Mendoj se ne duhet të reagojmë dhe të mos mbesim në heshtje. Të premten sistemi arsimor do të shkojë në grevë dyorëshe për t’u treguar të gjithëve se në të ardhmen mund të shkojmë me masa edhe më radikale”, tha Jasharaj.

Ai tha se sindikatat u kanë dërguar letra krerëve të shtetit për t’u takuar me ta.

“Ne kishim arritur t’i ndryshojmë koeficientin në Ligjin e Pagave. Avokati i Popullit e dërgoi ligjin në Kushtetuese që ai të pezullohet. Kjo situatë ka bërë që punëtorët e arsimit të ndihen me arsye të zhgënjyer. Të gjitha sindikatat u kanë dërguar letra të gjithë krerëve të shtetit për t’u takuar me ta dhe për t’u munduar së bashku për zgjidhje që Ligji i Pagave të fillojë së zbatuari”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj tha se janë të thirrur për të dëgjuar zërin e punëtorëve të arsimit. “Ne jemi në kontakte me Sindikatën e Shëndetësisë që zhgënjimin tonë ta shprehim dhe t’i tregojmë popullit se nuk po tallemi e jemi në hall të madh dhe të mos ketë më vonë pasoja. Ftesës sonë nuk i janë përgjigjur. Ne jemi të thirrur që ta dërgojmë në vend zërin e punëtorëve të arsimit”, ka thënë tutje kryetari i SBASHK-ut.

I pari i SBASHK-ut pati dy fjalë edhe për rezultatet në Testin PISA. Sipas tij, përgjegjëse për rezultatet e testit PISA janë institucionet e Kosovës. “Fajtori me i pakët në botë është arsimtari, pasi te ne janë bërë eksperimente sepse shkollat tona punojnë me shkumësa dhe përgjegjës janë institucionet e Kosovës sa i përket testit PISA”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kryetari i Sindikatës së Universiteteve, Bardh Bardhi, tha se ende nuk e dinë nëse do të hyjnë në grevë ose jo. “Unë s’mund të them se jam pro dhe kundër grevës, sepse abstenoj. Me Ligjin e Ri mbi Pagat te profesorët është bërë një lëvizje. Na mbetet të vazhdojmë se a do t’i bashkohemi kësaj greve nëse fillon greva”, tha ai.

Në anën tjetër kryetari i Sindikatës së Arsimit në Prishtinë, Ahmet Pllana, pohoi se të gjithë mësimdhënësit janë të pajtimit me vendimin që do të merret. “Me të vërtetë janë bërë lojëra të mëdha deri më tani se po i presim pagat në muajin dhjetor. Të gjithë mësimdhënësit janë të pajtimit për atë vendim që do të merret”.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Arsimit në Klinë, Avni Elezi, tha se do të pajtohen me çfarëdo vendimi që do të merret nga SBASHK-u. “Jemi konsultuar që të bisedojmë me bazat. Si ta merr vendimin SBASHK-u dhe nëse merr vendim për të hyrë në grevë ne hyjmë në grevë dhe nëse merre vendim për protesta. Jemi me SBASHK-un në çdo vendim”, tha ai.

Sindikalistët takohen me Kurtin

Përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë, të Arsimit dhe të Policisë së Kosovës kanë mbajtur një takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje në selinë e kësaj partie. Temë diskutimi e takimit është kërkesa e Avokatit të Popullit ndaj Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga. Përfaqësuesit e këtyre sindikatave janë duke kërkuar që ky ligj të mos pezullohet, pavarësisht se tek Avokati i Popullit janë dërguar 35 ankesa lidhur me ligjin. Tre drejtuesit sindikalistë thanë se pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Paga gjendja është alarmante, teksa nuk i mohuan grevat e përgjithshme. Ata i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese të marrë vendim të drejtë dhe të mos pezullojë Ligjin për Paga, por vetëm të bëhen ndryshime në ata sektorë ku ka pakënaqësi. Krahas kësaj thanë se janë në një pozitë të pafavorshme, pasi ende s’ka formim të Qeverisë dhe Gjykata ende nuk ka marrë vendim. //ZERI

Më Shumë

Tejeci thotë se Behgjet Pacolli duhet të jetë kryeministër i Kosovës

Kryetari i AKR-së në Prizren, Afrim Tejeci vlerëson se lideri i partisë së tij, Behgjet Pacolli, duhet të jetë kryeministër i Kosovës. Sipas tij,...

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Lajmet e Fundit