9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

7000 qytetarë pastrojnë Suharekën

Me moton “Vendi ynë, Shtëpia Jonë, Shëndeti Ynë – Përgjegjësi e Jona”, komuna e Suharekës ka zhvilluar sot aksione për pastrimin e rrugëve kryesore dhe lokale dhe shesheve e hapësirave publike në të gjithë territorin e komunës.

Komuna e Suharekës ka njoftuar se në bazë të të dhënave të Këshillit Organizativ, në aksionin për pastrim kanë marrë pjesë mbi 7000 qytetarë- nxënës, punëtorë, sportistë, artistë, pjesëtarë të policisë, FSK-së, punëtorë shëndetësorë, përfaqësues të shoqërisë civile, kompani private.

Pjesë e aksionit të pastrimit kanë qenë edhe katër familje amerikane të cilat jetojnë në Kosovë.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj dhe kryetari i komunës së Suharekës Bali Muharremaj.

Ata së bashku me nxënësit e gjimnazit “Jeta e Re” kanë hequr mbeturinat në skajin e rrugës magjistrale Prishtinë – Prizren.

Ministrja Reshitaj në një konferencë për media ka thënë se do të insistojë që ky aksion të zhvillohet edhe në komunat tjera.

“Kjo çka po bëhet sot në Suharekë, do të ishte mirë të bëhej në të gjitha komunat e Kosovës. Unë do të insistoj që ky aksion të zhvillohet kudo”, tha Reshitaj.

Ndërsa kryetari i komunës Bali Muharremaj ka thënë se do të zbatojë në vepër premtimin e tij.

“Theranda ime do të jetë vendi më i bukur në Kosovë”, tha Muharremaj.

Sipas njoftimit të komunës, deri më tani janë pastruar fshati Gelanc, pjesa e magjistrales Suharekë- Qafë e Duhlës- Prishtinë, fshati Samadrexhë, rruga Suharekë deri te Pusi i Atit dhe fshati Mohlan.

Gjatë aksionit kundër mbeturinave të nisur dje në Suharekë janë larguar 800 tonë mbeturina.

Më Shumë

Lajmet e Fundit