9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Asamblistët e Suharekës nuk i marrin në mbledhje iPAD-ët e blerë nga Komuna

Edhe pse në dhjetor të vitit të kaluar Komuna e Suharekës bleu iPAD-ë për të gjithë asamblistët në vlerën e 9 mijë e 920 eurove, ata nuk po i marrin këto mjete në mbledhjet e asamblesë.

Blerja e këtyre iPAD-ve qe arsyetuar me lehtësimin e punës së asamblistëve dhe komunikimin e tërësishëm elektronik mes tyre.

Por të mërkurën në mbledhjen e asamblesë komunale të Suharekës me iPAD kishte ardhur vetëm asamblistja e AAK-së Nadire Hoxha, ndërsa asamblistët kishin para vetes kopje të shtypura të materialeve për të cilat do të diskutohej në mbledhje.

Në këtë seancë të asamblesë iPAD-in nuk e kishte marrë as Leonard Shala, kuvendari komunal i “Vetëvendosjes” që në fillim kishte kundërshtuar pajisjen me këtë mjet, por më pas e kishte pranuar iPAD-in, duke ndryshuar qëndrim.

“Unë iPAD-in për momentin e kam në shtëpi, mirëpo me përdor e përdori dhe kujtoj që po m’i kryen disa shërbime që kam pas nevojë, mirëpo arsyeja pse unë sot nuk e kam marrë iPAD-in, është që këtu në objektin e komunës nuk wiffi,” tha Shala.

Kur komuna dha iPAD-ët, Shala pati treguar për KALLXO.com se pse pas kundërshtimit ishte pajtuar me këtë dhuratë.

“Këta iPAD-ë do t’u shërbejnë asamblistëve, pasi më nuk do të përdoren kopjet fizike të materialeve për rend të ditës për asamble, por të gjitha do të dërgohen në e-mail,” tha në dhjetor asamblisti Shala.

Por iPAD-ët nuk i kishin as asamblistët tjerë.

Ardian Shala nga LDK-ja tha se në mbledhje e shfrytëzon telefonin e mençur mobil, e jo iPAD-in.

“IPAD-at i kemi në shtëpi tona, materiali na vjen zakonisht me e-mail, në formë të shkruar, para se të na dërgojnë materialin me shkrim, edhe aty i shohim i shfrytëzojmë, për çështjet tona … Jo në asamble nuk e marr, pasi e posedoj edhe një mobil ku edhe aty e kam e-mail-in,” sqaroi Shala.

Edhe asamblisti i PDK-së Alush Shala tha se nuk e ka marrë iPAD-in, ngase në sallën e asamblesë nuk ka rrjet interneti pa tela.

“IPAD-in sot me veti nuk e kam marrë, por jam duke e shfrytëzuar për nevoja të mia ditore për komunitetin…mirëpo arsyeja pse nuk e kam marrë është se këtu nuk ka wiffi,” u arsyetua Shala.

KALLXO.com-i shkroi në dhjetor të vitit të kaluar për pajisjen e asamblistëve suharekas me iPAD-ë./Kallxo.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit