16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Sfidat e Dita Starovës

Atelieja e mbushur me ngjyra hedhur shkujdesur, apo penela që mund ti gjeje kudo, do të ravijëzonte në mendjen e vajzës ende të re imazhin e një tabloje që më vonë, do ta gjente tek pikturat e Mark Shagall. Ajo ndjente diçka, sa herë hapte derën e asaj studioje bashkë me të atin, dhe në hapësirën e madhe shfaqej i qeshur ai, Omer Kaleshi. Ishte vetë arti i shndërruar në forma të ndryshme që trazonte artin brenda saj, për ta bërë Dita Starovën të kuptonte se piktura ishte rruga e saj. Ngjyrat e para i hodhi në telajo pa formë, për të parë se si ravijëzoheshin lehtë mbi të mendimet. Më pas ishin studimet, puna si pedagoge dhe studiuese që do të ndërtonin lehtë profilin e një artisteje që sot drejton Galerinë Kombëtare të Shkupit. Më poshtë Dita, vjen në një bisedë jo vetëm për pikturat, ndikimin e librave të babait (shkrimtarit Luan Starova) në jetë e saj, por dhe për vizionin bashkëkohor, për Galerinë Kombëtare të Shkupit, duke e hapur ndaj qasjeve të reja, dhe duke mbështetur artin shqiptar…

Le ta nisim bisedën me ekspozitën “Universi”, të cilën ju sapo e keni hapur bashkë me dy artiste të tjera. Cilat janë veprat tuaja në këtë ekspozitë, çfarë përcjellin ato?
Ekspozita e titulluar “Universi”, është ekspozitë, të cilën e prezantuam në Nju Jork, ku patëm sukses të konsiderueshëm tek publiku i atjeshëm. Më saktësisht, unë ekspozoj 15 vepra me teknikë të kombinuar akril në letër. Preokupimi im shumëvjeçar gjatë krijimit janë marrëdhëniet eksplozive, të cilat mund t’i krijojnë ngjyrat në mënyrë të ndërvarur. Së këtejmi, edhe veprat janë të ndërlidhura tematikisht me titullin “Universi”. Secila ngjyrë për vetvete bartë një mesazh, megjithatë në kontakt me një ngjyrë tjetër mund të transmetojë ndjenjë ngrohtësie, refuzimi, lumturie…etj. Në të vërtetë, mesazhi im kryesor është që secili të tentojë përmes veprave të mia ta ngjyros botën e tij personale. Arti im është jofigurativ. Nuk është “abstrakt” meqë konsideroj se çdo artist ka një ide e cila nuk është vetëm racionale, por se ka një ëndërr diku në veprën figurative, ndoshta sociale, politike, e që është edhe procedura për një vepër. Në fillimet e shekullit XX, si reaksion të evolucionit social të shoqërisë dhe si përgjigje të diskurseve të ndryshme, arti çlirohet ndërsa figuracioni humbet. Arti gjurmon pas emancipimit të historisë dhe e prek thelbin duke gjurmuar nëpër forma të rafinuara, duke u fokusuar mbi ngjyrën bazike dhe çka mund t’i ofrojë auditorit me të njëjtën. Për mua ngjyra nuk është vetëm ngjyrë por për ajo në veprat e mia e fiton edhe aspektin përmbajtësor.
Tri artiste shqiptare bashkë në një ekspozitë, në fakt dhe tri femra… A tregon kjo se qasja ndaj femrës ka ndryshuar në hapësirën shqiptare në Maqedoni, duke qenë se shpeshherë jemi përballur me një opinion konservator?
E dini se nevoja e çdo artisti është ta pasqyrojë artin e tij gjatë realizimit të një vepre dhe nëse një gjë të këtillë, e realizon me sukses padyshim se i mposhtë të gjitha stereotipat konservative. Veçanërisht ne, por edhe unë personalisht, tanimë një kohë të gjatë, jemi aktivë në skenën figurative në Maqedoni dhe jashtë saj. Kështu që mund të imagjinoni, simbioza e tri artisteve të suksesshme, të cilat gjatë çdo ekspozite i dëshmojnë aftësitë e tyre, padyshim se mund t’i mposhtin stereotipat anakronik të shoqërisë.
Si do ta vlerësonit atë që ndodh me gruan shqiptare në hapësirën e Maqedonisë?
Në kontekst të përgjithshëm jam e mendimit se ka ndryshime pozitive. Tani, gruan shqiptare e gjejmë edhe në Gjykatën Kushtetuese, në Parlament, në pozita ministrore, në pozita menaxhuese, në pozita të kryetareve të komunave, artiste etj. Gjithnjë e më i madh është numri i femrave të arsimuara jashtë kufijve të Maqedonisë të cilat pas kryerjes së shkollimit kthehen në Maqedoni dhe kontribuojnë për zhvillimin e shoqërisë.

Prej disa kohësh ju e drejtoni Galerinë Kombëtare të Shkupit… Si ndiheni dhe cili është vizioni juaj në krye të këtij institucioni?
Që t’ju përgjigjem në këtë pyetje duhet të bëjë një vështrim të shkurtër mbi biografinë time. Unë jam piktore e diplomuar dhe e magjistruar në Fakultetin e Arteve Figurative në Shkup. Jam Doktore e shkencave të studimeve të kulturës, me specialitet në fushën e historisë së artit, ndërsa në disertacionin tim të doktoratës, për herë të parë trajtohen muralet e monumenteve sakrale islame në Maqedoni, teza është në fazë të publikimit. Prej dhjetë vitesh punoj në Universitetin privat Amerikan Kolegj në Shkup, ku punoj si profesoreshë dhe ligjëroj të shprehurit artistik. Jam aktive në aktivitetet e ekspozitave në Maqedoni dhe jashtë saj. Tanimë plot nëntë muaj jam në krye të njërit nga institucionet më të rëndësishëm nga fusha e kulturës në Republikën e Maqedonisë, i cili në përbërjen e vet ka tri hapësira atraktive për ekspozita. Në qendër të qytetit është objekti “Malla Stanica” dhe dy objekte të vendosur në pjesën më të frekuentuar të Shkupit – në Çarshinë e Vjetër. Këto janë “Çifte Hamam” dhe “Hamami i Daut Pashës”, ku është vendosur ekspozita e përhershme e GKM. Gjithsesi se sfida është shumë e madhe. Edhe pse mendoj se jam relativisht e re, megjithatë jam e mendimit se do t’ia dalë me ndihmën e punonjësve në Galerinë Kombëtare dhe artistëve ta krijojmë profilin ndërkombëtar të Institucionit tonë. Njëra nga detyrat e mia kryesore si edukatore, është të krijoj një tërësi aktive edukative muzeale në Muze. Obama, në një deklaratë të tij, do të prononcohet se është me rëndësi që fëmijët tanë të fitojnë kompetencë në fushën e shkencave, veçanërisht në shkencat aritmetikore në mënyrë që të jenë të suksesshëm në kontekstin social, megjithatë është me rëndësi të inkurajohet kapaciteti i të menduarit për rritjen e kreativitetit, por është i domosdoshëm edhe edukimi artistik.
Gjithsesi nevojitet një perceptim më i qartë i gjithë Institucionit në mënyrë që të jetë atraktiv në çdo aspekt dhe emblematik në planin ndërkombëtar. Në këtë drejtim janë fokusuar të gjitha angazhimet e mia. Rëndësi të madhe kanë edhe platformat për bashkëpunim të cilat i nënshkruam me Galerinë Kombëtare të Prishtinës dhe Tiranës nga të cilat presim, në një të ardhme të afërt, rezultate pozitive. Ftuam artistë shqiptarë me reputacion të ekspozojnë në Maqedoni, siç është Helidon Gjergji në vitin 2017 dhe i madhi Anri Sala një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor të dekadave të fundit, i cili për kënaqësinë dhe respektin tonë pranoi të ekspozojë gjatë kohës së shënimit të jubileut 70 vjet të Galerisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë vitin 2018.
Ka pasur gjithnjë një mosnjohje të plotë të artit figurativ tek shqiptarët e Maqedonisë apo artistët maqedonas përtej kufirit… Nëse do bëje një tablo të këtij arti si do të ishte ai?
Nuk do të kisha thënë se ekziston mosnjohje të artit shqiptar në Maqedoni. Gjithsesi se në fillesat e artit bashkëkohor maqedonas nuk ka pasur edhe aq shqiptarë të eksponuar me edukim artistik dhe ekspresion artistik. Për fat të keq, shqiptarët në atë periudhë përjetuan izolim të madh dhe përjashtim nga rrjedhat arsimore, kulturore dhe artistike. Edhe ata persona të cilët kanë qenë në numër të vogël dhe të cilët kanë shprehur interesim për artin, të cilët janë arsimuar, rrugën e tyre e kanë depërtuar në një ose në mënyrë tjetër siç është Adem Kastrati, Omer Kaleshi dhe të tjerë. Për fat të keq deri në fillim të viteve të 90-ta dhe me pavarësinë e Maqedonisë ky është numri i artistëve shqiptarë të Maqedonisë. Nga themelimi i Fakultetit të Artit Figurativ në Shkup në vitet e 80-ta të shekullit XX, gjithnjë e më shumë artistë shqiptarë vendosin të studiojnë artin figurativ. Përveç në Shkup ata vendosin të studiojnë në FAF në Prishtinë, Zagreb, Beograd dhe më gjerë në botë. Nga mesi i viteve të 90-ta fillon të formohet një grup i artistëve shqiptarë të cilët përpiqen më shumë rreth vizibilitetit të tyre dhe ngjiten fuqishëm në skenën e këtushme bashkëkohore dhe njëkohësisht edhe në atë ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Reshat Ahmetin, Miftar Memetin, Nevzat Bejtuli Kicën, Nehat Beqirin dhe të tjerë, ndërsa pas tyre fillon afirmimi dhe promovimi edhe i artistëve të tjerë shqiptarë në Maqedoni. Artistët e lartpërmendur bëhen edhe profesorë në fakultetet e artit në Maqedoni (shtetëror dhe privat), me ç’rast krijojnë një numër të madh të nxënësve dhe pasardhësve të tyre. Krahas kësaj, shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë në mënyrë intensive të interesohen edhe për artin figurativ të cilin e ligjërojnë edhe artistë joshqiptarë, përkatësisht të fitojnë njohuri në FAF nga profesorët maqedonas, dhe pastaj gradualisht edhe të afirmohen. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes – pse arti maqedonas është pak i njohur jashtë kufijve të Republikës së Maqedonisë është një çështje krejtësisht tjetër. Mendoj se në masë të madhe, për këtë fajtorë janë gjeneratat e vjetra dhe gjenerata e mesme e kritikëve maqedonas, teoricienëve, kustosëve dhe historianëve të artit, veçanërisht ata të cilët i kanë linqet dhe lidhjet me qendrat kulturore të fuqisë në ish-Jugosllavinë dhe më gjerë, si dhe me kuratorët udhëheqës të pavarur dhe me punonjësit e artit. Veçanërisht ishte e rëndësishme periudha dhe aktiviteti i Maqedonisë jashtë kufijve të saj në kohën e ndihmës së madhe financiare të Sorosit në fushën e artit figurativ në Maqedoni dhe në modernizimin e tij (përafërsisht 1995-2005). Atëbotë Maqedonia ishte e pranishme në shumë manifestime artistike ndërkombëtare siç janë: bienalet, trienalet ose panairet e artit. Megjithatë, pas ndryshimit të gjendjes politike në Maqedoni dhe politizimit të skajshëm, si dhe polarizimit edhe në botën artistike, profesionistët të cilët i posedonin linqet dhe të cilët i mbanin dizgjinë në duart e tyre u tërhoqën, kishin ndjenjën se “janë shfrytëzuar ose janë shpërblyer në masë të pamjaftueshme” për aktivitetet e tyre, me ç’rast edhe nuk i shkëmbyen linqet, kontaktet dhe në njëfarë mënyre e penguan infiltrimin e mëtutjeshëm të artit maqedonas në botë. Gjeneratat e reja të kuratorëve maqedonas për shkak të vendnumërimit, hapësirës vakum dhe gjendjeve politike në shtet (rrjedhimisht edhe në institucionet kulturore) nuk kishin mundësi t’i ripërtërijnë linqet. Ndodhte prezantim i ndarë i artit maqedonas para botës e që kalonte pa mbështetjen e emrave të rëndësishëm të kuratorëve dhe të institucioneve në botë, dhe me këtë edhe të gjitha prezantimet ishin pak të dukshme ose fare nuk ishin të dukshme. Tani si drejtoreshë e GKM njërën nga pikat strategjike e kam ripërtëritjen e linqeve dhe lidhjeve me institucionet simotra nga fusha e artit dhe me profesionistët artistikë, para së gjithash të rajonit dhe pastaj edhe më gjerë, meqë nëse një gjë të këtillë nuk e bëjmë edhe në të ardhmen do të vazhdojë injorimi i artit maqedonas jashtë vendit.
Duket sikur simbolet e kanë pushtuar Shkupin (përmendoret e heronjve)… Nga ana figurative çfarë i ka dhënë kjo qytetit?
Mendimin tim do ta shpreh për njërën nga figurat të cilën unë e vlerësojë si kryevepër dhe ekskluzivitet që gjendet në Shkup. Njëra nga figurat e punuara me vlera të larta artistike, që mua me lë përshtypje dhe mundem lirisht të them se është vlerë e madhe që e kemi në Maqedoni si nga aspekti cilësisë ashtu edhe nga aspekti i realizimit, është vepra i të madhit Thoma Thomai skulptura e Skënderbeut. Është e vendosur në fillim të Çarshisë së Vjetër të Shkupit ku gravitojnë të gjithë turistët, pika kryesore e cila e lidhë lindjen, perëndimin, veriun dhe jugun e Shkupit, dhe me dorën e djathtë të ngritur lartë, sikur përshëndet kalimtarët dhe vizitorët e kryeqytetit të Maqedonisë.
A keni menduar për politika që i japin më shumë zë faktorit shqiptar në art? Ballkani është parë si një vend politik. Maqedonia ka qenë shpesh në qendër të debateve politike. Tani, meqë jeni në krye të Galerisë, si e shihni politikën në raport me artin? Sa është i politizuar arti sot?
Politika kulturore për promovimin e një shoqërie ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Sigurisht se e dini që kur vizitoni një shtet tjetër, fillimisht përmes artit dhe kulturës njoftoheni me historinë e atij shteti. Arti është ai i cili i bashkon artistët nga më shumë kontinente gjatë ekspozitave të përbashkëta. Sa i përket çështjes së politizimit, e cila theksin e vë mbi artin, qoftë për artin shqiptar ose për të tjerët, kisha dashur të theksoj se arti çdoherë ka qenë akt autonom. Politika ka ndërhyrë dhe ndërhynë në aktin artistik, por bëhet fjalë për periudha të errëta si për politikën ashtu edhe për artin. Për shembull, merreni vetëm periudhën e errët të realizmit socialist viktimë e të cilit për një periudhë të gjatë ishte edhe Shqipëria si edhe vendet e tjera të ish-realizmit socialist. Edhe pse Jugosllavia qysh herët u çlirua nga dogmat e realizmit socialist dhe u hap ndaj ndikimeve të huaja, veçanërisht atyre perëndimore, artisti ynë katarsën e mirëfilltë e përjeton në vitet e 90-ta. Por, në këtë domen duhej të zgjidhen enigmat krijuese midis modernizmit (abstraksionizmit) dhe traditës sonë. Sidoqoftë, politika nuk e frenonte më pluralizmin krijues të artistëve.
Le të ndalemi pak tek ju si artiste. Zgjedhja drejt arteve ka qenë e natyrshme?
Mund t’ju them se zgjedhja ishte e natyrshme dhe e njëjta u perceptua dhe u mbështet nga të afërmit e mi. Mbaj mend vizatimin e parë të cilin e vizatova dhe të cilin prindërit e mi edhe sot e kësaj dite e ruajnë në kornizë dhe kjo gjë për mua ka rëndësi të madhe dhe më jep mbështetje. Gjithsesi, se tek unë kishte ndikim edhe arsimimi në Paris, vizita e muzeve të mëdha, vizita e ateliesë së njohur franceze në të cilën i përcaktova vijat e para të qarta. Për këtë një rol të madh luajtën pedagogët parisien, mësuesja ime e parë, piktorja Irena (nënë e piktorit të madh parisien me vepra në Muzeun e Artit Modern në Paris). Parisi ishte shkolla ime e parë figurative. Luvri, shtëpia ime me koleksionet e mëdha dhe ekspozitat botërore. Megjithatë, konsideroj se, në moshën time 14 vjeçare, një rol të rëndësishëm luajtën ekspozitat e piktorëve nga Maqedonia, veçanërisht të akademikut dhe skulptorit Tome Serafimovski, i cili pasi i pa pikturat e mia, më këshilloi me çdo kusht ta vazhdoj shkollimin në arsimin e mesëm artistik (figurativ) “Llazar Liçenovski”. Këtë mendim e kishte edhe miku familjar, piktori i madh Omer Kaleshi. Një rëndësi të veçantë kishin vizitat e shpeshta në atelienë e Omer Kaleshit. Me babanë tim shpesh e vizitonim atelienë e tij. Të njihemi me artistin e madh. Atelieja e tij përplot me penel më la gjurmë të thella në jetë. Atelieja e tij ishte si “çardak”, as në tokë e as në qiell, si në pikturën e Mark Shagalit. Në këtë mënyrë m’u paracaktua rruga në universin e pikturës…
Cili është fokusi i pikturës suaj?
Piktura është realiteti i brendshëm i piktorit. Në mënyrë që të pikturohet “uni” personal, kjo duhet të jetë diçka shumë e fuqishme, diçka që duhet të shprehet, të inkurajohet për t’u thënë. Kur pikturoj, unë jam vektori, autori, subjekti i aktit të pikturimit, më shumë subjekt sesa temë e pikturës. Motivi është pretekst i cili mund ta ketë interesin e tij. Piktori Ezhen Leroa për veten e tij thotë se është “fantazmë, hije e pikturës së tij”. Edhe unë, duke e ndjekur këtë shembull, më shumë jam e entuziazmuar nga akti i pikturimit sesa nga rezultati ose përmbajtja si domethënie. Kur e shikoj pikturën aktivizohem dhe angazhohem njëlloj si edhe kur pikturoj. Sezan thoshte se duhet të futet në vibracionet e dritë-hijeve të prezantuara me ngjyrat e kuqe dhe të verdha, tërësi e mjaftueshme e blusë në mënyrë që të ndihet ajri.
Cili është piktori juaj i preferuar?
Është e vështirë të përcaktohesh për ndonjë piktor e sidomos për piktorët të periudhave të ndryshme të artit. Arti tani shënon zhvillim të shpejtë. Çdo çast keni kreacione të reja të cilat ju entuziazmojnë. Momentalisht do ta veçoja Anri Sala një ndër artistët më të vlerësuar të skenës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, si dhe artistin japonez Chiaru Shiota.
Kanë qenë librat ato që të kanë çuar drejt artit…? E bëj këtë pyetje për të pyetur mbi ndikimin që kanë pasur librat e babait në jetën tënde?
Gjithsesi se një rol të rëndësishëm në udhëtimin tim drejt artit luajtën edhe librat e babait tim. Ai posedon një bibliotekë të jashtëzakonshme. Në të, përveç librave të shkruara personalisht nga ai çdoherë ma tërheqin vëmendjen librat në lidhje me historinë e artit, enciklopeditë figurative, librat për Chagal, artist i preferuar i babait tim, Pikasso, Brak etj. Megjithatë, për mua një rëndësi të veçantë kishte zbulimi i Gijom Apoliner, përmes lidhjeve të tij dhe miqësisë evropiane me kolosin tonë të literaturës, kulturës dhe politikës Faik Konicën. Miqësia e tyre zgjati dhjetë vjet. Faik Konica si estet i spikatur në domenin e literaturës, muzikës, kishte me çka ta kënaqë shijen estetike të hollë dhe fine të Apolinerit, i cili jo vetëm që e paralajmëroi frymën e re evropiane, por i mbeti lojal pikturës dhe piktorëve të epokës (Pikaso, Vlamink, Brak, Loranson, Shagal dhe të tjerë), por edhe poezinë e tij në një mënyrë të veçantë e përafroi me pikturën, duke krijuar një lloj osmoze në Kaligramët e tij të lavdishëm poetik. Në këtë domen do ta theksoja librin e babait tim Gijom Apollinaire dhe Faik Konica: Një miqësi evropiane, me parathënie të Ismail Kaderesë, i botuar nga “Onufri”, ndërsa paraprakisht edhe në gjuhën frënge. Ky libër është një burim i mirëfilltë i ideve jo vetëm për shkrimtarët (në këtë rast të rankut të Kadaresë), por edhe për shumë teoricienë të historisë së letërsisë, linguistikës, madje edhe për muzikën dhe pikturën.
Cili është libri i parë që e keni lexuar nga babai juaj? Cili është libri i preferuar?
Babai im, Luan Starova, në vitin 1992, filloi me botimin e ciklit të romaneve me titullin “Saga ballkanike” me librin e parë “Librat e babait”, i cili është libër matricë, që deri tani përmban 15 vëllime, ndërsa ditëve të fundit u botua edhe romani më i ri “Polifonistet”. Me përvojën e akumuluar nga studimet letrare deri në moshën e tij 50 vjeçare, ai përpiqet ta gjurmojë identitetin tonë kompleks, përmes jetës së një familjeje shqiptare në labirintin ballkanik. Duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, unë si lexuese e rregullt e librave të tij, do të kisha veçuar romanet: Ervehe – libër për një nënë dhe romanin e fundit Polifonistet. Librat e babait e shpjegojnë historinë e familjes në Ballkan, shqiptarët përmes metaforave globale, siç i quan ai. Gjysmën e shekullit XX e shpjegon babai, gjysmën tjetër – djali narrator. Por, romani për Nënën është roman i shpjeguar në mënyrë të drejtpërdrejtë për gjyshen time Ervehe, Evehenë tonë të madhe, të cilën një kritikë letrar gjerman në botimin në gjermanisht të Ervehe atë e quajti Nëna e guximshme shqiptare, duke e krahasuar me Nënën e guximshme gjermane të Bertold Breht. Për mua paraqet nder të madh ajo që kontributi im në “Sagën ballkanike” është përjetësuar me disa piktura artistike, si në Bregu i ekzilit (Le rivage del’exil), Kështjella prej hiri dhe të tjerë. Gjithsesi se ekzistojnë disa lidhje të panjohura dhe deri më tani të pazgjidhura midis pikturimit tim dhe shkrimit të babait, veçanërisht në kërkimin e vlerave të identitetit tonë kompleks te pasur dhe i hapur pasur shqiptar për gjurmime artistike. Në planin figurativ këtu është gjurmimi i galerisë së figurave tona emblematike nga e kaluara historike dhe nga e tashmja.
Nëse do shkëpusje një fjali ose frazë nga librat e babait cila do të ishte?
“Babilonia më në fund nuk paraqet mallkim, por pasuri!”
Nëse do vlerësoje një figurë frymëzuese në hapësirat shqiptare cili/cila është ajo?’
Figura frymëzuese në hapësirat tona pa dyshim si femër do ta veçoja të madhen Nënë Terezë. Me modestinë dhe zemërgjerësinë e saj e pushtoi botën dhe e shpallën të shenjtë …

Më Shumë

Memorandum për rritje ekonomike dhe inovacion në Komunën e Prizrenit

Kryetari Shaqir Totaj ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me OJQ “Agjencia për Zhvillim Rajonal Jug” (AZHR Jug). Ky memorandum synon të zbatohet për politikat e...

Analiza e sigurisë dhe planet për vitin 2024

Mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e Komunës së Prizrenit u zhvillua sot në sallën e Kuvendit të Komunës,...

Lajmet e Fundit