7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Zot, ruana!

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit”, prezantojmë shkrimtarin Ibrahim Kadriu, i cili ka lindur në Zhegër, më 8 janar 1945. U shkollua në Gjilan (Normalen) dhe në Prishtinë (Fakultetin Filozofik – Albanologjinë). Me shkrime (me botimet e veprave letrare) merret që nga viti 1962, kur botoi poezitë e para te revista “Jeta e re”.

Dy vite ka punuar në arsim, ndërkaq që nga viti 1968 ka qenë në detyrën e gazetarit, të reporterit të lirë dhe të redaktorit të kulturës te “Rilindja”, punë kjo të cilën e ka kryer deri në shuarje të “Rilindjes” nga pushteti serb dhe ka vazhduar (në detyrën e redaktorit të kulturës dhe fejtonistikës) te e përditshmja “Zëri”. Librin e parë e ka botuar më 1969, ndërkaq nga ajo kohë e deri më sot, si pensionist, ka botuar mbi shtatëdhjetë vepra, prej të cilave 25 janë romane. Librat i janë përkthyer në serbokroatisht, një roman dhe një vëllim poetik, në gjuhën malazez një vëllim poetik, në rumanisht vëllim poetik, në italisht vëllim poetik, në greqisht një vëllim poetik, në turqisht një roman, në norvegjisht një novelë. Është nderuar me shumë çmime, ndër të cilat edhe me çmimet vjetore, “Azem Shkreli”, “Hivzi Sylejmani”, “Rexhai Surroi”, të gjitha për romane, gjithashtu është nderuar edhe me çmimin e PEN qendrës ndërkombëtare të Shqipërisë me titull Romancier shqiptar i vitit.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

A jemi normalë? Kjo pyetje qëndron prapa çdo veprimi anormal, që nuk përkon me rezonimin e shëndoshë. Këtë bindje e kam në vete dhe gjithnjë bëj përpjekje t’i largohem duke kërkuar veprime normale të cilat, në këtë kohë ethesh politike, mbase edhe kulturore e akademike, në rrethana të ndryshme mungojnë. A jemi normalë, pyes, kur ndeshem me prishje të ambientit, të thyerjes së shtyllave, poçeve elektrike në vende publike; kur përballem me vandalizma, me arroganca e sjellje jo normale në ambiente të arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë…Kur gjendem pranë ekranit dhe dëgjoj fjalorin e të zgjedhurve të popullit, kur dëgjoj sharjet, pështyrjet, vetvetiu vjen pyetja: a jemi normalë meqë, kur merremi me nivelin e arritjeve arsimore deri në titujt më të lartë, pa kryer shkollën fillore. Dhe, vërtet, patjetër vjen pyetja: a jemi normalë kur arrihen titujt akademikë e shkencorë përmes telefonit, dhe të njëjtit zënë vendet e ligjëruesve në fakultete? Sigurisht se nuk jemi normalë. Sa do të zgjasë kjo amulli, një zot e di, sepse ata që do të duhej të merreshin në gjetjen e përgjigjeve – do të duhej të fillonin nga vetja.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Është mrekulli kur je në pension, sepse vetë je, siç thuhet, pashë e subashë. Vetë përcakton itinerarin e lëvizjeve, orarin e angazhimeve; nuk ke obligime e përgjegjësi pune. E vetmja përgjegjësi të takon ta marrësh veten me të mirë duke ruajtur dinjitetin njerëzor dhe (në rastin konkret të angazhimit si shkrimtar) të merresh me realizimin e ideve. Udhëtimi i zakonshëm imi i përditshëm (tash e njëzet vjet më parë) është në ambientet e Gërmisë, duke filluar nga ora gjashtë e gjysmë e mëngjesit…

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Në moshën time kujtesa ka pengesa, prandaj nga vitrina e kujtesës po shikoj në vitrinën e librave, në këtë studion time; në vitrinën që më qëndron përpara dhe që, shpesh të njëjtave libra u kthehem. Po e shoh Emrin i trëndafilit të Umberto Ekos, që përherë më duket së e lexoj së pari. Prozat e gjata të Konicës, sidomos Katër përrallat nga Zullulandi, Dr. Gjëlpëra, e kështu me radhë…Brengën e Ballkanit, Frojdin…

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Si mund ta ndiej veten njeriu kur gjendet mbi valë të turbullta në përpjekje për t’u mbajtur për rrënjët, të cilave, valët e pista, pak nga pak ua shembin brigjet. Kjo krizë, që vjen si rezultat i mendjeve të brishta dhe të prishta, për fatkeqësinë e identitetit tonë, gjithnjë e më shumë po gjen hapësirë përmes manipulimeve të natyrave të ndryshme. Në këtë drejtim viteve të fundit kanë nxjerrë brirët ideologë të çuditshëm, duke manipuluar me kombin, qoftë duke i dhënë fesë përparësi, qoftë duke e shndërruar territorin gjeografik në komb. Si e para edhe e dyta mund ta kenë të njëjtin mesazh largimin nga identiteti kombëtar, duke iu bashkuar kësisoj botëkuptimeve sllave të ndarjes së shqiptarëve, në “albanci” dhe “shiftari” ose, fjala vjen, sot – kosovari. Ajo që, si ndarje, nuk është arritur me shekuj, bëhet përpjekje e ngulmtë që të arrihet tash. Zot, ruana!

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Termi kulturë ka gjerësi, në të vërtetë duhet të ketë gjerësi, e jo të kuptohet vetëm me një shfaqje, koncert, me ndonjë përurim libri, etj. Kulturë domethënë, në rend të parë, emancipim shpirtëror, ngritje e intelektit. Meqë, për aq sa mund ta kuptoj, pyetja është bërë që të vlerësohet kultura në kuadër të veprimit insititucional, në nivelin shtetëror dhe komunal, meqë sipas strukturës shtetërore dhe ligjeve ekzistuese ekzistojnë format administrative të përkujdesjes ndaj kulturës dhe zhvillimit të saj. Nuk i njoh shumë këto forma, por nga përvoja e zhvillimeve pas luftës, shoh se shumë nga veprimet bëhen ad-hoc, apo falë bërrylave. Varësisht kush (dhe me çfarë force) i shtyn bërrylat përfitohen edhe favoret. Meqë natyra e përgjigjeve duhet t’iu përshtatet hapësirë në faqe gazete, është e pamundur të bëhet një vlerësim i gjerësishëm në këtë pyetje.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Për dje kam mjaft shembuj të mirë. E them këtë i rrezikuar nga rojet e mjegullave që do të më thonë se jam nostalgjik. Sidoqoftë, dikur ekzistonte një rregull dhe përgjegjësi e atyre që merreshin me rregulla. Sot nuk është si dje, e nesër me siguri nuk do të jetë si sot.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura Guernica e Pablo Picasso-s, poezia e Charles Bukovskit: Kështu pra, do të bëhesh shkrimtar, filmi Kazablanka i Michael Curtiz me kolosët Humphrey Bogard e Ingrid Bergman.

Më Shumë

Mbi 7 mijë kosovarë shkuan në Shqipëri në orët e hershme të së shtunës

Kjo e shtunë ka nisur me një fluks automjetesh në pikën kufitare të Morinës. Shumë qytetarë kanë zgjedhur të udhëtojnë nga Kosova drejtë Shqipërisë, duke...

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Lajmet e Fundit