2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Bajram Hamitaga: Nuk kërkova të holla nga familja Paqarizi

Në gjykimin e ish- prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga dhe ish- shoferit të kësaj Prokurorie, Luan Delili, është sjellë raporti policor për video-incizimin i cili ka inkriminuar dy të akuzuarit.

Kjo CD u riprodhua për shkak se në seancën e kaluar mbrojtja kishte pasur vërejtje në transkriptin e nxjerrë nga ky video-incizim, pasi që në të nuk shkruhej intervali kohor.

Në incizimin në fjalë, të cilin emisioni “Drejtësia në Kosovë” e kishte publikuar në maj të vitit 2016, vërehet shoferi i Prokurorisë së Prizrenit, tanimë i akuzuar, Luan Delili, së bashku me familjen Paqarizi në restorantin e këtyre të fundit, duke diskutuar për “mbylljen” në Gjykatë rastit të Granit Paqarizit, diskutim ku lakohet emri i prokurorit Hamitaga.

Sipas raportit të policit hetues, Shkumbin Sahiri, rezultoi se transkripti në mes Delilit dhe Paqarizit përmban rreth 10 minuta, për kohën sa ndërlidhet me rastin në fjalë, dhe se i njëjti është nxjerrë nga ora 10:30 deri më 12:30.

Menjëherë pas leximit të këtij raporti, reaguan avokatët e të akuzuarve, të cilët e kontestuan këtë interval kohor.

Avokatët kishin vërejtje sa i përket kohës së fillimit, duke pretenduar se është e pamundur që ora të kishte qenë 10:30, siç thotë raporti, por duhet të jetë pas orës 12:00.

Vërejtje rreth transkriptit pati edhe i akuzuari Hamitaga, duke mohuar në tërësi t’i ketë kërkuar para ndokujt nga familja e të dëmtuarit në këtë proces gjyqësor.

“Përmbajtja e kësaj bisede për mua është e papranueshme, përmbajtja e kësaj bisede, ngase nga askush (nga familja Paçarizi) nuk kam kërkuar të holla”, tha Hamitaga në gjykimin e tij që po zhvillohet në Gjykatën e Gjilanit.

Më tej, Hamitaga tha se sipas përmbajtjes së transkriptit, ka vërejtur se CD-ja është e manipuluar.

“Pasi është riprodhuar kam vërejtur se në të njëjtën ka pasur ndërprerje, dhe se CD- ja ka qenë e manipuluar, ngase janë vërejtur mirëndërprje të zërit të personit i cili e ka bërë inçizimin, është fjala për dëshmitarin Granit Paqarizi i cili fjalët e tij kur është kërcënuar në prezencë të Luan Delilit se prokurorit Bajram do t’ia vret djalin, po ashtu edhe gjyqtarit Xheladin Osmani”, shtoi prokurori i suspenduar.

E i akuzuari tjetër Delili mohoi në tërësi të ketë shkuar në restorant të familjes Paqarizi me kërkesën e prokurorit, tanimë të akuzuarit Hamitaga.

Ai tha se arsyeja e shkuarjes ishte pasi që ishte i ftuar nga familja Paqarizi, me të cilët edhe shoqërohej për një kohë të gjatë.

Madje, Delili tha se Hamitaga i kishte përmendur atij familjen Paqarizi vetëm njëherë, pak kohë pasi Granit Paqarizi e kishte akuzuar publikisht atë në gjykatore, se në cilësinë e prokurorit të rastit ndaj tij ka kërkuar 5.000 euro nga babai i të njëjtit.

“Bajrami më ka thënë veç njëherë se Sadriun e ki shok shumë vjet, si ta zatetsh ndonjëherë, shumë keq më ka ardhë kur Granit Paqarizi para 20-30 vetëve më ka thënë se ‘prej babës Sadri ke lypë 5.000 euro’. Bajramit i ka ardhë keq shumë ‘si me i ra krejt pllafoni në kry’. Pra, Bajrami atë ditë nuk më ka çu me folë me Sadri Paqarizin”, tha Delili.

E në fund të seancës, avokati i Delilit, Fitim Shporta, kërkoi nga trupi gjykues që të sigurohet transkripti i bisedave të shkëmbyera në mes të Luan Delilit e Sadri Paqarizit në ditën kritike me qëllim që të vërtetohet se Paqarizi ka ftuar Delilin në restorant, e jo anasjelltas.

Këtij propozimi iu bashkua edhe avokati i Hamitagës, i cili tha se sigurimi i një prove të tillë do të ishte i rëndësishëm edhe për të mbrojturin e tij.

Propozimi në fjalë u aprovua nga trupi gjykues me qëllim të vërtetimit se cili prej akterëve në ditën kritike ka marrë iniciativë për të ftuar tjetrin.

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Më Shumë

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Lajmet e Fundit