14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Betonizohet Prizreni

Prona publike në komunën e Prizrenit nuk është shfrytëzuar si duhet për të bërë sa më shumë hapësira gjelbëruese në Prizren. Kështu së paku mendojnë përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe të opozitës. Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së, organizatë e shoqërisë civile, shprehet për “Kosova Sot” se Prizreni me disa qëndrime dhe propozime për pronën komunale, e cila ka qenë e shfrytëzuar nga operatorë ekonomikë, nuk e ka menaxhuar mirë atë pronë për të shndërruar në hapësira gjelbëruese, të cilat i mungojnë Prizrenit. Ai me këtë rast tha se një hapësirë gjelbëruese i duhet këtij qyteti tek lagjja “Bazhdarhanë”, që do të mund të shfrytëzohej edhe nga lagjja”Dardania”.

“Duke mos dashur të vlerësoj procedurat e zgjatjes së kontratave me operatorët ekonomikë, meqë për raste të caktuara ka të ngritura edhe hetime nga organet kompetente dhe duke parë gjendjen ekzistuese të këtyre pronave komunale, duke parë tendencat që këto prona komunale të kthehen në ndërtim dhe betonim, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon që prona e tillë komunale t’u kthehet qytetarëve në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacion”, është shprehur ai,shkruan gazeta Kosova Sot.

Të ndalen tendencat e uzurpimit të hapësirave publike

Mungesa e hapësirave publike dhe uzurpimi i saj paraqesin ndër problemet me të theksuara për banorët e lagjeve të qytetit të Prizrenit.”Në qytetin e Prizrenit, brenda zonës së banimit, aktualisht ekziston vetëm një hapësirë gjelbëruese (park) me përmasa më të gjëra, që mund të cilësohet si hapësirë që i plotëson nevojat për rekreacion dhe shëtitje të qytetarëve. Jeta dinamike, mungesa e hapësirave rekreative brenda lagjeve të Prizrenit dhe mungesa e parqeve brenda zonave të banimit, shtojnë domosdoshmërinë që qasja në planifikimet urbane të ndryshojë. Planet rregulluese të dy lagjeve, të cilat tanimë janë kthyer në ndërtesa kolektive dhe të betonuara tej mase, janë pa hapësira gjelbëruese dhe rekreacioni.

Tanimë Prizreni dhe banorët e disa lagjeve, por edhe të gjithë qytetarëve mund të kenë hapësirën gjelbëruese (parkun). Kthimi i pronës komunale 85.93 ari dhe integrimi i parcelave të tjera përcjellëse të pronës komunale në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni janë zgjidhja adekuate”, është shprehur Kryeziu. Sipas tij, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke parë si të nevojshme hapësirat gjelbëruese dhe rekreative për qytetarët e Prizrenit, rekomandon institucionet lokale që sa më parë të ndalojnë tendencat e uzurpimit të kësaj prone komunale dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm që kjo pjesë të mbetet si hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni (park) për qytetarët prizrenas dhe nëse është nevoja të fillohet edhe me ndryshimin e dy planeve rregullative ekzistuese.

Berisha: Ne kemi vendim që secili projekt inxhinierie të ketë hapësirat gjelbëruese

Me këto konstatime nuk pajtohet zëdhënësi i komunës së Prizrenit, Ymer Berisha:”Të thuash se Prizreni ka më së paku gjelbërim këtë nuk e beson askush, sepse fakti është i dukshëm. Ne kemi vendim që secili projekt inxhinierie të ketë hapësirat gjelbëruese. Kemi parkun e madh, kemi parqe brenda qytetit dhe kemi parqe në secilën lagje. Komuna e Prizrenit nuk ka marrë asnjë vendim deri më sot që të realizojë një projekt ku plani inxhinierik të mos ketë parësor problemin e gjelbërimit”, është shprehur ai. Shton se secili vizitor që vjen në Prizren këtë mund ta vërtetojnë edhe shoqëria civile dhe opozita”, është shprehur ai për “Kosova Sot”.

Berisha pohon ne nuk e dimë se cila ka qenë formula që ata e kanë llogaritur për hapësirat gjelbëruese. Ai përmend edhe parkun e qytetit, pastaj kompleksin “Marash”, kompleksin “Andrra”, e sa e sa parqe që i ka Prizreni.

“Jemi komuna e vetme që ndajmë mjete të konsideruara për gjelbërim dhe për drurë dekorativë”, theksoi ai. Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, pohon se LDK-ja, duke marrë parasysh nevojën e madhe të qytetarëve të Prizrenit për hapësira të gjelbra dhe parqe, del në përkrahje të iniciativës së shoqërisë civile për më shumë hapësira të gjelbra edhe brenda lagjeve të banuara. Avdyli tha se Dega e LDK-së në Prizren do të përkrahë mundësinë për hapësira publike të gjelbëruara.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Lajmet e Fundit