8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Varri i Fishtës, At Zef Pllumi: E dhunuan hienat e kuqe me tërbim

At Zef PllumiRevista “Hylli i Dritës”, më 1996 i kushtoi një numër të posaçëm Gjergj Fishtës. Disa prej emrave më të njohur të intelektualëve të kohës shkruajnë për jetën dhe veprën e poetit kombëtar, dikush studim e dikush thellohet në aspekte të punës së tij. “GSH” sjell sot, dy mendime mbi varrin e Fishtës, që siç dihet, qe dhunuar më 1944-ën. Disa eshtra patën shpëtuar dhe janë sot të varrosura në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, e për eshtrat e tjera (që qenë varrosur në Rrmaj) hipotezat janë të shumta. Zgjodhëm artikullin e At Zef Pllumit dhe atë të Kasem Trebeshinës.
At Zef Pllumi
Shkrimi i tij, është i pari i revistës. Titullohet “Nji vorr për At Gjergj Fishtën” dhe tregon si u varros dhe si u dhunua varri. “A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-s me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin ‘botën e re’… Nga orri në fund të kishës, u hoqën në fillmin kunorat me lule. Kryqi dullije u zhgul. Mbet vetëm ni rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emën, e pa kombsi… Më 6 shkurt 1967 tirani e shpalli me sulm ‘revolucionin kultural’. Feja u ndalue. Kishat e xhamijat u shembën përtokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spiuj e tradhtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër, iu siellën vorrit në fund të kishës, e dhunuen, e shgatërruen. Kje natë. Simbas nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë hapsirë inad dhe i hodhën në Drin. Partia kishe vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në Kino-teatër; ndoshta friga se nga fundi i Kishës mund ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem… Mbasi e kishin shgulë të vorruemin prej vorri, e nxuerën Poetin jashtë prej shkollave, prej librave, prej manualeve të historisë, e letërsisë. I mbetun pa vorr Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit…

Më 28 dhetor 1990 në mure u ngjit njoftimi përkujtimin e Fishtës, nga Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj e Rudolf Marku. U duk se do ndodhte nji skandal i vërtetë. Salla e përhime e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve u mbush plot e përmaje me trimat e me servila, me kureshtarë e me spiuj…

…Më 13.11. 1995 filluen gërmimet për vorrin e Fishtës. U gjetën një pakicë eshtnash shpëtue prej dhunimit të vorrit….

Një procesverbal sqaron me vërtetsi dhunimin e vorrit, nga i cili kanë teprue disa pak eshtna, që dhunuesve nuk u kanë ra në sy kur i kanë nxjerrë të tjerat për t’i hjedhë në Drin….
(Më 1996-ën u vendos të bëhej një varr për Fishtën. Financimi nga Ministria e Kulturës qe i vogël, ndërsa shuma e plotë u sigurua me ndihma. Eshtrat e mbetura janë në Kishën Françeskane në Gjuhadol)
Kasem Trebeshina

“Jeta e Fishtës pas vdekjes” titullohet shkrimi i Trebeshinës dhe copëza prej tij i botojmë më poshtë.
Ka qëlluar edhe herë të tjera që njerëzve të mëdhenj t’u humbasë varri, nga pakujdesia, nga mosnjohja, nga mospërfillja. Edhe nga shumë shkaqe të tjera që nuk vlen ti radhisim. Kështu ka ndodhur dhe kështu mund të ndodhë.

Por dhunimin e varrit të Gjergj Fishtës nuk mund ta përfshijmë në rastet e ndodhshme. Se në dhunimin e varrit të tij ka ndodhur diçka e pandodhur, diçka që është krejt e veçantë dhe që mund të shpjegohet vetëm në natyrën e urrejtjes së feudalizmit bajraktarist të ndyrë shqiptar që kërkon të ketë monopolin absolut mbi të gjithë jetën e vendit.

Që në hapat e parë të pluralizmit formal më habitën disa qëndrime të miqve të mi me të cilët kishim biseduar shpeshherë në burg rreth letërsisë në përgjithësi dhe veças rreth Fishtës.
Këta miq, që për mua mbeten gjithnjë të shtrenjtë, çuditërisht, ishin të mendimit se unë në ndonjë rast kaloja në ekstremizëm…

Përpara se të bisedoj me miqtë, dua të kujtoj për brezat e ardhshëm skenën e llahtarshme. Një kope fanatikësh u lëshua e tërbuar me kazma në duar dhe shkatërroi një varr. Po në shpejtimin e tyre verbërisht të tmerrshëm, të nxitur nga një urrejtje pa fund dhe pa anë, nuk arritën t’i dallonin edhe ato pesë eshtra që do të mbeteshin për kujtimin e madh të kohëve. Megjithëkëtë, qeniet e tmerrshme që urdhëruan kryerjen e asaj pune, ishin të vetëdijshme se çështja nuk mund të mbyllej me aq. Prandaj, me kohë, ata i këmbyen veglat dhe njerëzit. Holokaustin e vazhduan njerëzit e penës. Ata njerëz të penës që guxuan të vinin dorë mbi veprën e Fishtës, në fillimin e zhvillimit formal të proceseve pluraliste në Shqipëri do të hiqeshin për demokratë të kulluar dhe do të shiteshin nëpër botë si kampionë të vërtetë të kulturës e artit.

Ajo që më shqetëson mua është se si miqtë e mi besuan në fjalën e masakruesve të Fishtës? …Që në numrin e parë të asaj reviste që kishte themeluar Fishta, jepej si vazhdues i tij, pikërisht njeriu që kishte fyer e mallkuar poetin e “Lahutës”, që ishte munduar ta asgjësonte plotësisht veprën e njeriut të madh shqiptar? Fishta nuk ka pyetur e nuk pyet për daullet dhe zurnatë e partive.

Shteti shqiptar komunist dje nuk e kishte të vështirë që të lëshonte rrufe dhe mallkime kundër Fishtës, kurse sot po ata njerëz mundohen ta mbulojnë me vlerësime pa kuptim punën e madhe të tij …Përgjigjja më e saktë për këto veprime nuk janë mbledhjet ceremoniale shtetërore …Nuk duhen pranuar dekoratat e hedhura me përqeshje, për të gënjyer turmën nga njëra anë dhe për të shtypur agresivitetin e pseudointelektualëve nga ana tjetër.

…Ata (zvarranikët e zyrave) do të bëjnë larjen e truve të brezit të ri, do t’i kthejnë shijet e njerëzve së prapthi dhe do të sigurojnë vazhdimësinë e sundimit të patrazuar të baladave dhe romaneve ku Enver Hoxha, i lartë sa malet, do t’i hipë aeroplanit-kalë baladash dhe do të niset për të vrarë kuçedrat e lindura në mendjet e shkrimtarëve të realizmit social-burokratik, shkrimtarë shumë të shtrenjtë dhe të dashur për pushtetarët paskomunistë gjer sot e kësaj dite.
Gjatë këtyre 50 viteve, sidomos pas viteve 1960, “gardistët e kuq” të realizmit social-burokratik krijuan folklorin komunist dhe vendosën sundimin e tyre absolut mbi Letërsinë Shqipe, u dëgjua se “Lahuta e Malcis” ishte një vepër tipike folklorizante. Sepse Fishta, ‘shkrimtar reaksionar’, ishte krejtësisht i huaj për shpirtin dhe aspiratat e popullit. Këtu, nuk është fjala për të polemizuar me xhuxhët e letërsisë shqipe, qoftë kur mbajnë grada akademikësh.
…Social-komunizmi ka pjesën e tij politike në dhunimin e varrit dhe në gurët që u hodhën kundër poetit të madh, kurse shkrimtarët rrakashkrues u rebeluan se kjo figurë madhore i linte në hije.

Me një ligësi djallëzore është thënë se ‘Lahuta’, i ashtuquajturi epos i tij ishte përshkruar nga kreu në fund nga një frymë shoviniste antisllave, krejt e huaj dhe e papranueshme nga muza shqiptare.

Sharjet, mallkimet dhe heshtja dashakeqe qëndrojnë mullar atje përballë rrugës, kurse para nesh qëndron një varr me pesë eshtrat e poetit.

Më Shumë

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Aksident mes dy veturave në Malishevë, lëndohen dy persona

Një aksident mes dy veturave në Bellanicë të Malishevës ka ndodhur mesditën e sotme, ku dy persona kanë mbetur të lënduar. Rastin për Klankosova.tv, e...

Lajmet e Fundit