7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Zvogëlimi i numrit të studentëve në UP vlerësohet pozitivisht

Edhe pse më shumë se 17 mijë maturantë e kanë kaluar me sukses testin e maturës shtetërore në afatin e parë këtë vit, më shumë se gjysma prej tyre nuk do të mund të bëhen pjesë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pasi këtë vit akademik UP-ja do të pranojë vetëm 7,880 studentë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), me kërkesë të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka marrë vendim që në vitin akademik 2015/2016, në universitet të pranohen vetëm 7,880 studentë, shifër kjo më e ulët për rreth 4,000 studentë se në vitet e mëparshme, shkurtim ky që do t’ua pamundësojë studimet në këtë universitet rreth 10 mijë maturantëve që kanë kaluar testin e maturës.

Vendimi për zvogëlim të numrit të studentëve fillestarë arsyetohet me nevojat e tregut të punës dhe me nevojën për cilësi më të lartë në studime, vendim të cilin e mbështesin edhe profesorët e UP-së, sipas të cilëve, vetëm kështu studentët do të jenë më të përkushtuar në studime.

Musa Limani, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës ka thënë për KosovaLive se vendimi për zvogëlimin e numrit të studentëve është i duhur, pasi që një gjë e tillë mundëson që profesori të ketë hapësirë më të madhe të zhvillojë ligjërata interaktive me studentët.

Sipas tij, zvogëlimi i numrit të atyre që pranohen në UP, bën që kontaktet e profesorëve me studentët në ligjërata dhe gjatë ushtrimeve të jenë më produktive, se sa me një numër më të madh të studentëve siç ishte viteve të kaluara.

“Tek ne ka mungesë të vendeve të punës dhe njerëzit kanë nevojë që të regjistrohen në fakultet dhe të vazhdojnë studimet, gjë që është më mirë se sa të rinjtë të shëtitën rrugëve, mirëpo ne kemi njerëz me diploma shumë më tepër se që ka nevojë shoqëria dhe ekonomia e Kosovës. Shembull, në Fakultetin Ekonomik vetëm në Prishtinë çdo vit regjistrohen 2-3 mijë studentë apo më shumë, plus në universitetet private, e do të thotë se është një numër jashtëzakonisht i madh i studentëve dhe gjithë këta nuk kanë ku të punësohen në të ardhmen”, ka vlerësuar Limani, duke shtuar se megjithatë më mirë që studentët të kenë diploma se sa të shëtitën rrugëve.

Limani duke parë interesimin e madh të të rinjve për të studiuar në degën e ekonomisë, ka sugjeruar që Qeveria të bëj një planifikim dhe të orientoj studentët në ato drejtime ku mund të gjejnë punësim më lehtë, sepse sipas tij, kushtet e ekonomisë së tregut i orientojnë studentët më shumë në fakultetin ekonomik.

“Qeveria duhet t’i drejtojë studentët në fakultetet e shkencave ekzakte ku kemi mangësi të studentëve, andaj edhe duhet të bëhet një planifikim, sepse Kosovës i duhen edhe profile tjera përveç ekonomistëve dhe juristëve”, ka përfunduar ai.

Vendimin e MASHT-it për zvogëlimin e numrit të studentëve për 4 mijë e shohin pozitiv edhe prindërit. Hajdar Mustafa, djali i të cilit është pranuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës shprehet optimist se numri më i vogël i studentëve do të bëjë që kuadrot që dalin nga UP-ja të jenë më të përgatitura se sa në të kaluarën.

“Ndonëse shumë të rinjve që janë të interesuar të studiojnë nuk do t’iu mundësohet një gjë e tillë, prap mendoj se ky vendim do t’i shërbejë vendit për të mirë, sepse profesorët do të kenë më shumë përkushtim dhe vullnet që të punojnë me numër më të vogël të studentëve”, ka thënë ai, duke shtuar se sa më shumë studentë që vijojnë ligjëratat në një sallë, është aq më e pamundur që të kuptohet diçka nga studimet.

Edhe studentja, A.R., thotë se është vendim i duhur i senatit për zvogëlimin e numrit të studentëve të pranuar në UP, për shkak se do të ndikojë edhe në cilësinë e të diplomuarve.

“Ka shumë të rinj që shkollën e mesme e kryejnë me sukses të shkëlqyeshëm, por nuk mund të regjistrohen në fakultet për shkaqe të ndryshme, apo edhe mos dhënies së testit të maturës. Mirëpo, reduktimi i numrit të studentëve është i arsyeshëm, sepse jo të gjithë aplikuesit në një degë të caktuar kanë cilësi të larta për t’u diplomuar. Mendoj se do të ishte mirë që të bëhej një ndarje, apo klasifikim pas kryerjes së shkollës së mesme se cilët janë për studime, e cilët janë për shkolla profesionale”, thotë ajo.

Rikujtojmë se këtë vit akademik këtë vit Fakulteti Filozofik do të regjistrojë 540 studentë (150 më pak se vitin e kaluar); Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore 595 studentë (70 më pak); Fakulteti i Filologjisë 640 studentë (45 më pak); Fakulteti Juridik 900 studentë (apo 100 më pak); Fakulteti Ekonomik 1,380 studentë (170 më pak); Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 330 studentë (20 më shumë); Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 500 studentë (80 më shumë); Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike do të regjistrojë 605 studentë të rregullt (45 më shumë).

Në Fakultetin e Mjekësisë këtë vit do të pranohen 365 studentë (55 më pak); Fakulteti i Arteve do të regjistrojë 175 studentë (39 më pak); Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë 700 studentë (45 më shumë); Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit 140 studentë (10 më shumë) dhe Fakulteti Edukimit do të regjistrojë 460 studentë (140 më pak).

Shifrat në universitetet e tjera publike të Kosovës janë këto: Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj do të regjistrojë 550 studentë; Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë 2,203 studentë; Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren 2,115 studentë; Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan 1,515 studentë; Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë 560 studentë dhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrojë 1,242 studentë. /KosovaLive/

Më Shumë

Përkujtohet dëshmori Ismajl Kryeziu

Të enjten është përkujtuar në 25 vjetorin e rënies heroike, dëshmori Ismajl Kryeziu. Në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Ismajl Kryeziu, është përkujtuar...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit