11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Arrestimet, hetimet e gjykimet spektakulare që përfunduan si fluskë sapuni

Shumë arrestime, hetime, madje edhe ngritje aktakuzash dhe gjykime maratonike që ndodhën dhe po ndodhin në Kosovë, shpeshherë me përmasa të aferave të mëdha spektakulare, pjesë e të cilave bëhen edhe mashtrime me spektakle mediale, përfundojnë si fluskë sapuni dhe shpejt harrohen sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Njohës të çështjeve të judikaturës dhe analistë të dukurive të ndryshme shoqërore me të cilat po ballafaqohet Kosova e pasluftës për më shumë se një dekadë e gjysmë këtë e ndërlidhin me mosfunksionimin e sistemit prokurorial e gjyqësor, respektivisht me kapjen e këtij sistemi nga grupe të interesit vendore e ndërkombëtare, të cilat më pastaj edhe më lehtë kapen çdo segment të asaj që në vendet tjera quhet sundim i ligjit dhe funksionim i shtetit ligjor.

Janë të shumta rastet e arrestimeve, hetimeve e gjykimeve spektakulare që u zhvilluan në Kosovë, sidomos lidhur me korrupsionin, si në kohën e UNMIK-ut, për të cilin në fund të mandatit të tij u tha se ishte një mekanizëm i korruptuar, si në kohën e EULEX-it, të cilit sa më shumë që po i ofrohet fundit të mandatit po i shpërthejnë skandale të brendshme që po ndërlidhen me skandale e aferat korruptive që e goditën Kosovën.

Vendorët e ndërkombëtarët, në lojën e përbashkët, i hedhin njëri tjetrit topin

Derisa një kohë të gjatë kur tentohej të amnistohej mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, udhëheqës vendorë shpeshherë topin e hidhnin te EULEX-i se ishte përgjegjësi e tij kjo apo ajo çështje, ndërsa tani duket sikur kanë ndërruar rregullat e lojës, EULEX-i çdo herë e më shumë tenton që topin ta hedh te vendorët, kur është fjala për mosluftimin e korrupsionit që është strumbullar i të gjitha të këqijave që po e godasin Kosovën.

Vetë shefi i Misionit evropian për sundimin e ligjit – EULEX, Gabriele Meucci, pak ditë më parë, duke provuar ta amnistojë EULEX-in për dështimin në luftimin e korrupsionit dhe fajin ta hedh te institucionet e Kosovës , tha se korrupsioni në Kosovë është një “epidemi që ka përfshirë vendin”, kurse EULEX-i qenka një “mjek që lufton epideminë”, sipas tij, i pafuqishëm pasi epideminë po e shkaktuaka dikush tjetër.

Mirëpo, po të analizohet mirë roli dhe qëllimi i këtij misioni në Kosovë, nuk mund të thuhet se ky mision në Kosovë kishte ardhur vetëm si “mjek”, por si një sistem i tërësishëm shëndetësor për ta “shëruar drejtësinë” dhe duhej të vepronte edhe në mënyrë preventive jo vetë kuruese.

Shefi i EULEX-t, në një editorial të tij, të botuar dje në mediat kosovare, e ka pranuar se EULEX-i nuk arritur objektivat në luftën kundër korrupsionit.

“Ne ende nuk i kemi arritur objektivat tona në luftën kundër korrupsionit. Ne nuk kemi qenë në gjendje që në mënyrë të mjaftueshme të gjurmojmë aktivitetet tona gjyqësore, dhe kjo e ka vështirësuar vlerësimin e performancës dhe ofrimin e statistikave”, ka shkruar Meucci në atë editorial.

Ndonëse tema që po e trajtojmë nuk ndërlidhet vetëm me EULEX-in, e përmendëm pak më shumë këtë mision, ngase pritjet e popullatës kosovare nga ai kanë qenë shumë më të mëdha se sa nga UNMIK-u, ndërsa përpjekjet tona për të siguruar ndonjë prononcim nga zyrtarë të EULEX-it ishin të pasuksesshme.

Çdo herë nga zyrtarë të EULEX-it morëm arsyetimin gati të njëjtë se “kjo është çështje e brendshme dhe se është duke u hetuar”.

Opinioni kosovar nuk mund t’i harrojë disa nga arrestimet, hetimet e gjykimet spektakulare

Arrestimet, hetimet e gjykimet spektakulare kundër luftimit të korrupsionit në Kosovë, brenda një dekade e gjysmë, nuk ishin të pakta, por duket se qëllimi i vërtetë i shumicës prej tyre ishte vetëm për të krijuar një spektakël medial se kinse po luftohet korrupsioni, ose për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga ndonjë aferë tjetër korruptive.

Opinionit kosovar nuk mund të mos i kujtohet mënyra e arrestimit, tejet spektakulare, e ish-ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, e ish- guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi dhe e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani”, pastaj të 10 zyrtarëve të Komunës së Prishtinës”, si dhe i arrestimit të disa asistentëve, mjekëve e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetin e Prishtinës.

Janë këto vetëm disa nga rastet që kanë bërë bujë nëpër media, jo vetëm për shkak të forcës policore të përdorur në ato arrestime, por edhe për shkak të vetë sinjaleve që ekzekutuesit i kanë dërguar paraprakisht në media. Këto raste që kishin përmasa të spektakleve mediale, duket t’ia kanë arritur qëllimit që kishin që siç thotë populli që “mishi të piqet e helli të mos digjet”.

Njësoj mund të trajtohen edhe informatat e publikuara në mediat kosovare se “Antikorrupsioni heton 59 gjyqtarë dhe 24 prokurorë”, “EULEX-i heton ambasadorin Ahmet Shala”,“Hetohet Enver Hasani gjatë kohës kur ishte rektor i UP-së”, “Antikorrupsioni nis hetimet për tenderin 1.5 milionësh”, etj.

Në stil të njëjtë vazhdohet edhe kur është fjala për aktakuza si ajo kur EULEX ngre aktakuzë për korrupsion ndaj 8 gjyqtarëve, aktakuza kundër ish-ministrave, Astrit Haraqia dhe Valton Beqiri, aktakuza kundër ish-kreut të Taskforcës Anti-Korrupsion brenda Prokurorisë Speciale, Nazmi Mustafi, aktakuza ndaj drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka, aktakuza nga EULEX-i ndaj ish-drejtorit të PTK-së, Shyqri Haxha”, etj.

Spektaklet e tilla mediale duket se filluan me Ministrinë e Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe ministrin e saj, Fatmir Limaj, më 28 prill 2010. Policia e EULEX-it atë ditë bastisi zyrat e asaj ministrie dhe shtëpinë e ministrit Limaj, siç ishte thënë atëherë me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special. Odisejada e hetimeve, aktakuzave e gjykimeve, ndaj Limajt për krim të organizuar dhe korrupsion, nuk ka përfunduar as gati pas plotë pesë vjetëve.

Por, arrestimi më spektakular deri me tani mbetet ai i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, më 23.07.2010 dhe ky spektakël në të cilin ishte e përfshirë policia, hetuesia dhe gjyqësia kosovare dhe ajo e EULEX-it zgjati deri më 15 dhjetor 2011, kur Rexhepin e shpalli të pafajshëm Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Atë kohë në një proces gjyqësor të kryesuar nga gjykatës të EULEX-it hodhën poshtë akuzat e ngritura kundër ish-guvernatorit, të cilat përfshinin veprat penale si: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, ushtrim ndikimi dhe mashtrim.

Kapitull në vete është edhe arratisja e të akuzuarve apo e të dënuarve, si rasti i Leme Xhemës, ish-drejtore e PTK-së dhe rasti i Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut dhe Ministria e Drejtësisë, e ministri i saj, as që janë arsyetuar se pse organet përgjegjëse janë të paqasshme te këta persona.

Kishte dhe ka mungesë serioziteti në punën e sistemit të drejtësisë

Eksperti i çështjeve juridike, Riza Smaka, thotë për KosovaLive se fakti që në Kosovë disa arrestime, hetime dhe ngritje aktakuzash marrin përmasa të një spektakli medial, është mungesë serioziteti e këtyre organeve për ta kryer si duhet punën e tyre.

“Ka shumë faktorë por ndër të tjera këtu reflektohet mungesa e seriozitetit e organeve të hetuesisë që ndërmarrin aksione të njëmendta dhe aksionet e tyre, që janë kontradiktore me qëllimin, prezantohen si aksione spektakulare. Në Kosovë korrupsioni ka kapluar të gjitha strukturat publike, institucionet publike dhe si i tillë paralizon aksionet e caktuara kundër individëve të caktuar dhe këto janë dy rrethana që janë me të vërtetë të pahijshme, të dhimbshme dhe që e pengojnë luftimin kundër dukurive negative.

Arrestimi duhet të jetë serioz, ta ruaj dinjitetin e personit, sepse i pandehuri nuk është fajtor kurrë derisa nuk përcaktohet përfundimisht në gjykatë. Prandaj, organet e ndjekjes duhet ta kenë këtë parasysh, sepse duhet të ruhet autoriteti dhe integriteti i personit pa marrë parasysh kush është ai. Krijimi i spektaklit medial me rastin e ndonjë arrestimi, është në kundërshtim me parimet e përmendura më lart. Shteti ligjor preferon që persona të caktuar të arrestohen në mënyrë më konfidente, sepse jo rrallë ndodh që i pandehuri të dalë i pafajshëm.

Çdo situatë ndryshe e arrestimit të personave të këtillë, e dëmtojnë edhe prestigjin e shtetit ligjor. Mënyra spektakulare e arrestimit të një personi të caktuar është atak mbi personalitetin dhe integritetin e tij, sepse pavarësisht epilogut se ai mund të dalë i pafajshëm është i vështirë rehabilitimi i tij para opinionit”, vlerëson Smaka.

Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu, ka pohuar për KosovaLive se arrestimet, hetimet e gjykimet në raste të tilla nuk duhet të marrin përmasa të spektakleve mediave, pasi sipas tij, këto janë raste të ndjeshme dhe në shumë prej tyre rezultojnë edhe me pafajësinë e personave të caktuar.

“Dyshimet dhe eventualisht arrestimet që bëhen si ndalimi 48 orë ose caktimi i paraburgimit e të ngjashme nuk duhet të kenë atë formën e një spektakli medial për shkak se janë çështje të ndjeshme.

Kjo për faktin se jo vetëm tek ne, por edhe në shtetet perëndimore, disa prej këtyre veprimeve me të cilat merren policia, prokuroria mund të rezultojnë me pafajësinë e tërësishme të njerëzve.

Për këtë arsye duhet të kihet kujdes që mos të bëhen këto çështje sensacionale e mediale, por të bëhen në mënyrë diskrete dhe në mënyrë zyrtare, ashtu siç parashihet dhe siç duhet të veprohet në sistemin juridik të shtetit ligjor”, vlerësoi Salihu.

Ata që duhet të ndiqen, asnjëherë nuk janë ndjekur nga ky sistem i drejtësisë

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Betim Musliu, deklaron për KosovaLive se Kosova është ballafaquar me këso spektakle arrestimesh, hetimesh e gjykimesh për shkak se ata që duhet të ndiqen për të bëmat e tyre, asnjëherë nuk janë ndjekur nga ky sistem i drejtësisë.

Prandaj, veprimet e tilla me arrestime, hetime e gjykime të bëra me bujë, pa kurrfarë nevoje, kanë qenë gjykime publike, që u janë bërë individëve të caktuar, e jo fajtorëve të vërtetë.

Sipas tij, përderisa e kemi këtë gjendje në sistemin e drejtësisë, Kosova do të vazhdojë të prijë me shumë pika të zeza në të gjitha raportet ndërkombëtare.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi vazhdimisht ka ngritur shqetësime rreth spektakleve të panevojshme të krijuara nga organet e rendit dhe drejtësisë. Në Kosovë për fat të keq është ndërtuar një praktikë e mbrapshtë e zbatimit të ligjit nga këto institucione, të cilat bëjnë veprime dhe marrin vendime të cilat në asnjë rast nuk arrijnë t’i arsyetojnë.

Ky fat i funksionimit të brishtë të sistemit të drejtësisë, i cili vazhdimisht përmes spektakleve është munduar të tregojë se po e bën punën e vet, ka ndikuar në persekutimin publik të shumë qytetarëve në Republikën e Kosovës. Këto spektakle arrestimesh, të bëra me bujë, pa kurrfarë nevoje kanë ndikuar në gjykimin publik, i cili iu është bërë individëve të caktuar.

Drejtësia vepron me fakte dhe dëshmi dhe nuk duhet të veprojë me agjenda persekutimesh ndaj individëve apo kundërshtarëve të caktuar. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë juridike të qytetarëve, të cilët vazhdimisht ndihen të frikësuar se mund të përndiqen nga drejtësia, pavarësisht se ndaj tyre nuk rëndon asnjë shkelje. Në fakt, ata që duhet të ndiqen për të bëmat e tyre, asnjëherë nuk janë ndjekur nga ky sistem i drejtësisë”, thekson Musliu.

Subjekti parlamentar që më së shumti ka ngritur zërin kundër korrupsionit, respektivisht kundër kapjes së shtetit nga njerëzit e korruptuar, është Lëvizja Vetëvendosje!

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje! sa e sa herë kanë sinjalizuar se shteti fillon të kapet duke e kapur fillimisht sistemin e drejtësisë. Edhe në protestën gjithëpopullore të 18 prillit, të thirrur nga opozita e bashkuar, e cila u mbajt sipas një skenari të provuar edhe më herët të Lëvizjes Vetëvendosje! me aksione simbolike, një nga kërkesat ishte edhe shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje!, theksoi për KosovaLive se në mungesë të luftimit të korrupsionit në mënyrë konkrete dhe në mungesë të një lufte që jep rezultate, shpesh kemi parë spektakle mediale për arrestime e hetime, të cilat më pas janë mbyllur dhe harruar.

“Çfarë kemi parë deri tash, është që përkundër mekanizmave të shumtë shtetërorë që kemi, mungojnë rezultatet në luftimin e korrupsionit. Pas formimit të kaq shumë mekanizmave kjo mund të arsyetohet vetëm me mungesë të vullnetit politik për ta luftuar korrupsionin”, thotë Hyseni./Kosovalive/

Më Shumë

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Vjedhja e veturës në fshatin Damjan të Hasit: I mituri arrestohet pas aksidentit në Prizren

Një veturë është vjedhur mbrëmë në fshatin Damjan të Hasit tw Gjakovës. Pronari ka deklaruar se vetura ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Ajo...

Lajmet e Fundit