10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Avokati merr gjobë në gjykimin e zyrtarëve të Drejtorisë së Arsimit në Prizren

Nexhat cocaj DKAAvokati Ramë Gashi që në gjykimin kundër tre zyrtarëve komunalë prizrenas dhe një biznesmeni, mbron pronarin e Kompanisë “Rikoh”, është gjobitur me 500 euro gjobë nga gjykata, për fyerje të prokurores së rastit.

Të martën teksa po dëshmonte Jahja Baca që ishte anëtar komisioni në tenderin për furnizimin me aparate fotokopjuese të shkollave në Prizren, Ramë Gashi, mbrojtësi i Sami Makollit pronarit të firmës “Ricoh” ia prezantoi dëshmitarit ofertën e kësaj kompanie, të cilën nuk e kishte as prokurorja, as trupi gjykues.

Kompania “Rikoh” fitoi këtë tender të shpallur nga Komuna e Prizrenit në vitin 2009, ndërsa njëri nga të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor është edhe pronari i saj, bashkë me tre zyrtarë komunalë, mes tyre edhe drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj.

Edhe pse Ramë Gashit iu tërhoq disa herë vërejtja nga trupi gjykues se po sillet keq në gjykatore, mbrojtësi i pronarit të Kompanisë “Rikoh” e quajti manipuluese prokuroren e rastit, duke e fyer para trupit gjykues.

Ky trup vendosi që ta dënojë me gjobë avokatin për këtë gjë.

“…dhe i drejtohet prokurores së shtetit si manipuluese, gjë e cila nuk është në kodin profesional, me këtë arsye trupi gjykues merr aktvendim-avokati mbrojtës do të dënohet me 500 euro dënim për fjalët e shprehura ndaj prokurores së shtetit”, tha Xheladin Osmani, kryetar i trupit gjykues.

Avokati Gashi në fund të seancës i kërkoi falje trupit gjykues për fjalët që përdori, por jo edhe prokurores të cilës ia drejtoi ato.

Prokurorja Ervehe Gashi paralajmëroi padi private ndaj avokatit për fyerjet që prej tij iu bënë në seancë.

Përveç Bacajt të martën dëshmuan edhe Florim Metaj e Riza Blakaj. Metaj në kohën e tenderit të aparateve fotokopjuese ishte drejtor i Arsimit në Prizren, ndërsa Blakaj është një ekspert ekonomik i propozuar nga mbrojtja.

Metaj pranoi se vetë ishte iniciator i blerjes së aparateve për fotokopje, por nuk e dinte nëse ato ishin shpërndarë nëpër shkollat e Prizrenit, ndërsa shtoi se kishte fjalë për keqpërdorime.

“Janë shpërndarë kinse aparatet, por kanë rrjedhë edhe dyshime rreth atyre aparateve”, tha Metaj.

Metaj, tha se nuk e ka lajmëruar rreth dyshimet për parregullsi Nexhat Çoçajn që në atë kohë ishte koordinator në Drejtorinë e Arsimit në Prizren. Edhe Jahja Bacaj e tha të njëjtën gjë.

Riza Blakaj, ekspert i ekonomisë i thirrur në gjykatë nga mbrojtja, e nxori me humbje nga tenderi i makinave fotokopjuese Kompaninë “Rikoh”. Të kundërtën e kishte bërë ekspertiza e prokurorisë, sipas së cilës e dëmtuar nga kjo kontratë ishte Komuna e Prizrenit.

Prokuroria humbjet e komunës i vlerësonte 3 mijë e 600 euro, ndërsa Blakaj tha në gjykatë se kompania është dëmtuar për 4 mijë e 200 euro.

Kjo rrethanë e re e shtyu prokuroren të kërkojë superekspertizë, të cilën gjë e miratoi gjykata. Aktakuza thotë se më 3 nëntor 2009 kompania “Rikoh” mori 18 mijë euro për makinat fotokopjuese me të cilat furnizoi shkollat e Prizrenit.

Dokumentin që ia jepte këto para kompanisë e nënshkroi tash i akuzuari Nexhat Çoçaj, edhe pse duhej ta nënshkruante drejtori i këtij projekti Florim Metaj.

Në këtë proces gjyqësor Nexhat Çoçaj, Nezir Osmani dhe Gëzim Gërgi akuzohen se nga data 28 shtator 2009 e deri më 03 nëntor 2009, duke shfrytëzuar pozitat si zyrtarë komunalë me dijeni shkelin Ligin e Prokurimit Publik, për t’i krijuar dobi pasurore tjetrit.

Nezir Osmani atëherë ishte zyrtar për Financa në Drejtorinë e Arsimit, ndërsa Gëzim Gërgi menaxher i teknologjisë informative në këtë drejtori.

Aparatet fotokopjuese sipas aktakuzës nuk mund të fotokopjonin dokumente të formatit A3, por vetëm të atyre A4 dhe A5.

Sami Makolli, pronari i Kompanisë “Rikoh” akuzohet për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar, derisa gjykata ta marrë me shkrim raportin e superekspertizës./Kallxo.com/

Më Shumë

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit