12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Kur emri bëhet art

Shtatë shkronjat e emrit të saj ai i kishte të fshehura në gjoks. I ruante si një thesar antik, me frikën mos t’ia rrëmbente periudha e re. Kishte kohë që para të tjerëve nuk e hiqte këmishën e zezë nga trupi, ose nuk e shpërthente deri në kopsën e fundit kur dielli i nxehtë i gushtit ia shpallte dyluftimin. Për të gjithë, ai dukej ndryshe pas ditës së nëntëmbëdhjetë shkurtit, por kurrë më parë nuk ia kishin pohuar në sy se në atë trup mitologjik, ai do të ishte i zoti ta mbante emrin e një femre dhe në zemër dashurinë e saj të pashtershme.

A-në, shkronjën e parë të emrit të saj, ai e kishte vizatuar me një të kuqe epshndjellëse, ashtu si faqet dhe buzët e saj të fryra. Atij ia kujtonte atë, femrën e zemrës, ndërsa asaj, inicialin e Adamit, burrit të parë në botën e përtejme, por, të pa denjë për të.

Që në takimin e parë të dy u betuan të mëkatonin në sy të botës dhe të mos mbanin llogari se ç’do të thoshin të tjerët, kur në ahma netësh pa hënë gratë do t’i krahasonin me ditët e tyre, apo atëherë kur të tjerë do t’ua adhuronin dashurinë (ç)njerëzore. U betuan që ta harronin të djeshmen dhe, edhe atëherë kur të dy duhej ta mendonin të nesërmen, pasi ai ta kishte të plotë emrin e saj, ta kishin në mendje vetëm të sotmen e dashurisë së tyre.
Në takimin e dytë, në agun e së nesërmes, kur ai në gjoks me ngjyrë të zezë e bëri N-në, shkronjën e dytë të emrit të saj, ajo ia lexonte vargjet e fundit shkruar për të, për t’ia kujtuar se vazhdonin të mëkatonin dhe jashtë dhomës me numër 527 silleshin sikur s’bënin gjë. Sa më shumë që orët i kalonin së bashku, aq më shumë e dashuronin njëri-tjetrin. Vidhnin nga zemrat e çmendura nën këmisha nate dhe e shtonin jetën e shkurtit me ditë, e kur ai të nesërmen ta ndryshonte emrin në një muaj tjetër, ata ashtu zëshëm, siç pohonin dashurinë, ta pohonin edhe zgjatjen e muajit të tyre.

Kur në ditën e tretë, bashkë me shkronjën I, mbi të cilën në vend të pikës kishte vënë një zemër të kuqe, ai kishte bërë edhe shkronjën L, ajo nuk dinte gjë. Kurrë nuk e kishte menduar se ai do të përpiqej aq shumë, që edhe pa u mbushur shtatë ditët, ta shkruante emrin e plotë, dhe e diela, që ishte ditë pushimi që nga krijimi i botës, për to të ishte ditë kurorëzimi. Frymonin në një trup. Tashmë me padurim prisnin të kalonin çastet e ndarjeve dhe me vargje e piktura të reja të dilnin përballë njëri-tjetrit. Gjithçka ndryshonte, vetëm dashuria e tyre mbetej e njëjtë. Mëngjeset i gdhinin me ëndrra të reja, me të cilat do ta shtonin jetën e dashurisë së tyre, dashurisë brenda artit (poezisë dhe pikturës).

Në të katërtin mëngjes, ai priti ardhjen e saj, që edhe ajo ta shihte se si po me atë të kuqe epshndjellëse do ta vizatonte mbi gjoks shkronjën E, shkronjë me të cilën fillonte emri i Evës, por, ai nuk donte kurrë që femra e tij e zemrës ta kishte djallëzinë e gruas së parë tokësore. Ajo me dorën e vet i ndihmoi ta bënte atë, ngase ishte e bindur se vetëm atë shkronjë mund ta lakonte më shumë (ashtu siç lakohen në morfologji emrat dhe mbiemrat) se tjerat, e ai nuk do ta kundërshtonte në asnjë mënyrë.

Kur ai duhej ta vinte mbi gjoksin mitologjik shkronjën D, ajo kishte veshur fustanin më të hollë me ngjyrë të kuqe dhe e kishte lutur që ai atë shkronjë ta bënte me të zezën e korbit. I mjaftonte fustani, buzët, çarçafi i krevatit, piktura në mur e vera mbi tavolinë të ishin me atë ngjyrë, dhe ai e dëgjoi, siç bënte gjithmonë. As në krijimin e botës nuk ishte bërë një punë kaq e shpejtë.

Ai vazhdonte që vetëm para saj ta nxirrte këmishën teksa ajo me hare në fytyrë ia lexonte vargjet e reja, sepse i pëlqente kur ai ndonjëherë e quante Safo moderne. Jetonin brenda artit. Me të, përpos që dashurisë ia shtonin jetën, emrave u vinin epitete. Jetonin ndryshe nga të tjerët.

Në ditën e gjashtë, artit të tyre po i vinte fundi. Ajo po përjetonte çastet më të lumtura, aq shumë saqë edhe Evës kërkonte t’ia merrte fronin dhe bota të dihej se kishte filluar me jetë, që kur arti i saj do të kishte soditës, e ai, A-në e fundit do ta bënte sërish me të kuqe epshndjellëse.

Për të po përfundonte një proces krijues, ndërsa ai do ta fillonte të nesërmen e re me emrin e saj të plotë mbi gjoks: ANILEDA! Një emër ndryshe nga ç’kishte dëgjuar deri në moshën njëzetedy vjeçare. Ndryshe për artin, për botën, për femrat dhe për dashurinë. Ndryshe edhe për njerëzit e parë të dënuar për të jetuar në tokë.

Për gjashtë ditë ai arriti që emrin e saj ta bënte art, e kur me dëshirën se në ditën e shtatë do ta kurorëzonin dashurinë e tyre u zgjua më herët për ta pritur, ajo nuk i erdhi më. Ai ishte gabuar. Kishte shpejtuar për ta ndërtuar dashurinë brenda gjashtë ditëve. Për të nuk mësoi nëse qe larguar nga qyteti, nëse kishte nisur jetën si një poete e re, apo edhe nëse ndonjë tjetër kishte tunduar aq shumë, sa edhe ai tjetri t’ia shkruante emrin mbi gjoks e më pas të vuante për largimin e saj.

Shkroi – Adelina XHAFERI

Më Shumë

Sara Gjordeni shtatzënë- Reagon për herë të parë Bardhi

Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmin e konfirmoi vetë dyshja përmes një postimi në rrjetet sociale. Ishte ish-banorja e...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit