11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Sonte përmbyllet “Hasi Jehon”

Në hapje të programeve të natës së dytë të Festivalit “Hasi Jehon” të pranishmit në sallën e mbushur të shtëpisë së kulturës në Gjonaj, i përshëndeti deputetja shqiptare e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, e cila i falënderoi hasjanët për votën që ia dhanë që ajo të jetë pjesë e Parlamentit të Kroacisë, ndërsa iu premtoi mbështetje për problemet e mërgimtarëve në këtë shtet.

“Erdha këtu të ju mbështes dhe të ju falënderoj për besimin që ma dhatë të jem në Parlamentin e Kroacisë si Deputetja e parë shqiptare. Së pari e përgëzoj ShKA “Malësori” që po e organizon këtë festival për ruajtjen e traditës shqiptare. Si deputete në Parlamentin kroat i kam dyert e hapura për të gjithë gurbetçarët tanë, kështu që ju lus pa hezitim ti adresoni problemet që i keni dhe ju premtoj që do të jem zëri juaj në Parlamentin kroat. Nuk do ta harrojmë as Kosovën dhe as Hasin dhe si diasporë do të punojmë për Kosovën dhe për Hasin kështu që do ta keni mbështetjen tonë gjithmonë”, iu tha hasjanëve deputetja Eremina Laskaj Prljaskaj.

Kompozitori Sami Piraj, anëtar i jurisë, në edicionin e 27-të të Festivalit “Hasi Jehon” thotë se Festivali “Hasi Jehon” tashmë ka një traditë të gjatë të kultivimit të zhanrit të kësaj natyre të folklorit. Vlerat që prezantohen këtu janë autentike, ato që janë ruajtur brez pas brezi.

“Konsideroj që “Hasi Jehon” është një nga festivalet që i ngjason festivalit të folklorit në Gjirokastër, por natyrisht në një format pak më të vogël. Pavarësisht nga kjo konsideroj se prezenca e madhe e Ansambleve jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria nga Maqedonia, dhe nga trevat shqiptare të Malit të zi e bëjnë që festivali “Hasi jehon” të jetë gjithëkombëtarë. Prezenca e Ansambleve që kultivojnë traditën e kësaj natyre të folklorit e bënë që festivali “Hasi Jehon” të ketë primatin e festivaleve jashtëzakonisht të qëlluara dhe të cilat tashmë kanë krijuar traditën e kultivimit të kësaj natyre të muzikës. Nuk është vetëm muzika që prezantohet, janë edhe veshjet karakteristike të Hasit, veshjet karakteristike të të gjitha trevave, ritet etj. Është një festival që ka një kredibilitet të vlerave të folklorit të muzikës të gjithë asaj që e bënë jashtëzakonisht të bukur këtë natyrë të festivalit”. tha Piraj.

Ai më tej thotë se folklori burimor gjithnjë e më të vështirë e ka mbijetesën.

“Unë konsideroj që trysnia e jashtëzakonshme mbi folklorin është duke ndodh me dekada, përmes formave të ndryshme të prezencës së antivlerës në muzikën tonë, të imitimeve të ndryshme dhe kjo në një mënyrë sinqerisht e rrezikon traditën tonë të lashtë. Në këtë trysni konsideroj që në këtë drejtim folklori e ka vështirë të mbijetojë por falë këtyre festivaleve dhe njerëzve entuziastë që ende e kultivojnë mendojë që kemi arrit dhe po vazhdojmë ta ruajmë”.

I pyetur për festivalet që organizohen në Kosovë, Piraj thotë se “është një mendim që vërtetë ka festivale gati në secilën komunë por konsideroj se ka edhe heterogjenitet në kultivimin e vlerave por e bukura është se secila mëton të organizoj një festival me forcat e veta dhe e mira e së mirës është se të gjitha janë në shërbim të vlerave, dikush pak më shumë e dikush më pak, por esenca mbetet që të kultivohen vlerat e traditës sonë të muzikës dhe veshjeve tradicionale”.

Mysafirë të natës së dytë të festivalit “Hasi Jehon”, ishin nxënësit e shkollës së baletit “Allegri” të cilët u paraqitën me një program shumë simpatikë, prandaj edhe morën duartrokitje të gjatë të të pranishmëve.

ShKA “Katarina Josipi” nga Zymi e hapi natën e dytë të Festivalit “Hasi Jehon”. Në konkurencën për çmimet e festivalit. “Halla Gergoce”, “Njoftimi në krua” dhe vallja tradicionale e vajzave, grave dhe burrave të trevës së Hasit ishin programi i paraqitur nga kjo shoqëri kulturore artistike.

Qendra Kulturore “Kamza” nga Kamza e Shqipërisë, u paraqit me vallen tropojane, vallen dyshe, vallen devollicë. Anëtarët e Qendrës Kulturoe nga Kamza u parqqitën edhe ke këngën e Mahmut Dacit të cilën e këndoi Osman Hasa, Këngën e Qanakalsë të cilën e këndoi Gjin Pepkolaj dhe këngën “MOlla e kuqe” që e kënduar Refjan Maksuti dhe Mira Qatipi.

ShKA “Jonuz Ramadani” nga Smira e Vitisë u paraqitë me një valle instrumentale, me vallen nga treva e Karadakut dhe me këngët: “Një Yll i mëngjesit” e këndoi dueti Haziri Ibishi, këngën “Pyet Kosova” e kënduan motrat Ismaili dhe këngën “Diell e hanë shndërrit këtë dhe” që e këndoi Elbasan Idrizi.

Ansambli “Drenica” u paraqit me ritin “Lindja e djalit”, me “Ninullën”, Vallen e Malësisë dhe me këngët “Maje krahu, zakon burri e ka pas” dhe këngën “Erdha nga Tirana” të cilën e kënduan , Bajram Jakupi, Naim Buzhala, Haki Buzhala dhe Isa Veliu.

ShKA “Dëshmorët e kombit” nga Obiliqi, u paraqitën me vallen e Librazhdit, vallen me motive të Peshkopisë, dhe këngët: kushtuar Besim Ndrecës, kënduar nga Ilmi Gashi dhe Nijazi Durmishi dhe këngën Kosova dardane kënduar nga Besim Haliti.

ShKA “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe u paraqitë me vallen orkestrale, vallen festive dhe këngët: “Moj Shqipëri”, kënduar nga Blerim Shala dhe “Vendit tim” kënduar nga Vlora Duraku

Ansambli Kulturor Artisrik “Bajram Curri” nga Prishtina, u paraqitë me vallen suitë kosovare, vallen e PËrdrinit dhe këngët: Malli i gurbetçarit, kënduar nga Gentrit Sfishta dhe “Jam Kosova” kënduar nga Avdyl Babatinca

Juria e Festivalit “Hasi Jehon” Sami Piraj, Hysen Dida dhe Shaqir Hasi, pas përmbylljes së natës së tretë nga ShKA “Malësori” që paraqitet jashtë konkurrencës për shpërblime do të vendos për ndarjen e çmimeve tradicionale. Krahas tri shoqërive që vlerësohen me çmimet tradicionale: Malësori, Malësorja, Lahuta janë edhe çmimet individuale që i marrin këngëtarët, valltarët, ritet etj. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Trepça fiton ndaj Prishtinës në gjysmëfinalen e parë

Trepça ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 87:81 (22:19, 21:20, 21:16, 23:26) Kevin Capers kishte 13 pikë, 4 kërcime e...

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Lajmet e Fundit