10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Blloku s’ka platformë dhe program

Blloku 50Gati tre muaj janë bërë nga arritja e marrëveshjes së bllokut LDK-AAK-Nisma me mbështetjen edhe të Vetëvendosjes.Por sipas analistëve,ende nuk ka një platformë të qartë të këtij blloku për qeverisje.

Analistët thonë se blloku dhe Vetëvendosje duhet të ofrojnë ide konkrete, ngase vetëm kundërshtimi i Qeverisë Thaçi 3 nuk është i mjaftueshëm. Përfaqësuesit e bllokut LDK-AAK-Nisma përsërisin se ajo që nuk i duhet Kosovës tani është Thaçi 3, ndërsa shtojnë se këtë do ta pamundësojnë edhe me votë.

Përveç qëllimit që mos të lejohet Qeveria Thaçi 3 nga PDK-ja si parti fituese e zgjedhjeve, analistët politik thonë se blloku LDK-AAK-Nisma nuk ka ofruar kurrfarë platforme qeverisëse. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se deri tash ka pasur vetëm deklarata të ashpra politike dhe retorikë, por jo plane dhe ide konkrete.

“Bllokun dhe Vetëvendosjen i bashkon qëllimi dhe vullneti që ta pamundësojnë Thaçin dhe PDK-në në krijimin e Qeverisë, mirëpo vetëm kjo nuk është e mjaftueshme. Blloku dhe Vetëvendosje duhet të ofrojnë ide konkrete politike dhe ekonomike në mënyrë që të jenë më premtues për një ndryshim kualitativ në krahasim me mënyrën e deritashme të qeverisjes”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Përfaqësuesit e bllokut LDK-AAK-Nisma, në vazhdimësi më tepër kanë folur për atë se çka nuk i duhet vendit sesa që kanë paraqitur një platformë qeverisëse. Edhe Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja, këtë e thotë.

“Unë e di atë se çfarë nuk i duhet Kosovës, e ajo është një Qeveri Thaçi 3, ose çfarëdo përfshirje e PDK-së në Qeveri”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Gjithsesi, Kadaj-Bujupi thotë se vendit i duhet një Qeveri ndyshe nga kjo e deritashmja, ndërsa thekson se me Vetëvendosjen do të vazhdojnë bisedimet për të arritur marrëveshje, në mënyrë që edhe me votë të pamundësohet Qeveria Thaçi 3 dhe të legjitimohet marrëveshja e bllokut LDK-AAK-Nisma.

Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën thotë se marrëveshja e bllokut është edhe konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese.“Ata thonë që deputetët duhet ta gjejnë marrëveshjen, unë mendoj që deputetët e kanë gjetë marrëveshjen”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.
Për ta realizuar marrëveshjen, blloku ka problem me arritjen e mbështetjes nga Vetëvendosje, ngase kjo e fundit kërkon marrëveshje për kriteret që i ka caktuar. Analisti Artan Muhaxhiri e arsyeton hezitimin e Vetëvendosjes që të arrijë marrëveshje me bllokun LDK-AAK-Nisma.

“Është ndoshta edhe i natyrshëm ky hezitimi i Vetëvendosjes që mos të nënshkruaj asgjë me Bllokun, sepse mund të ketë shumë improvizime në të ardhmen si pasojë e mospasjes së një dokumenti konkret mbi të cilën do të bazoheshin edhe veprimet politike dhe ekonomike në të ardhmen”, tha Muhaxhiri.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj ka përcaktuar që posti i kryeparlamentarit i takon PDK-së që e ka grupin më të madh parlamentar. Mirëpo blloku LDK-AAK-Nisma, ka paralajmëruar se, duke iu referuar pikës 127 të aktgjykimit, që saktëson të drejtën e deputetëve për të gjetur mënyrën për zgjedhjen e kryatarit të Kuvendit, do ta zgjedhin kryeparlamentarin nga radhët e tyre.

Më Shumë

Policia shqipton 1.521 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1521 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Lajmet e Fundit