9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Universiteti Veror i Prishtinës do të lobojë për njohjen e Kosovës

UP-rektoratiUniversiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës, sivjet do të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës tek shtetet që ende nuk e kanë njohur. Edicioni i 13-të i këtij universiteti do të fillojë ligjëratat më 22 korrik, ndërsa ceremonia e hapjes do të mbahet të dielën më 21 korrik. Sivjet do të vijojnë universitetin veror rreth 500 studentë, ku do të ligjërojnë profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edicioni i 13-të i Universitetit Veror të Prishtinës, sivjet për herë të parë do të ketë rolin e lobuesit për njohjen e shtetit të Kosovës, duke marrë pjesë në këtë eveniment profesorë e studentë nga vendet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Drejtoresha e zyrës për marrëdhënie me jashtë në Universitetin e Prishtinës, Lumnije Bajrami, tha për Radio Kosovën, se profesorët nga këto vende kanë tema shumë interesante që do të ligjërojnë në Universitetin Veror.

“Një risi është se këtë vit bashkëpunojmë për herë të parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ambasadën e Norvegjisë dhe Këshillin Britanik,në kuadër të projektit për lobim tek vendet të cilat ende nuk na kanë njohur. Si rrjedhojë kemi bërë përzgjedhjen e 5 profesorëve nga këto vende, 2 janë nga Greqia, 1 nga Rumania, një nga Ukraina dhe një nga Kina”, tha Bajrami.

Bajrami theksoi se kjo përzgjedhje e profesorëve do të ndikojë në lobim tek vendet që nuk na kanë njohur, pasi siç tha ata do të kenë rastin të njihen nga afër me profesorët dhe studentët tanë, duke shkëmbyer përvoja dhe duke njohur kulturën tonë.

“Me vet faktin se ata do të vijnë ata këtu do të kontribuojnë, do të zgjerohet bashkëpunimi me këto vende fillimisht në lëmin e edukimit. Më pas kemi edhe studentë që vijnë nga këto vende dhe për gjatë dy javëve kampusi i UP do të shndërrohet në një qendër që do të përfshijë studentë të kulturave të ndryshme”, tha bajrami.

Numri i studentëve që do të ndjekin sivjet edicionin e 13-të të universitetit veror është rreth 500. Ndërkaq, profesorët vendorë dhe ndërkombëtar do të ligjërojnë në 24 kurse nga fusha të ndryshme. Kurset të cilat janë më të preferuarat për tu ndjekur janë kurset e Fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik. Studentët të cilët do të ndjekin Universitetin Veror do të përfitojnë nga katër kredi. Gjatë ditëve të Universitetit Veror do të ketë edhe aktivitete të tjera të ndryshme, si vizita me karakter kulturor, ekskursione, aktivitete sportive, e të tjera. Edicioni i 13-të do të përfundojë më 2 gusht.

Më Shumë

Lajmet e Fundit