2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Begaj: Kundër Malishevës po bëhet propagandë politike

RagipBegaj-kryetariMalishevesMe gjithë kritikat e shumta që i janë bërë që nga marrja e detyrës, thotë se nuk do të ndalet së punuari me të vetmin qëllim, që qytetarëve tua lehtësojë hallet që u rëndojnë mbi supe, tash e sa vite. Ndërsa, të gjitha kritikat në adresë të komunës, i quan propagandë mediale dhe politike. Ndërkaq, postin që mban, nuk e sheh si privilegj, por si një përgjegjësi të madhe. Nuk është i kënaqur me punën e tij, pasi që thotë se qytetarët po përballen me një varfëri dhe papunësi të madhe.
Ky është kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, i cili në një intervistë për KosovaPress, ka folur për punën e bërë gjatë këtyre muajve sa ai ka qeverisur me këtë komunë.

Begaj thotë se prej se është zgjedhur në krye të Komunës së Malishevës, është përpjekur që t’i vazhdoj të gjitha ato projekte të cilat kanë mbetur pa përfunduar nëpër fshatra dhe të vazhdojë me projekte tjera. Prioritet për të mbetet ndërtimi i shkollave, rrjetit të ujësjellësit në fshatra të ndryshme, kanalizimi, ndërtimi i rrugëve, si dhe përfundimi i disa projekteve në të cilat ka pasur ngecje. E ndër prioritete është dhe ndërtimi i një çerdhe, e cila i kishte munguar kësaj komune, e cila pritet të hyjë në funksion gjatë këtij viti.

Teksa flet për projektet e përfunduara dhe ato që janë në vazhdimësi, Begaj thotë se do të vazhdojë t’i mbështes ashtu siç kishte premtuar, fshatrat më të largëta të kësaj komune për të cilat ka pasur më pak përkujdesje.

“Ne nuk kemi premtuar që brenda gjashtë muajve do të kryhen gjithë këto projekte, por brenda 7, 8 muajve me u bë finalizimi i shumicës së këtyre projekteve që ne veç i kemi premtuar para elektoratit tonë të komunës së Malishevës. E di se kemi shumë, unë bashkëjetoj me qytetarët e Malishevës. Kemi shumë brenga. Dhe nuk është privilegj për mua që jam kryetar i Komunës së Malishevës, por është një ngarkesë dhe përgjegjësi e madhe. Për arsye se unë ende nuk e kam asnjë ditë pushim, gjatë mandatit tim deri më tani për arsye se nuk kam pas kohë, asnjë ditë të vetme me shfrytëzua për pushim. Vetëm t’u u mundu me iu shërby sa më mirë dhe sa më shumë qytetarëve. Me bashkëjetua me brengat dhe hallet e tyre. Unë e di që ka nevoja të shumta dhe nuk do të realizohen gjatë mandatit tim. Do të kalojnë dhe shumë mandate të tjera, për arsye se njerëzit kanë nevojë gjithë me punu. Nevojat janë të domosdoshme. Megjithatë po përpiqemi që në maksimum ta bëjmë punën me të mirë tonën”, thotë ai.

Megjithëse, edhe më herët ishte pjesë e qeverisjes në këtë komunë, ai thotë se nuk e ka menduar se banorët e këtij rajoni përballen me probleme kaq të mëdha. Ndërsa, pohon se nuk do të mungoi puna dhe përpjekja e tij për ta ndryshuar situatën në këtë regjion kaq të varfër, e me një papunësi të lartë.

“Unë kam qenë kryesues i Kuvendit këtu në Malishevë. Por më të thënë të drejtën nuk kam menduar bash krejt që do të përballen me të gjitha këto probleme qytetarët në Malishevë. Megjithatë do t’i përballoj dhe do të përpiqem me punu sa të mundem, në mënyrën më të sinqertë që është e mundur. Do të përpiqem të jem së bashku me qytetaret dhe hallet e tyre. Nuk është e lehtë. Malisheva ka 55 mijë banorë rezident dhe 15, 16 mijë janë jashtë që jetojnë. Nuk është e lehtë me u përball me hallet e Malishevës. Për arsye se Malisheva është një regjion i varfër. Një regjion i shumë njerëzve pa punë. Një regjion i njerëzve me shumë halle. Për atë arsye të gjitha ato brenga të qytetarëve të Malishevës janë mbi supet e mia. Do të përpiqem sa të është e mundur me i zgjidh në mënyrën më të mirë të mundur”, thotë ai.

Ai shtoi se po mundohet të vë një disiplinë institucionale, e cila deri më tani kishte munguar.

“S’po mund të them në kushte të mjerueshme. Sepse në gjendje të mjerueshme është krejt Kosova. Të gjitha komunat, gati përballen me sfida të tilla. Mirëpo ne po mendojmë diçka me ndryshu. Keni mujt me vërejt se gjatë këtij mandati, gjatë këtyre muajve në arsim kemi të hyra 30 mijë euro që s’janë parë asnjëherë. Jemi munduar me krijuar një disiplinë që me u institucionalizu çdo gjë dhe çdo gjë me shku përmes institucioneve, ashtu siç duhet. E jo me shku përmes rrugëve private shkel e shko. E mos me u menaxhu gjërat siç duhet. Është krijuar një disiplinë dhe besoj se kjo do të rezultojë në të mirën e një shërbimi më të mirë të qytetarëve dhe në krijimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e ligjit dhe rregulloreve që ka Komuna e Malishevës”, tha ai.

Ndërsa, e quan propagandë mediale e politike, gjithë zhurmën e bërë rreth largimit të disa punëtorëve të arsimit, e për të cilat është thënë se e tëra është bërë për shkaqe politike. Ai thotë se konkursi për vende pune në arsim është shpallë me sugjerim të Ministrisë dhe se janë shpallur konkurse për ato vende pune në të cilat nuk kanë qenë njerëz adekuat ose kanë qenë të padiplomuar. Nuk mohon mundësinë e ndonjë lëshimi në këtë proces, por thotë se do t’i verifikoj të gjitha lëshimet në rast se ato janë bërë.

“Është bërë një propagandë mediale ndaj Malishevës. Është thënë se Malisheva ka larguar 200 punëtorë të arsimit. Gjë që nuk qëndron. S’ka qenë asnjëherë ashtu…Gjithë kjo që është bërë për mendimin tim është bërë një fushatë propagandistike dhe politike, nga faktorët që nuk ia donë të mirën kësaj qeverisje. Por megjithatë unë do ta bëjë punën time. Unë i pres të gjitha kritikat sepse jam në ballë të kritikave. I pranoj të gjitha kritikat. Do të mundohem në atë drejtim. Unë bashkëjetoj me ata njerëz. Sepse nuk është e lehtë sot kanë konkurruar 1616 konkurrentë në procesin e arsimit. Prej 1616 konkurrentëve që kanë konkurru sigurisht një mijë e më tepër prej tyre, i kanë plotësuar kushtet me fitu një vend të punës. Por është e pamundur me fitu 1550 vet një vend pune. Të gjithë ata mund të jenë kritik. Të gjithë janë të pakënaqur. Edhe unë jam i pakënaqur me gjendjen në të cilën gjendet Malisheva dhe Kosova në përgjithësi”, tha ai.

Begaj po ashtu thekson se gjatë mandatit të tij do vë rregull dhe në arsim dhe se nuk do tolerojë më që politika të punësojë njerëz jo adekuat dhe fare pa nevojë.

“Ne e kemi pasur procesin e arsimit, njerëzit ku kanë punuar me 4 orë pune, ndërsa janë paguar për 20 orë pune. Ajo nuk do të lejohet më. Kemi pasur njerëz që kanë punuar me lëndë të ndryshme , e që s’ka qenë ajo lëndë adekuate për atë shkollë absolutisht. Janë futur njerëz, vetëm ndoshta për çështje politike, po futemi në një vend të punës. Unë do të isha shumë i kënaqur me mujt me e mbajt atë vend të punës. Por megjithatë, duhet të më sugjeroj dikush se si ta mbaj në vend të punës, kur nuk ka orë të mjaftueshme dhe kur nuk ka vend të punës, për një profil të caktuar. Kjo e ka bërë që njerëzit me drejtë të reagojnë. Edhe unë jam i shqetësuar për gjendjen. Edhe unë jam i shqetësuar për papunësinë e njerëzve. Mirëpo le të del një faktor, le të më ndihmon edhe mua se si duhet zgjidhur ky problem. Unë nuk mund t’i mbaj njerëzit pa vende pune. Nuk mund t’i mbaj njerëzit pa konkurs dhe pa kualifikime. Është kjo çështje që ka ardhur deri tek shpallja e konkursit”, thotë ai.

Ai po ashtu thekson se nuk është aspak i kënaqur me këtë gjendje. Por shpreson që qytetarët do të jenë të kënaqur me punën e tij. Ndërsa, beson se gjatë viteve sa ai do të qeveris me këtë komunë, do të arrijë t’i bind qytetaret se po punon vetëm për interesat e tyre dhe se është në shërbim të qytetarëve të kësaj komune./KP/Telegrafi/

Më Shumë

“Gjekovë” huqja drejtshkrimore në tabelë te hyrja e Prizrenit

Në hyrje të Prizrenit kanë gabuar në drejtshkrim në tabelë ku shkruan Gjekovë në vend të Gjakovës Ndërsa ajo në gjuhën serbe është shkruar si...

Totaj pret U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të ASK’së, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati. Siç bëhet e...

Lajmet e Fundit