10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Bushati: Burgosja e Kurtit tregon se Kosova nuk është vend normal

Burgosja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, vetëton se Kosova është një shtet jonormal, i padrejtë dhe jo i besueshëm, ka shkruar analisti politik Andi Bushati në një koment të tij për burgosjen e djeshme të Kurtit.

“Burgosja e Albin Kurtit është trofeu që ai kërkoi dhe njëkohësisht turpi i Kosovës”, ka shkruar Bushati, njofton Klan Kosova.

Ai shkruan se edhe ata që nuk ndajnë të njëjtat ide dhe parime me Kurtin e kanë të lehtë të vërejnë “se në një vend të udhëhequr nga një klikë që nuk i ndahet pushtetit, në një vend ku gjysma e politikanëve kanë të shkuar kriminale dhe gjysma tjetër të sotme të korruptuar, shkon në burg një i ri që as nuk ka vrarë, as nuk ka vjedhur kurrë”.

“Se në Kosovë qenka më e lehtë të prangosesh se mbron idetë e tua, sesa ta pësosh këtë fat si trafikant organesh, rrëmbyes pronash, apo fabrikues tenderësh”.

Shkrimi i plotë të Andi Bushatit!

Prangat e Albin Kurtit, turpi i Prishtinës

Ndoshta sot ka shumë njerëz që mendojnë se Albin Kurti e meritonte të shkonte ne burg. Se ai nuk mund të godiste me gaz lotsjellës në sallën e Parlamentit të Kosovës. Se ai nuk duhej ti fshihej dhe ta sfidonte policinë dhe prokurorinë që e kërkonin prej më shumë se dhjetë ditësh. Se ai nuk mund të ndalojë me dhunë, një proces të cilin populli nuk e ka mandatuar ta pengojë me votë.

Po, ndoshta sot ka shumë të tjerë, që edhe pse mund të jenë kundër burgosjes, nuk e përkrahin degjenerimin e Vetëvendosjes drejt dhunës. Nuk janë me justifikimin që lëvizja gjen për humbjen e kauzave të saj. Nuk janë për populizmin e ekzagjeruar nacionalist.

Ata nuk e kuptojnë dot se si Albin Kurti do të rrëzojë sot me çdo mjet kryeministrin Isa Mustafa me të cilin deri dje donte të ndante pushtetin.

Nuk e perceptojnë dot se si një puritan si ai, mund të fshihet në strehën e Ramush Haradinajt apo të bëjë kauzë të përbashkët me Fatmir Limajt

Shumëkush mund të jetë kundër këtij revolucionari permanet, pa dyshim liderit më të lexuar të Kosovës së sotme, politikanit më rrezikshmërisht idealist dhe më sfidues ndaj krejt klasës politike kriminale dhe të korruptuar.

Po, për Albin Kurtin, njeriun që këtë 28 nëntor ngriti grushtin lart për folur sërish për bashkimin me Shqipërinë, mund të ketë shumë vërejtje dhe pakënaqësi. Por, gjithsesi, arrestimi barbar në zyrat e partisë së tij dhe më pas dënimi me 30 ditë burg (I treti që këtë radhë i vjen nga policia e shtetit të pavarur të Kosovës, pas prangosjeve që i bëri klika gjakatare e Millosheviqit dhe burokratët endacakë të UMNIK-ut) është një shfaqe e turpshme për Kosovën.

Jo vetëm për “përkimin” se ai u zgjodh të prangosej në të vetmen ditë që simbolizon bashkimin e shqiptarëve.

As për faktin se një vend që burgos një lider opozite dhe 90 mbështetës të tij i vë një njollë të errët vetes.

Por, për shumë më tepër sesa kaq.

Sepse çdokush që mund të mos ndajë të njëjtat ide dhe parime me Albinin e ka të lehtë të vërë re një fakt të thjeshtë. Se në një vend të udhëhequr nga një klikë që nuk i ndahet pushtetit, në një vend ku gjysma e politikanëve kanë të shkuar kriminale dhe gjysma tjetër të sotme të korruptuar, shkon në burg një i ri që as nuk ka vrarë, as nuk ka vjedhur kurrë.

Se në Kosovë qenka më e lehtë të prangosesh se mbron idetë e tua, sesa ta pësosh këtë fat si trafikant organesh, rrëmbyes pronash, apo fabrikues tenderësh.

Në këtë kuptim “viktimizimi” përmes burgosjes, të cilën me sa duket, ai e ka provokuar në mënyrë të skajshme, i shërben më shumë se shumëçka aksionit politik të Albin Kurtit. Sepse ai luan rolin e një pasqyre për të treguar faqe të gjithë botës që lideri de facto i Vetëvendosjes, nuk po bën burgun e tij, por të tjetërkujt. Se ai është në qelinë ku dihej të ishin sot pjesa më e madhe e elitës politike kosovare.

Prandaj këto pranga bëjnë lojën e Albinit. Ato vërtetojnë se Kosova ashtu sikurse thotë ai nuk është as një shtet normal as një shtet i drejtë dhe i besueshëm.

Prandaj burgosja e Albin Kurtit është trofeu që ai kërkoi dhe njëkohësisht turpi i Kosovës.

Më Shumë

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Lajmet e Fundit