22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Shpella muze e Kabashit të Prizrenit, ilaç për sëmundje të ndryshme

Kabash i Prizrenit është vendbanim i vjetër dhe shtrihet mbi gërmadhat e një kompleksi të lashtë arkeologjik nga periudhat e lashta. Kontinuiteti morfologjik dhe arkitektonik i këtij vendbanimi ka vazhduar edhe në periudhat e mëvonshme historike: në antikë, mesjetë, e deri në ditët e sotme. Ky vendbanim daton nga lashtësia dhe ka qenë i banuar me popullatë autoktone iliro-dardane. Këtë e dëshmojnë gjetjet arkeologjike, si shpata, heshta, monedha, përkrenarja ilire e periudhës romake, si dhe shumë monumente të lashta të kultit që janë gjetur në këtë lokalitet, ende të pahulumtuar nga arkeologët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Se lokaliteti ka qenë i banuar me popullatë ilirodardane, dëshmojnë edhe toponimet dhe mikrotoponimet. Në fshat, gjenden themelet e bazilikave, tregon arkeologu Shafi Gashi.

“Edhe mikrotoponimet në këtë lokalitetit janë tërësisht shqiptare, si Boka, Fusha e Thatë, Ara e Hysenit, Curri i Haxhës, Guri i Keq, Ahishta, Mrizet, Firajë, Kodra e Madhe, Cukali, Gurishtë, Kalaishtë etj”, tregon ai.

Historia Qazim Kabashi shprehet se Kabashi është fshat i thellë i zonës malore dhe që nga lashtësia ende gjenden themelet e bazilikave, objekteve të kultit, ku popullata e hershme dardane i ka kryer ritualet shpirtërore.

“Në fshatin malor, Kabash ekziston manastiri i lashtë, manastiri i “Shën Pjetrit”, që në popull njihet si “Kisha e Keqe” e periudhës paleokristiane, shekullit IV-V pas lindjes së Krishtit, që edhe sot e kësaj dite ekzistojnë gjurmët e freskave të vjetra. Sipas gojëdhënës, thuhet se murgu shqiptar, Shën Pjetri, për të qëndruar sa më afër me perëndinë, këtë monument kulti e ndërton në një shpellë guri në malet e larta të Kabashit”, shprehet ai.

Ajri i pastër shëronte “veremin”

Mirëpo, sipas Kabashit, këtë manastir të lashtë për qëllime të caktuara historiografia serbe e paraqet si manastir serb dhe emrin e Shën Pjetrit shqiptar e përshtat në “Sveti Petar”. Në dokumentet serbe, ky objekt fetar thuhet se i përket shekullit XIV. Historiografia e falsifikuar serbe, të gjitha objektet e kultit, kishave e manastireve shqiptare të periudhës bizantine, i kthen dhe i evidenton në dokumentet si objekte serbe. Fshati Kabash ndahet në dy zona, në mëhallën e Gurit dhe mëhallën Zenelaj. Rexhë Ukaj, banor i fshatit, tregon se dikur pleqtë tregonin se njerëzit kanë besuar shumë në gurin e ajrin e Kabashit.

“Të gjithë ata me sëmundje të tuberkulozit, siç është e njohur në popull “veremi” shkonin atje dhe shëroheshin ndoshta vetëm për një verë. Ajri i pastër uji i pastër dhe i begatë pastaj besimi i përkushtuar në të gjitha këta gurë ka shëruar shumë sëmundje”, shprehet ai.

Megjithatë, edhe gratë që nuk arrinin të lindnin shkoni atje që të shëroheshin, falë kushteve klimatike por edhe falë respektit psikik.

Xhemile Berisha një plakë 87 -vjeçare nga Prizreni tregon se në Kabash te e “gëzuara shpellë muze” ka shkuar me rejën e saj dhe atje ka qëndruar nja dy javë vere, dhe pas këtij rasti beson se nusja e saj u bë me fëmijë.

Banorët kërkojnë që lokaliteti të bëhet fshat turistik

Zona e Kabashit është një kompleks i gjerë arkeologjik dhe historik, me bukuri të rralla natyrore, prandaj kërkesë e banorëve është që institucionet lokale – Komuna, dhe ato qendrore – Ministria e Transportit dhe Post Telekomunikacionit, Ministria e Kulturës dhe Ministria për Mbrojtjen e Ambientit të investojnë në këtë lokalitet historik e arkeologjik dhe këtë fshat ta shndërrojnë në një zonë të bukur turistike. Buzë rrugës që shkon në mëhallën Zenelaj, në kodër mbi fshatin Korishë, gjendet Kalaja e Vjetër, që nga hulumtimet e para arkeologjike në vitin 2002 janë gjetur themelet e një bazilike të periudhës paleokrstiane, kurse në afërsi të Kalasë, një vendbanim i lashtë 1200 vjet para lindjes së Krishtit. Në Kabash gjendet edhe manastiri i “Shën Markut”, ku në vitin 1913 pushtuesit serbë kanë masakruar mbi 100 persona popullatë civile të Kabashit. / Kosova Sot

Më Shumë

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Nga 1 prilli nëse nuk e pastron baltën nga mjeti, gjoba do të jetë 1 mijë euro

Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri për rregullat në trafik. Kështu, parashihen gjoba të ashpra ndaj shkelësve. Iniciuesit e këtij ligji...

Lajmet e Fundit