8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Apeli vërteton pafajësinë e ish-kreut të OSHP-së, Hysni Hoxha dhe dy të tjerëve

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në rastin ndaj ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha si dhe të akuzuarve tjerë, Hysni Muhadri e Arsim Robelli.

Gjykata e shkallës së dytë, e ka vërtetuar kështu, aktgjykimin e 27 nëntorit të vitit të kaluar, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo gjykatë e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-kreun e OSHP-së, Hysni Hoxha.

Bashkë me Hoxhën, nga akuza e njëjtë ishte liruar edhe eksperti shqyrtues i OSHP-së, Hysni Muhadri, derisa gjithashtu nga akuza për falsifikim të dokumenteve është liruar edhe i akuzuari i tretë në këtë rast, kontabilisti i jashtëm i kompanisë “Conex”, Arsim Robelli.

Gjykata e Apelit ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për media, për aktgjykimin që ka marr në këtë rast.

“Sipas këtij aktgjykimi, H.H. dhe H.M. janë liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 422, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa A.R. për “Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje” nga neni 398, lidhur me nenin 31 të këtij kodi”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas kësaj gjykate, ky vendim ishte marrë pasi që gjykata e shkalles se parë kishte konstatuar, se më provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat janë akuzuar.

“Këtë konstatim e përkrah edhe Gjykata e Apelit, e cila po ashtu nuk gjen ndonjë shkelje nga ato që pretendohen në ankesën e prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Ndryshe, me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 nëntor, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kishte deklaruar se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale me të cilën akuzoheshin.

Të tre të akuzuarit, gjatë gjithë procesit gjyqësor kishin mohuar pretendimet e prokurorisë që ata i ngarkon me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe në rastin e të akuzuarit Robelli, me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkonte Hysni Hoxhën dhe Hysni Muhadrin për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e lartcekur e kishin kryer në qershor të vitit 2013, Hoxha në cilësi të kryetarit të OSHP-së dhe njëherësh kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së.
Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, pasi kompanisë së ndërtimit “Conex Group” me pronar Veton Fetahun, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.

Në këtë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, të njëjtët i kishte fshehur para dy panelistëve tjerë, të cilat kishin qenë të dhëna kruciale.

Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe kishte urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”. Lidhur me këtë, Muhadri, si ekspert i çështjes, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.

Në anën tjetër, aktakuza e ngarkon edhe Veton Fetahun, pronarin e “Conex Group” dhe Arsim Robellin, në cilësinë kontabilistit të jashtëm të kësaj kompanie. Këta akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka rezultuar me shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit në fjalë.
Po ashtu, Veton Fetahu ngarkohej me veprën penale “mashtrim”, e që sipas dispozitivit i njëjti ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para panelit në mënyrë që të fitoi tenderin.
Fetahu ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë lidhur me veprat penale për të cilat akuzohet, marrëveshje e cila do të vlejë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor.
Ndryshe, Hysni Hoxha ka qenë edhe në një rast tjetër i akuzuar nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Më 23 dhjetor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me tre vjet burgim lidhur me një tender në KOSST. Por, në korrik të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte liruar ish-shefin e OSHP-së nga kjo akuzë.

Në këtë rast, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkonte Hysni Hoxhën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi në cilësinë e kryetarit të OSHP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore i kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore. Sipas aktakuzës, Hoxha më 3 dhe 9 tetor 2014, kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik.

Konkretisht, kjo akuzë ishte ngritur lidhur me ankesat e konzorciumit “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) dhe OSSh”, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas prokurorisë, ishte paneli shqyrtues i OSHP-së në përbërje prej 5 anëtarëve. Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240.19 euro.

Më Shumë

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Parashikohet rënie e temperaturave në javën e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për javën e ardhshme parashihen ulje e temperaturave të vlerave ekstreme dhe reshje të shiut. E hëna...

Lajmet e Fundit