13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

AAK në Rahovec: Ja dështimet e Idriz Vehapit

AAK-logo5-24Aleanca për Ardhmërin e Kosovës(AAK) në Rahovec, e ka vlerësuar të dështuar 100 ditëshin e punës së kryetarit të Komunës, Idriz Vehapit. Sipas AAK-së, Vehapi e ka nisur mbrapshtë dhe me shkelje qeverisjen në Rahovec

“Që në ditët e para të punës ,Vehapi e nisi me shkelje dhe anashkalim të strukturave komunale”, thuhet në vlerësimin e AAK-së.
“Formoi komision për dekorim të qytetit për festat e fundvitit. Në këtë komision vendosi pothuajse tërë kryesinë e degës së PDK-së, duke anashkaluar strukturat legjitime të administratës komunale. Presim të shohim faturën e këtij “shpenzimi” të madh që bënë për dekorim të qytetit. Nëse do të ketë ndonjëherë transparencë”

“Shkeljet dhe ngecjet janë pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës PDK-LDK. Ka punësime pa konkurs të njerëzve të afërt me kryetarin, siç është rasti i punësimit në sh.m. “Xhelal Hajda-Toni” të Neki Sylejmanit, i padiplomuar dhe vëlla i drejtorit aktual të Financave Lulzim Sylejmanit, ka fakte të rritjes pa kriter të numrit të të punësuarve në administratën komunale(ka premtuar se nuk do të ndodhë), qoftë përmes tendencës për shtim të drejtorive (përpjekja për ndryshim-plotësime të statutit të komunës, qoftë duke nëshkruar kontrata mbi vepër. Ironia qëndron, se ai ankohet për borxhe, ndërkohë që shpenzon pa kuptim buxhetin. Rregulli në adminsitatë është prishur nga tollovitë e shumta dhe pritjet e gjata, me një javë e më shumë, të qytetarëve të shumtë që presin shërbime nga komuna. Kështu nuk ka ndodhur në qeverinë e kaluar”.

“Vonesa në formimin e strukturës qeverisëse më shumë se dy muaj, që për pasojë solli mungesë të një qasje më serioze ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe boshllëk në qeverisjen komunale. Ndërsa përbërja e qeverisë komunale, me disa përjashtime, u ndërtua me njerëz të konsumuar dhe me dëshmi për qeverisje të keqe paraprake. Vonesa nuk solli frymë pune, nuk solli ndonjë të re. Ne si AAK nuk do të vonoheshim aspak në emërimin e stafit”.
“Qeverisjen e tij z. Vehapi, e nisi me vajtime e ankesa se gjoja ka trashëguar borxhe të mëdha, që për pasojë sjellin edhe pamundësinë e realizimit të premtimeve të tij. Kjo alibi nuk e amniston atë nga mungesa e një plani të mirëfilltë qeverisës dhe mungesa e platformës qeverisëse. Na kujtohet se sa fort i binte telit për ndryshimet dhe zhvillimet që do të ndodhin në Rahovec, për Rahovecin Evropian”

“Kjo përbërje qeverisëse edhe sot e kësaj dite nuk ka as plan pune, as platformë dhe as një vizion afatshkurtër e afatmesëm”

” Premtimet megalomane të dhëna gjatë fushatës nuk do të mund të realizohen, ndërsa krejt kjo rezulton me një mashtrim të madh publik ndaj zgjedhësve dhe zhgënjim për qytetarët..”
“Fushata e kryetarit aktual të komunës kundër ish kryetarit më të suksesshëm që ka pasur komuna e Rahovecit ndonjëherë Smajl Latifi, po vazhdon ende dhe ajo vetëm sa vjen e intensifikohet në prag të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme”

“Goditja e radhës ishte rikthimi i qarkullimit rrugor në qytet në dy drejtime. Kjo e nxitur dhe e sponsorizuar nga dy-tre biznesmenë të afërt me PDK-në. Ndonëse u improvizua një debat publik, ku kishte vetëm anëtarë dhe simpatizantë të partisë dhe nuk pati njoftim publik për këtë debat me qytetarë. Rikthimi i qarkullimit në dy drejtime, si duket u motivua nga ndjenja e “hakmarrjes” banale të kryetarit Vehapi ndaj Smajl Latifit, duke mos u mjaftuar me ofendimet publike që ia bëri gjatë debateve televizive. Në anën tjetër me këtë veprim është rrezikuar seriozisht të dëmtohet investimi i Komisionit Evropian, si dhe duke rrezikuar bashkëpunimin dhe partneritetin në të ardhmen me këtë donator të rëndësishëm”.

“Në këtë vazhdë, kryetari Vehapi formoi një komision për verifikim të të punësuarve në kohën sa ishte kryetar Smajl Latifi. Ky komision kishte për detyrë të hapë dosjet e punëtorëve dhe të verifikojë mënyrën e punësimit, duke synuar të gjejë ndonjë zbrazëti procedurale për të pastruar administratën nga njerëz që nuk janë të dëgjueshëm dhe që nuk janë kuadër i PDK-së. Komisioni në vete përmban anëtarë që po ashtu janë punësuar në këtë periudhë dhe që kanë pasur ankesa e vërejtje, duke shfaqur kështu hapur konflikt interesi. Në anën tjetër komisioni në fjalë është joligjor, sepse dosjet personale të punëtorëve nuk lejohet të hapen siç dëshiron dhe kur dëshiron dikush. Por, me sa duket ky komision ka hasur në gjëra që kryetari Vehapi dhe vartësit e tij nuk do të dëshironin t’i dinin. Me sa duket dosjet e shërbyesve civil para kohës së Smajl Latifit kanë mangësi të theksuara dhe me elemente kriminale, pasi që shumë punëtorë kanë qenë të pranuar në punë pa konkurs dhe me referenca vetëm të PDK-së. Por të shohim çfarë do të nxjerrë hetimi i inkompetent dhe krejtësisht tendencioz i kryetarit Idriz Vehapi.”

“Verbimi para realitetit pozitiv që është krijuar me investime të shumta në tërë komunën, është dëshmia më e mirë e qasjes joracionale dhe politikës së nxitjes së urrejtjes e mosdurimit ndërmjet njerëzve që mendojnë ndryshe nga kryetari Vehapi dhe partia e tij”.
” Ai vazhdon të mos pranojë se në më pak se tri vite qeverisje të AAK-së me kryetar Smajl Latifin, janë realizuar numër i konsiderueshëm i projekteve në çdo cep të komunës”
10. Shihet qartë se Kryetari aktual Z.Vehapi nuk ka ndonje alternativë të mirfillte qeverisëse si dhe nuk ka nje program rreth qeverisjes, pasi që kaluan 100 ditë dhe në çdo intervistë të tij mirret me “borxhet” e nuk mirret me punë, besoj se nuk duhet lënë në harresë edhe premtimin e kryeministrit Thaçi për 60 milionë eurot për Rahovecin.

” Për këto 100 ditë nuk ka asnjë projekt të ri konkret, madje nuk po vazhdojnë së realizuari as ato që janë me kontratë.në qytetin mbi 15 mijë banorësh, kur dihet se rreth 5200 vota i ka PDK-ja në qytet (nuk po i vazhdon punimet në shumë projekte që janë të kontraktuara), mos të flasim për fshatrat, ku nuk ka ndonjë punë konkrete, përveç në 3-4 projekte që janë vazhdimësi e realizimit të pjesshëm të projekteve të kontraktuara nga qeveria e kaluar. Faktet flasin, se edhe aty ku punohet ka deformim të projekteve dhe ndryshim pozicionesh. (Rahovec- deformim i projektit në Lumin Duhllo, punë ende nuk ka, në Ratkoc-deformim i projektit, heqje e trotuareve etj”

“Ekspozimi i emrave të individëve dëshmon më së miri se kjo qeveri komunale synim parësor ka afirmimin individual, ndërsa qytetari shihet vetëm si votë në shërbim të partisë. Prandaj edhe investimet e pakta aktualisht janë duke u orientuar pikërisht në zonat ku PDK ka marr më së shumti vota”

” Koalicioni aktual qeverisës PDK-LDK, e kuptuan gabimin e rëndë që kishin bërë duke mos e miratuar buxhetin komunal në Kuvend në shtator 2013, me ç’rast i dëmtuan interesat e qytetarëve për 637 mijë euro. Për këtë u kujtuan vetëm pasi e panë se projektet realizohen vetëm me para dhe jo duke i bllokuar proceset pozitive”.

“Kuvendi Komunal i udhëhequr nga një përfitues dhe person i papërgjegjshëm politik, e ka nisur punën me shkelje të rënda ligjore.

“Kuvendi i Komunës formoi Komitetin për Politikë e Financa pa përfillur përfaqësimin gjinor, ndërsa anëtar i këtij Komiteti u zgjodh njeriu që nuk ishte as anëtar i Kuvendit (Labinot Berisha). Për këtë OJQ-të që e monitorojnë punën e Kuvendit bënë vërejtje publike, duke e cilësuar Kuvendin dhe Qeverinë komunale “kampion të shkeljeve ligjore” që në start. Mirëpo, shqetëson fakti se as MAPL nuk reagoi për të kundërshtuar këto shkelje ligjore dhe mosrespektim të kuotës gjinore”

“Tashmë i ndodhur në kurthin që i kanë ngritur më parë bashkëpartiakët e tij dhe të koalicionit të interesave personale e grupore (PDK-LDK), z. Vehapi e ka humbur rrugën në oborr. Me këtë ecuri nuk pritet ndonjë ndryshim pozitiv, duke u marrë me të kaluarën dhe duke mos pasur ide e vizion për të ardhmen, do të ketë ngecje të vazhdueshme në përmbushjen e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve”.

“Që nga formimi, Qeveria komunale nuk ka mbajtur asnjë mbledhje publike (të hapur) dhe nuk ka raportuar për shpenzimin e parasë publike, ashtu siç e parasheh ligji. Mungon raporti tremujor i shpenzimeve”.

“Kryetari i ka gënjyer publikisht qytetarët se është banor i fshatit Zatriq, ku edhe jeton aktualisht, ndërsa e vërteta është se ai udhëton Prishtinë-Rahovec çdo ditë, madje edhe fundjavës në aktivitete partiake, me veturë zyrtare duke e dëmtuar buxhetin komunal për më së paku 40 euro në ditë, duke udhëtuar më shumë se 130 km ardhje-vajtje. Nëse llogariten shpenzimet javore, mujore e vjetore, atëherë dëmi është i konsiderushëm. Mirëpo, kryetari duhet të kërkojë falje publike për gënjeshtrën publike, pasi që edhe vetë e ka pohuar në një intervistë (Rahovecpress) se jeton në Prishtinë. Presim reflektim të kryetarit në këto çështje dhe shqetësime të ngritura”.

“Nga ajo që shihet del se, në kom,unën e Rahovecit mungojnë ndryshimet pozitive, ka jofunksionalitet në administratën komunale, mungesë transparence, qeveria dhe kryetari Vehapi nuk ka plan qeverisës, ka plogështi të theksuar, joprofesionalizëm, ngecje të mëdha në realizimin e projekteve dhe shkelje të shumta ligjore. Në qeverisjen 100- ditshe nuk u pa se po punohet diçka konkretisht në shërbim dhe në interes të qytetarëve”.

“Dega e AAK-së i bën thirrje kryetarit Vehapi dhe partnerit të koalicionit (LDK) që të merren me çështjet jetike të qytetarëve dhe të mos hakmerren ndaj shërbyesve civil, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për përmbushje të premtimeve megalomane, si dhe të kujdesen më shumë për mirëqenien e qytetarëve dhe jo të anëtarëve e simpatizantëve të tyre. Nëse vazhdohet me këtë ecuri, atëherë do të kemi degradim fatkeq të qeverisjes komunale, cenim të demokracisë dhe ngecje socio-ekonomike”/PrizrenPress.com/

Më Shumë

Sot luhen dy ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, kryepërballja në Paris

Sot do të zhvillohen dy ndeshje në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Kryepërballja kryesore e natës së mërkurës pritet të jetë ajo në...

Fondacioni Golden Eagle ndan 10 mijë Euro për trajtimin mjeksor të ish-ushtarit të UÇK-së Bajram Bajselmani

Fondacioni Golden Eagle ka ndarë 10 mijë Euro për trajtimin mjeksor të ish-ushtarit të UÇK-së, Bajram Bajselmani. Ky akt bujar nga Fondacioni Golden Eagle shkon përtej vetëm dhënies...

Lajmet e Fundit