6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Studentja shqiptare që mori çmim nga Senati amerikan

Albesa Aliu është një kosovare 19 vjeçe që studion në Fakultetin e Psikologjisë së Lidershipit në institucionin amerikan “Hellenic American University” në Athinë. Kohë më parë asaj i është ndarë çmimi “2015 President’s Leadership Award”, çmim ky i cili u dedikohet studentëve të dalluar apo organizatave studentore qëkanë arritur të transmetojnë edukimin nëpërmjet aktiviteteve kulturore dhe qytetarisë aktive në komunitet. Ky çmimi ndahet çdo vit nga Senati amerikan dhe organizata “Campus Compact” e bazuar në New Hampshire.

Albesa Aliu poashtu ka pranuar një letër urimi nga senatorja amerikane, Ann McLane Kuster, si një mirënjohje për kontributin e dhënë në universitetin amerikan, si dhe aktivitetet kulturore e qytetare në komunitete të ndryshme.

“Ështënder i madh të jesh e njohur nga studentët në tërë shtetin për dedikimin tënd për ta përmirësuar komunitetin. Studentët e dalluar si ju e bëjnë shtetin një vend më të mirë për të jetuar. Jam krenare t’ju përfaqësoj në kongres”, thuhet në letrën e dërguar nga McLane Kuster.

Ne kontaktuam Albesën dhe për “Zërin” ajo u shpreh mjaft e kënaqur dhe e gëzuar për çmimin e ndarë nga Senati amerikan dhe letrën e urimit të marrë nga kongresistja amerikane.

“Është nder për mua si qytetare e Kosovës ta përfaqësojuniversitetin tim në mesin e shumë universiteteve amerikane në këtë garë nominuese. Jam e lumtur që ky çmim është njëmotivim dhe rikujtim se qëllimi i edukimit duhet të jetë përdorimi i njohurive dhe vlerave njerëzore. E gjitha kjo për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar”, shprehet Albesa Aliu.

Njëra ndër fushat që Albesa ka punuar viteve të fundit është promovimi i vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në Kosovë. “Unë kam filluar që nga mosha 14-vjeçare si aktiviste e Kryqit të Kuq, dega në Gjilan. Në vitin 2012 isha bashkëthemeluese dhe udhëheqëse e organizatës “Change” – Nisma për Ndryshime. “Change” është një forum rinor që ka për qëllim t’i ndihmojë të rinjtë që të angazhohen në qytetari aktive, si dhe fuqizimin e tyre për pjesëmarrje në komunitet”, na tha Albesa.

Në vitin 2013, Albesa filloi karrierën akademike në institucionin amerikan “Hellenic American Univeristy”, kampusi në Athinë. Përveç studimeve, Albesa Aliu punon brenda universitetit si asistente në zyrën studentore. Ajo vazhdoi me përgjigjet për “Zërin”, duke shtuar se: “Promovimi i vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive është njëra ndër fushat që kam punuar viteve të fundit në Kosovë. Edhe pse ndodhem në Athinë, vazhdoj veprimtarinë time online si koordinatore e aktiviteteve rinore për organizatën “Change”. Jam anëtare aktive e grupit “KosovoDiaspora.org”, një platformë online që shërben për të promovuar arritjet e kosovarëve në botë”.

Ne u interesuam ta dimë mendimin e Albesës si një studente e dalluar jashtë vendit edhe rreth gjendjes së arsimit në Kosovës. Albesa na tha se përvoja e saj në sistemin e edukimit amerikan e bën që të mendojë në mënyrë kritike rreth vështirësive me të cilat studentët tonë ballafaqohen në Kosovë.

“Si aktiviste shoqërore, më duhet të theksoj që mungesa e një programi për aktivizëm studentor është një temë që duhet të ngrihet brenda sistemit të edukimit në Kosovë. Sistemi i edukimit duhet të krijojë hapësirë për studentët që gjatë kohës së studimeve të praktikojnë mësimet dhe njëkohësisht t’i shërbejnë komunitetit. Aktivitete studentore duhet të përfaqësojnë vlera dhe jo të përdoren si shërbime për arritjen e qëllimeve të grupeve të caktuara. Është e rëndësishme të theksohet se fuqizimi i studentëve të caktuar në disa organizata studentore në Kosovë nuk ka reflektuar ndryshime pozitive. Njëra nga sugjerimet e mia do të ishte që “shëtitjet nëpër qytetet e Kosovës” të zëvendësohen me debate kritike dhe aktivitete specifike të fokusuara në ndryshim”, tha ndër të tjera Aliu.

Më tej, ne u interesuam rreth jetës që Albesa bën Athinë dhe mënyrës se si është adoptuar ajo në rrethin e ri me shokët e shoqet greke.

“Kriza ekonomike në Greqi ka ndikuar në gjendjen psikologjike të qytetarëve. Është sfiduese për mua të jetoj në një lagje ku zhvillohen protesta të cilat mund të jenë herë pas here të rrezikshme. Megjithatë, përshtypjet e mia ndaj popullit grek janë të mira. Grekët posedojnë karakteristikat ballkanike të mikpritjes dhe zemërgjerësisë. Disponimi qytetar është i kuptueshëm duke pasur parasysh krizën ekonomike dhe shtetërore. Është përvojë interesante të jetosh në një shtet të sterotipizuar negativisht nga vendlindja ime. Këto përshtypje të krijohen nga mediat dhe për shkak që nuk kemi pasur rast të komunikojmë me grekët”, na tha Albesa.

Albesa Aliu na foli edhe rreth mënyrës se si grekët i shohin shqiptarët: “Nga bisedat me miqtë grekë dhe të etnive të ndryshme kam kuptuar që racizmi është një fenomen shqetësues, por që vjen nga një numër i vogël qytetarësh, kryesisht të ndikuar nga partitë politike. Sigurisht, mund të ndikoj fakti se jam ndër qytetarët e parë kosovarë që jetoj në Athinë dhe se mungesa e këtij komuniteti mund të jetë faktor që nuk jam e etiketuar, në dallim nga shqiptarët e Shqipërisë, afrikanët apo emigrantët nga Lindja e Mesme”.

Sipas Albesës, patjetër që, pozita sociale, fakti që është studente, ndikon pozitivisht në perceptim. Vetë ajo ka punuar një videoklip rreth racizmit dhe ksenofobisë në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare “Voices Women Media” në Amsterdam, video të cilën e ka shfaqur para një audience greke.

“Duhet të kujtojmë që përshtypjet që marrim nga raportet shtetërore mes shteteve nuk reflektojnë gjithmonë përshtypjet reale të qytetarëve. Njëkohësisht, duhet të kemi kujdes me tendencën për ta gjeneralizuar problemin e tensioneve ndëretnike, përmbylli Albesa bisedën me “Zërin”.

Më Shumë

Sot votimi historik për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

32 vjet nga rënia e dëshmorit, Alush Kryeziu

Janë bërë 32 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Alush (Nezir) Kryeziu. Kryeziu ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai është përkujtuar sot...

Lajmet e Fundit