11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Skicë për portretin e Bacës Bajram

Eqrem Kryeziu

Baca Bajram është nga Skorobishti, fshati më i largët në rrëpirën e fortë të veri-lindjes së Prizrenit. Sa vjet mund të ketë? Mbase 80, por mbahet mirë.
E njoh ka një çerek shekulli, nga takimet politike që mbaja në atë kohë. Asnjëherë nuk mungonte, ndonëse takimet mbaheshin larg fshatit të tij. Sa herë e shihja në ato takime të vona, befasohesha me vendosmërinë dhe guximin e tij për të bërë atë rrugë përmes postblloqeve të policisë serbe.

Nuk mund të pretendoj se jam nonjë mjeshtër i prozës, megjithatë besoj se ky karakter si i Bacës Bajram është shumë i vështirë për t’u portretizuar. Këta njerëz jetojnë për t’u bërë mirë të tjerëve dhe nuk dëftojnë asnjë tipar personal. Kudo qëllofshin, në asnjë mënyrë nuk imponohen, edhe kur atmosfera e fyen moralin e tyre. Durojnë edhe buzëqeshin.

Mësova se ka mbetur pa baba që fëmijë. “Por, tha, kam pasur fatin të takoj njerëz të mirë në jetën time dhe kam mësuar prej tyre.”
Në fillim të viteve ’70 u ngrit në një tubim në fshatin e vet dhe kërkoi që fëmijët në shkollë të mësojnë në shqip, jo në serbisht. Bashkëfshatarët e përkrahën njëzërit. Nuk e kisha të qartë motivin, por ai ma tha vetë: “Të parët tanë vazhdimisht na ngulitnin në kujtesë se jemi shqiptarë.”

Baca Bajram e paska përjetuar rëndë tërheqjen time nga politika. Ky ishte një shkas fatlum për të më vizituar në shtëpi. Solidarizim i njerëzve me moshë të shkuar, besoj. Është e çuditshme sesi këta njerëz kuptojnë çdo gjë, edhe pse nuk përcjellin mediet. Santori e përdor shprehjen “ndijëgim-hollë” që mund ta përshtatim si “njerëz me parandjenjë të pagabueshme.” Prandaj është mister portretizimi i tyre.

Para ca vitesh gruaja e tij ndërroi jetë. Shkova për ngushëllime dhe nuk do ta harroj kurrë atë që pashë: Baca Bajram fliste me ne fare rrjedhshëm, por sytë i shkëlqenin dukshëm, sepse ishin mbushur përplot me lot që nuk i rridhnin faqeve. I thashë vetes: Ja një përfytyrim i konkretizuar i pikëllimit të përjetshëm!
“Je njeri me fat që ke këto kujtime”, i pata thënë atëbotë, por atëherë nuk e njihja Viktor E. Frankl, as unë, as Baca Bajram. Nuk e mbante mend se ç’kisha thënë. Nuk ishte me rëndësi.

“Ende nuk t’u ka fashitur dhembja për gruan?” – e pyeta me frikë, sepse mund të mendonte se e kisha me shaka.
” O, – më tha – nuk e merr me mend se ç’engjëll ishte. Në të gjitha rrugët e rrezikshme që bëja për t’i vizituar pozicionet e UÇK-së dhe për të parë nevojat e tyre, më shoqëronte ajo. Jo se e kërkoja një gjë të këtillë, për më tepër – nuk më pëlqente të rrezikoheshim që të dy, por ajo nuk ndahej. As sot nuk e kuptoj pse bënte kështu, mbase më lehtë e ka pasur të jetë pranë meje po të vritesha a të vriteshim, sesa të pritte me ankth lajmin e kobshëm në shtëpi.”

Kur e përcolla, edhe një herë ia përmenda dashurinë për gruan që nuk ishte më. Ai ma tregoi edhe një kujtim:
” Ti e di se në fshat vjen koha për ujitjen e kopshteve e arave. Tani kur mbaronim me ujitjen, uleshim në ndonjë gur dhe pastronim këmbët nga balta. Ajo më shërbente, por nuk lejonte që unë t’i shërbej: e mbante shtambën nën krah dhe ashtu derdhte ujin për t’u pastruar. Ja, e tillë ishte.”
U ndamë pastaj.

Më Shumë

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Kryeziu: Serbia vazhdon me regjimin e Millosheviqit, pavarësisht që kanë ndryshuar njerëzit

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, thotë se Serbia me veprimet e ngjashme si ato të sotme që ndaloi kosovarët në pikat kufitare, po tregohet...

Lajmet e Fundit