16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

“Zambaku i Prizrenit”, gjysmë i drejtëpërdrejtë e gjysmë “fals”

Festivali-Zambaku i PrizrenitDikur njihej si festivali emblem i qytetit me shumë traditë dhe kulturë. Sa herë që këndohet kënga “Zambaku i Prizrenit”, kujtimi i parë sjell festivalin i cili nëpër vite ka sjellë muzikën e mirëfilltë në Prizren.

Të shtunën mbrëma festivali ka mbajtur edicionin e tij të 26-të me 14 këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, sivjet me probleme të natyres teknike, por edhe përmbajtësore.

Bashkim Rakaj, producent i “Glob Media” dhe organizator i sivjetshëm i “Zambakut…” ka përsëritur se problemin kryesor në organizim e ka pasur në mungesën e mjeteve financiare, mirëpo, sipas tij, gjithçka ka shkuar ashtu si është menduar.

“Ka shumë vështirësi për të realizuar një festival të përmasave të mëdha. Nuk bëhen gjëra të mëdha pa para dhe është qesharake të pretendosh të bësh festival me shuma simbolike duke marrë parasysh kushtet. Ndërsa me një përkushtim të jashtëzakonshëm të stafit mendoj se kemi bërë një punë të mirë sepse unë tregova veten që di të bëj gjëra të mira në bashkëpunim me stafin tim”, është shprehur Rakaj, shkruan Zëri.

Por jo të gjithë mendojnë se ky festival ka pasur vetëm këto probleme, kualiteti i tij jo domosdoshmërisht lidhet me financat. Nuk mbahet në mend të ketë pasur më shumë kritika se kësaj radhe ky festival duke marrë parasysh që për shumë vite festivali më nuk organizohet nga vetë qyteti por nga përfitues privatë të “tenderëve muzikorë”.

Për kompozitorin Reshat Randobrava, festivali “Zambaku i Prizrenit” ka devijuar nga forma që e ka pasur në fillimet e tij, ndonëse ai vetë është njëri nga themeluesit e festivalit. Randobrava thotë se “himni” i këtij festivali së pari ka munguar, që, sipas tij, është një obligim nga ana e çdo organizatori, e pastaj edhe gjëra tjera të cilat më parë nuk kanë qenë pjesë e repertorit krijues të festivalit.

“Një pikë baleti që është prezentuar mendoj se është diçka e pazakontë për këtë festival, por nuk do të thotë që nuk bën, mirëpo nuk jemi mësuar të shohim vallëzim në “Zambak…”. Ky festival është për këngë të vjetra qytetare, jo për vallëzime balerinësh”, është shprehur Randobrava.

Një pengesë tjetër që nuk e karakterizon këtë festival tradicional të qytetit të Prizrenit kanë qenë edhe disa momente kur janë lëshuar “playback” këngët, për të cilat Randobrava thotë se asnjëri festival në rajon e më gjërë nuk mund të bëjë një realizim të tillë, gjysmë të drejtëpërdrejtë e gjysmë “fals”.

Pedagogu i muzikës, Bajram Çupi, një nga të parët që ka marrë pjesë në organizimet në skenën e “Zambakut…” ndër vite, ka thënë se është ndjerë i befasuar për të keq nga ana e organizimit duke i marrë parasysh të kaluarat e këtij festivali.

“Me keqardhje po e them ngase festivali ka një traditë që nuk ka një njeri i cili është profesionist në skenën muzikore. Ky i këtij viti ka qenë shumë i dobët si nga ana e organizmit, përmbajtja e këngëve, me përjashtim të disave, por ky festival ka një traditë që të jetë “i gjallë” e jo sikur ky konglomerat jo shumë i pëlqyeshëm”, ka thënë Çupi.

Megjithatë, festivali me gjithë gabimet është transmetuar në të gjitha televizionet kombëtare në trojet shqiptare. Vetë organizatorët e justifikojnë devijimin e festivalit me mungesën e fondeve dhe buxhetin e paktë për realizim.

Regjisori i festivalit, Isuf Kurtaj, ka thënë se realizimi i këtij festivali ishte shumë i vëshirë, duke shtuar se ka pasur mbështetje morale nga të gjithë, por jo edhe atë financiare.

“Në krahasim me vitet e kaluara, realizimi ka qenë shumë më lart, por kjo nuk do të thotë se ne ishim të kënaqur me realimin e “Zambakut…”. Ministria e Kulturës na ka ndarë 4 mijë euro, e me ato pak para nuk realizohet një punë e madhe”, shprehet Kurtaj.

Kohë më parë, për gazetën ‘Zëri’, organizatorët e festivalit “Zambaku i Prizrenit 2013”, kanë shprehur keqardhjen për mbarëvajtjen e këtij festivali në mënyrë perfekte, gjithnjë duke iu referuar kushteve simbolike financiare, të cilat kanë qenë mungesë, si nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit po ashtu edhe nga ana e Kuvendit Komunal të qytetit të Prizrenti.

Nga katërmbëdhjetë këngëtarë që kanë performuar në natën e 6 korrikut në Prizren, serenata e korçarit Devis Xherahu ka rrëmbyer tre çmime, këngë kjo e orkestruar nga Gent Myftaraj me tekst dhe muzikë të Vask Nicos ka fituar çmimin e interpetimit më të mirë, vendin e parë dhe çmimin e publikut. Në rrjetin social “Facebook”, Xherahu ka shkruar se çmimet e marra në Prizren, janë pjesë e ditëve më të veçanta të jetës së tij.

“Ju falënderoj ju të gjithëve që më besuat sonte këto tre çmime të mëdha në Prizren tek evenimenti më i rëndësishëm në Kosovë…”, ka shkruar Xherahu. “Zambaku i Prizrenit 2013”, u prezentua nga tre moderatorë nga Shqipëria, ndërsa në juri profesionale kanë qenë kompozitorja Elizabeta Musliu, pianisti Xheladin Kastrati, dhe artistët Mark Gjoni, Redon Makashi dhe Adrian Trebicka.

Më Shumë

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Krasniqi përkujton të rënët në masakrën e Krushës së Madhe: Asnjëherë s’do të lejojmë që sakrificat e popullit tonë të harrohen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka përkujtuar Masakrën e Krushës së Madhe, që ndodhi 25 vjet më parë. Në këtë...

Lajmet e Fundit