7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Turqia kërkon ndërprerjen e punimeve të bibliotekës në Prizren

Ministria e Kulturës, ka marë vendim që të mos jep pëlqimin për ndërtimin e objektit të Bibliotekës në Prizren. Një gjë të tillë e thonë burime të Televizionit të Prizrenit , brenda Komunës së Prizrenit. Sipas këtyre burimeve, ndalimin e punimeve e kanë kërkuar nga ministria, Ambasada e Republikës së Turqisë dhe partia e komunitetit turk KDTP. Ndryshe,në fillim të muajit dhjetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, me bashkëpunëtorë kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit, e cila sipas autoriteteve komunale do ta ketë karakterin e Bibliotekës Qytetare dhe Universitare. Realizimi i projektit në bazë të deklaratave të zyrtarëve do të kushtojë 500 mijë euro, me ç’rast për vitin 2014 janë ndarë afër 140 mijë euro. Një monitorim i zhvillimeve në fushën e urbanizmit të Prizrenit, bërë nga organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” në Prizren në muajin janar, kishte nxjerrë në shesh se Komuna e Prizrenit ka nisur ndërtimin e bibliotekës së re, pa marrë pëlqimin përfundimtar për projektin e ndërtimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë, pas vënies së gurthemelit të projektit, në mediat sociale janë paraqitur fotografi të projektit ideor për ndërtimin e kësaj biblioteke.

Valon Xhabali nga OJQ “ Ec ma ndryshe” ka theksuar se reagimi i komunitetit të profesionistëve ka qenë i menjëhershëm, me ç’rast gjatë debatit ata kanë ngritur shqetësime për arkitekturën e objektit, duke konsideruar se ai nuk mund të jetë përfaqësues i vlerave tradicionale të qytetit, veçmas në hapësirat e dikurshme të ish-shkollës së “Ryzhdijes”. Sipas tyre, nevojitet një debat më i gjerë për rishikimin e projektit, në mënyrë që ai të përfshijë vlerat e vërteta të arkitekturës vendore, të ofrojë një ndërtesë reprezentative dhe të plotësojë kushtet funksionale të një biblioteke. Në anën tjetër, zyrtarët lokalë, vazhdimisht kanë thënë se ndërtimi i objektit të bibliotekës ka leje urbanistike.

Drejtoria Komunale për Urbanizëm dhe Planifikim kishte informuar monitoruesit se komplet lënda është dërguar në QRTK, në vitin 2014, për marrjen e pëlqimit ngase projekti bën pjesë në zonën e mbrojtur të qytetit të Prizrenit, dhe se “nuk është kthyer lënda e kompletuar, nga QRTK-ja, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme, për dhënien e lejes për restaurimin e Bibliotekës në Prizren”. Sipas burimeve tona nga Komuna e Prizrenit, njëri nga zyrtarët më këmbëngulës për realizimin e këtij projekti është pikërisht, Ramadan Muja, i cili insiston që ky projekt të realizohet sipas dinamikës së paraparë.Po cilat janë arsyet që mund të çojnë në intervenimin e Ambasadës së Turqisë për objektin e Ryzhdijes ? Shkolla e mesme Ryzhdije u hap në vitin 1874 kur Prizreni dhe Kosova ndodhej nën okupimin osman, dhe paraqet themelimin e arsimit të ri të mesëm në Prizren.

Në Ryzhdije mësimi zgjaste tri vjet, dhe krahas lëndëve me përmbajtje fetare mësoheshin edhe lëndë të reja sikurse historia, gjeografia, shkencat natyrore, matematika e fizika. Kjo mënyrë e shkollimit në Prizren u zhvillua gjerë më 1912 kur Lufta Ballkanike e më pastaj Lufta e Parë Botërore ndërprenë zhvillimin e këtij sistemi shkollor. Pas Luftës së Dytë Botërore objekti i Ryzhdijes shndërrohet në spital me ç’rast në afërsi të saj ndërtohen edhe objekte tjera kështu që shndërrohet në një kompleks spitalor. Këtë funksion objekti i Ryzhdijes ka pasur deri në vitin 1979, pas vërshimeve katastrofale objekti braktiset dhe më vonë përdoret si depo dhe punëtori. Kur më 13 janar 1992 zjarri e kaplon objektin ai lihet në mëshirë të kohës dhe gradualisht shkatërrohet, kështu që sot nga objekti kanë mbetur vetëm rrënojat.

Gjithashtu, duhet përmendur edhe rastin e rehabilitimit të Minaresë së Arastës, kur në mars të vitit 2013, drejtori i atëhershëm i Urbanizmit dhe Planifikimit, Sadik Paqarizi, pati akuzuar drejtëpërdrejt ambasadoren e Turqisë në Prishtinë, Songul Ozan, dhe krerët e BIK-ut për ushtrim të presionit për bllokimin e projektit. I fundit që zyrtarisht është prononcuar për këtë çështje, ka qenë zyrtari komunal për informim, Ymer Berisha, i cili kishte thënë në një intervistë për TVPZ.

“ Ne si komunë jemi në konsulta me ministrinë për këtë çështje, pasi që Drejtoria e Urbanizmit dhe ajo e Inspektoratëve shkëmbejnë shkresa zyrtare me ministrinë në fjalë. Ai shton se, komunikimi përmes këtyre shkresave zyrtare mund të sjell edhe vonesa , mirëpo dikasterët komunal, thotë ai, janë të përgjegjshëm për veprimet e tyre” duke aluduar për kohën e fillimit të punimeve në këtë projekt. Disa makineri deri ditën e shtunë kanë punuar në pastrimin e vendit ku është paraparë realizimi i këtij projekti, ndërkohë një gjë e tillë nuk ka vijuar gjatë ditës së sotme/TVPZ/

Më Shumë

Sara Gjordeni shtatzënë- Reagon për herë të parë Bardhi

Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmin e konfirmoi vetë dyshja përmes një postimi në rrjetet sociale. Ishte ish-banorja e...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit