6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Bashkurti: Vetëpërmbajtje vëllezër!

Diplomati shqiptar, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lisen Bashkurti, duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

Bashkurti përmes një postimi që ka bërë në profilin e tij në “Facebook” ka përsëritur se të dy marrëveshjet, ajo për Asociacionin komunave me shumicë serb dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi janë të paqarta.

“Për shumë shekuj nëntorët kanë qenë muaj të përgjakur për popullin e Kosovës. Por ky nëntor i përgjakur ishte ndryshe. Ishte përgjakje midis vëllezërve. Vështirë të kuptohet përse po ndodh gjithë ky konfrontim midis liderëve politikë shqiptarë. Shkaku duket të jenë dy marrëveshjet e firmosura nga qeveria Mustafa-Thaçi. Marrëveshje të paqarta, të realizuara pa transparencë, pa përgjegjshmëri dhe pa gjithëpërfshirje. Opozita e paket në numrat e saj në parlament po përdorë energjitë e saj me mjete radikale e protesta popullore jashtëparlamentare. Midis dy palëve presidentja dështoi në zgjidhjen e krizës megjithë përpjekjet e dobëta të saj. Në qendër tanimë është vënë Gjykata Kushtetuese, gjykimi i së cilës pritet këto ditë mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjeve”, ka shkruar Bashkurti.

Ai ka kritikuar për këtë situatë që është krijuar në Kosovë, veçanërisht për marrëveshjen e Asociacionit edhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Shefja e diplomacisë së dobët të BE-së, Mogherini qëndron pasive ndaj një situate që është bashkëpërgjegjëse, pasi është ndërmjetësuesja dhe garantuesja e marrëveshjeve Kosovë-Serbi”, ka deklaruar ai.

Për krizën politike në Kosovë, diplomati Bashkurti ka kritikuar edhe Tiranën.

“Tirana zyrtare hesht, sikur kriza në Kosovë të mos jetë fare agjendë alarmante edhe për të. E papranueshme. Qëndrim i qartë antikushtetues”, është shprehur Bashkurti.

Bashkurti ka thënë se më 2 dhjetor vjen në Kosovë shefi i diplomacisë së ShBA-ve dhe sipas tij, qëndrimi i ShBA-ve duket të jetë përcaktues në gjetjen e zgjidhjes së krizës në Kosovë.

Bashkurti ka kundërshtuar arrestimin e Albin Kurtit.

“A duhet që lideri simbolik dhe karizmatik i opozitës, Albin Kurti të arrestohej!? Mendoj se nuk duhej bërë ky veprim. Duket qartazi se drejtuesit e Qeverisë Mustafa-Thaçi dhe drejtuesi jogjithëpërfshirës i parlamentit kanë rënë në panik, në nervozizëm dhe qëndrojnë në prapavijë të urdhrave të prokurorisë dhe veprimeve të policisë. Vetëpërmbahuni vëllezër! Jemi një Atdhe, një popull, një histori, një gjuhë, një interes dhe një ardhmëri! Vërtetë jemi në demokraci pluraliste, por në anarki konfrontuese. Kemi kaq shume sfida ndërkombëtare, saqë vetëm me një sinergji të brendshme të fuqishme do të mund t’i përballojmë”, ka thënë Bashkurti.

Ai ka kërkuar që të lirohet Kurti, presidentja ta luajë rolin e saj kushtetues, Mustafa e Thaci të vetëpërmbahen, kurse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli të mbajë ekuilibër gjithëpërfshirës.

“Jam prej vitesh diplomat dhe studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare. E them me sinqeritetin me të madh se do e kisha tejet të vështirë, mos të pamundur që ta arsyetoja përpara faktorit ndërkombëtar këtë situate politike në Kosovë. Lirojeni Albinin! Presidente luaj rolin tënd kushtetues! Mustafa-Thaçi vetëpërmbahuni!

Drejtuesi i Parlamentit mbaj ekuilibër e gjithëpërfshirje! Jemi vëllezër, kemi një Atdhe, një popull, një interes dhe një aspiratë! Vetëpërmbajtje vëllezër!”, ka porositur diplomati shqiptar Lisen Bashkurti.

Më Shumë

Vjedhja e veturës në fshatin Damjan të Hasit: I mituri arrestohet pas aksidentit në Prizren

Një veturë është vjedhur mbrëmë në fshatin Damjan të Hasit tw Gjakovës. Pronari ka deklaruar se vetura ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Ajo...

Kryeziu: Serbia vazhdon me regjimin e Millosheviqit, pavarësisht që kanë ndryshuar njerëzit

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, thotë se Serbia me veprimet e ngjashme si ato të sotme që ndaloi kosovarët në pikat kufitare, po tregohet...

Lajmet e Fundit