5.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Tri esetë në anglisht: “Bota” e Kadaresë , “drama e pamundur” e Shqipërisë

Tri esetë e Ismail Kadaresë nga “Letërsia Botërore”, përkthehen në anglisht nga Ani Kokobobo, botuar në Brooklin nga Restless Books. Reflektimi personal i shkrimtarit shqiptar mbi Eskilin, Danten, Shekspirin, të sjella së pari në shqip mes viteve 1985-2006, si libra më vete, përcillen nga profesori i Universitetit shtetëror të Michiganit, Sean Guynes Vishniac

Nga Sean Guynes-Vishniac

Koleksioni i parë dhe i vetëm i eseve të përkthyera në anglisht nga Ismail Kadare, kësaj here direkt nga origjinalet shqiptare, shkruar nga 1985 deri në 2006, ofrojnë meditime të thella, thelbësisht personale të autorit mbi figurat kanonike të historisë së letërsisë botërore. Esetë njëherësh vlerësojnë qarkullimin e literaturës “botërore” (gjithmonë qartësisht europiane, sipas Kadaresë) në Shqipëri dhe, po ashtu, argumentojnë rëndësinë e tragjedisë për jetën, imagjinatën dhe vetidentifikimin e popujve të Ballkanit.

Kjo përfshin impulsin për të fshehur ndryshimet kulturore, gjuhësore, etnike dhe historike në shërbim të një “ballkanizmi” të dallueshëm që dëshmohet në dhimbjen unifikuese përtej konfliktit etno/gjeokulturor gjatë mijëvjeçarëve. Kadare reflekton në tri ese mbi shkrimtarët “e mëdhenj” të traditës letrare botërore: mbi Eskilin, të cilin ai e quan “humbës i madh”; mbi Danten, “e pashmangshëm”; dhe Shekspirin, “princin e vështirë”.

Esetë e Kadaresë japin historinë dhe vendin e këtyre shkrimtarëve në imagjinatën intelektuale dhe mitologjike shqiptarë, si dhe ndikimin e tyre në mendimin e Kadaresë mbi qëllimin e shkrimit letrar. Eskili ka gëzuar një prezencë pak a shumë të vazhdueshme, Dantja dhe Shekspiri nga shkaku i sundimit shtypës osman mbërrijnë të vonuar te shqiptarët me përkthime vetëm pas pavarësisë në shekullin e njëzet. Dantja lë një përshtypje të veçantë te Kadareja.

Ai thotë se mësimi më i madh i poetit fiorentin ishte se “gjendja natyrore e shkrimtarit të madh është të udhëtojë i gjallë në mesin e të vdekurve”. Kështu, Dantja është interpretuar si poeti i përvojës themelore shqiptare; “danteske” nuk përshkruan asgjë më shumë, sesa spiralen shekullore të jetës shqiptare nën perandori të shumta, më pas dhe nën Hoxhën. Eskili, tema e esesë së tij më të hershme dhe më të gjatë, për Kadarenë përfaqëson origjinën e humbur të letërsisë botërore dhe kështu të vetë “qytetërimit”.

Meqë për grekët, sensi i tragjicitetit të Eskilit doli nga një kuptim unik i Ballkanit mbi të përzishmen, pikërisht për këtë arsye, thotë Kadare, ai ishte, si çdo shqiptar, një i përhumbur nga dhimbjet e veçanta të jetës së Ballkanit. Hamleti i Shekspirit, në esenë e fundit, përfaqëson “dramën e pambaruar” të Shqipërisë, me gjakmarrjen e kanunit, kodit ligjor shqiptar, për grindjet e pabesueshme në shekuj mbi tokën, pushtetin dhe identitetin që, ashtu si vetë gjakmarrja e Hamleti, e bëjnë jetën një tragjedi.

Në kuptimin e pashlyeshëm humanist të artit, Kadare e koncepton literaturën – veprën e shkrimtarëve të mëdhenj kanonikë – si art që “qan me botë”, duke synuar nëpërmjet letërsisë një të kuptuar në mënyrë unike dhe të thellë të tragjedisë, të dhunës, të dhembjes njerëzore. Ai miraton një idiomë të Gjirokastrës “të qash me botë” që përshkruan zinë intime të tragjedisë midis të afërmve dhe jo të afërmve; sepse Kadareja, duke folur gjithmonë përmes historisë së dhunshme të Ballkanit, është për një lidhshmëri të detyrueshme midis popullit të Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, si burimi më i pastër, dhe pse është burimi më i dhimbshëm, i frymëzimit letrar.

Letërsia si një “e qarë me botë” nuk është vetëm një vajtim për vetveten, por edhe një kujtim i atyre që lëndohen në prodhimin e vetes. Kadareja nga leximet e tij të shumta të Homerit ka vënë re se, shkatërrimi me mashtrim i trojanëve prej grekëve, vrasja dhe djegia e tyre në gjumë, japin bazat e epopesë më të madhe të individualitetit dhe të unifikimit mitopolitik të Greqisë.

Nëpërmjet provokimeve të tij mbi Eskilin, Danten, Shekspirin dhe peripecitë e historisë shqiptare, Kadare argumenton se për të parë letërsinë shqipe si literaturë botërore duhet ta shohësh Shqipërinë njëkohësisht si subjekt i tragjedisë së vet dhe si objekt i dhunës kundër saj. Kjo është që ta shohësh Shqipërinë si europiane dhe për këtë arsye pjesë e historisë imperialiste të Europës; brenda Europës dhe pafundësisht në Ballkan, kështu, gjithmonë periferike ndaj rrjedhave të fuqive europiane; por dhe e gjitha mes tyre, si një esencë etno-gjeokulturore, e veçuar ashtu si origjina e tragjedisë, e pashmangshme si dhuna e politikës, e vështirë si fantazmat e së kaluarës. “Bota” e tri eseve të Kadaresë mbi “literaturën botërore” është një reflektim i “dramës së pamundur” të Shqipërisë në shkallën globale të historisë njerëzore, njëkohshëm dhe një vëzhgim i thellë, si madhështia e artit të madh.

*Universiteti Shtetëror Michigan; titulli është redaksional, origjinali është: “Ese mbi Letërsinë Botërore nga Ismail Kadare”

Më Shumë

Durrësi qyteti më i nxehtë deri në 2040-ën, në mesin e tyre edhe Prizreni

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë bën të ditur se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të...

Mbi 7 mijë kosovarë shkuan në Shqipëri në orët e hershme të së shtunës

Kjo e shtunë ka nisur me një fluks automjetesh në pikën kufitare të Morinës. Shumë qytetarë kanë zgjedhur të udhëtojnë nga Kosova drejtë Shqipërisë, duke...

Lajmet e Fundit