13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Shoqëria civile kundër rrënimit të pjesshëm të kinemasë “Lumëbardhi” në Prizren

Kino LumbardhiAnëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, me shumicë votash kanë miratuar vendimin për shpalljen patundshmërisë ku gjendet kinemaja “Lumëbardhi” si pronë me interes publik. Mirëpo përkufizimi i nenit 1 të këtij vendimi është kundërshtuar nga anëtarët e lëvizjes “Vetëvendosje”, për shkak se në arsyetimin e arritjes së qëllimit publik mes tjerash figuron edhe “zgjerimi i rrugës”. Ndërkohë gjatë ditës kanë reaguar edhe nëntë organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë shprehur qëndrimin se kinemaja ‘Lumëbardhi’ nuk mbrohet duke rrënuar pjesë të objektit”.

Artan Abrashi i VV-së ka insistuar që përshkrimi “zgjerimi i rrugës” të largohet nga vendimi i KK-së mbi shpalljen e interesit të përgjithshëm publik.

“Prejudikimi i tillë nuk është i dobishëm për dokumentin me të cilin shpallet interesi i përgjithshëm publik”, ka thënë ai, i cili para anëtarëve të organit më të lartë komunal, teksa ka lexuar edhe qëndrimet e shoqërisë civile, pasi që kërkesa e tij që të ftohet ndonjë përfaqësues i këtyre organizatave kishte hasur në vesh të shurdhër.

Por kjo përpjekje e tij nuk ka gjetur përkrahjen e këshilltarëve, të cilët kanë shprehur qëndrimin se ky vendim shërben vetëm për shpalljen e interesit të përgjithshëm publik, pra synon ndërprerjen e privatizimit, derisa destinimi i kësaj hapësire përcaktohet në fazat e mëvonshme.

“Arsyetimi shërben vetëm për vendimin e shpalljes së interesit dhe nuk ka të bëjë me destinimin e objektit”, ka deklaruar Osman Hajdari i Bashkimit Demokratik, duke shtuar se po të prezantohej një dokumentacion më i plotë, atëherë nuk do të kishte nevojë për këtë debat.

Kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi, ka theksuar se këtë çështje ia ka sqaruar edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile me të cilët është takuar një ditë më parë. “Si po duket edhe ata po duan të formojnë parti politike”, ka thënë Gashi. Ndërkohë Mybera Mustafa e LDK-së ka theksuar se ky subjekt politik ndan shqetësimet e shoqërisë civile. “Pas shpalljes së interesit publik shpresoj që të respektohen ligjet dhe të mos ketë ndërrim të destinimit të Kinemasë”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër organizatat e shoqërisë civile në Prizren kanë bërë të ditur se ndonëse janë dakord me përpjekjen e Komunës për të shpallur kinemanë “Lumëbardhin” si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik, për të ndaluar procesin e privatizimit, ato nuk pajtohen me çfarëdo tentimi për të rrënuar ndonjë pjesë të caktuar të këtij objekti.

“Propozimi i kryetarit të Komunës së Prizrenit që Kuvendi i Komunës të shpallë kinemanë ‘Lumëbardhi’ si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik (shoqëror), ndër veprimet e propozuara pas dhënies së këtij statusi përmend edhe ‘zgjerimin e rrugës’. Ndërmarrja e këtij veprimi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimin e shpalljes së kësaj hapësire si zonë e interesit të përgjithshëm publik, pasi që zgjerimi i rrugës nënkupton rrënim (dhe eventualisht rindërtim) të pjesës së mbyllur të kinemasë ‘Lumëbardhi’”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Leo’s Art Organization, DokuFest, X40, EC Ma Ndryshe, Fondacioni Legatum, N’GO, Caritas Switzerland dhe Instituti Demokratik i Kosovës.

Argumenti kundërshtues ndaj përpjekjeve për të rrënuar dhe ndryshuar strukturën aktuale të objektit, respektivisht pjesës së mbyllur të kinemasë “Lumëbardhi” i OJQ-ve është i bazuar në disa parime.

Parimi i parë, sipas tyre, janë vlerat e trashëgimisë kulturore, pasi që, sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore dhe Rregullores përkatëse, për t’u përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore mjafton të plotësohet njëra prej këtyre kritereve (vlerave): historike, arkeologjike, artistike, shkencore, shoqërore, shpirtërore, teknologjike dhe rariteti.

“Kinemaja ‘Lumëbardhi’ plotëson së paku katër nga këto kritere: historike, shoqërore, teknologjike dhe rariteti”, thuhet ndër të tjera në reagimin e shoqërisë civile, përderisa bëhet me dije se po përgatitet dokumentacioni për t’i propozuar Ministrisë së Kulturës përfshirjen e kinemasë “Bistrica” në listën e trashëgimisë kulturore.

Arsyeja e dytë, sipas tyre, është mbrojtja që i garantohet objektit me planin e konservimit, i miratuar nga Kuvendi i Komunës në vitin 2008, që e vendos kinemanë “Lumëbardhi” në hierarkinë më të lartë të objekteve që duhen mbrojtur, duke e barazuar për nga rëndësia monumentale me Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

“Ky dokument parasheh ruajtjen e strukturës ekzistuese të objektit të Kinemasë, bashkë me funksionin (destinimin) që ka si hapësirë kulturore/filmike (kinema). Plani i konservimit është akt ligjor i Komunës së Prizrenit dhe shkelja e tij nënkupton vepër penale.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që dëmton ose shkatërron monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik, fetar, shkencor apo natyror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”, vazhdon qëndrimi i OJQ-ve.

Vlera e tretë, sipas aktivistëve, është se kinemaja “Lumëbardhi” është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Prizrenit, pasi që në të kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, kinemaja “Lumëbardhi”, sipas tyre, është shndërruar edhe në një shënjues kulturor, pasi që është njëra nga pikat e referimit më të njohura në Qendrën Historike të Prizrenit. Po ashtu vendimmarrësit janë përkujtuar për peticionin e qytetarëve, i nënshkruar më 2007 nga mijëra qytetarë./koha ditore/

Më Shumë

Lajmet e Fundit