7.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Bylbyl Duraku nga Krusha e Madhe, studenti që i mbijetoi torturave serbe në Dubravë

Bylbyl Duraku nga Krusha e Madhe ka vuajtur nëpër burgjet serbe dy vjet e tetë muaj dhe gjatë kësaj kohe ka përjetuar tortura e abuzime nga më të tmerrshmet. Ai rrëfen në vetën e parë për përjetimet e tij, mirëpo rrëfimi i tij është i ngjashëm me përjetimet e shumë të burgossurve shqiptarë. Ai i mbijetoi edhe masakrës serbe në Dubravë. Madje, ai nuk e quan burg, por një lloj kampi përqëndrimi nacist kur bëhen eksperimente me trupat e shqiptarëve dhe ku është ushtruar dhunë e shfrenuar sistematike.

Pasojat i kemi vuajtur vazhdimisht për shkak të qëndrimit tonë si familje kundër regjimeve antishqiptare. Babai ynë ishte antikomunist i përbetuar dhe vazhdimisht na ka porositur që të kemi kujdesë me kë shoqërohemi, ngase shteti mund të përdorte forma të ndryshme të kurtheve.

Në vitin 1998 studioja në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Prizren. Protestat e 1 tetorit 1997 i dhanë dimension të ri rezistencës në Kosovë. Kemi organizuar protesta dhe aksione të ndryshme kundër pushtimit serb. Nuk e bëja këta vetëm pse isha shqiptar, por doja të luftoja për dinjitetin dhe krenarinë time personale. Ndërkohë patëm rënë në kontakt me persona të UÇK-së dhe nisëm të interesohemi për të organizuar rezistencën kundër pushtuesit serb. Madje dikush prej nesh kishte arritur edhe të siguronte armë. Na arrestuan më 23 maj 1998. Në grup kishim tri vajza dhe gjashtë djem; Haqif Ilazi, Sherif Ilazi, Sejdi Bellanica, Dëfrim Rifaj, Leonora Morina-Duraku (bashkëshortja ime tani), Jehona Krasniqi, Behare Tafallari dhe Njazi Kryeziu. Na akuzonin për terrorizëm dhe bashkim kundër shtetit, sipas nenit 136 lidhur me nenin 125, alineja 1 e 2, bashkim për veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe terrorizëm.

TORTURA ISHTE MJETI I VETËM I KOMUNIKIMIT TË HETUESVE SERB
Gjatë hetimeve në Prizren na kanë rrahur në mënyrë barbare tri ditë e tri netë pa pushim. Torturat intensive na kishin dërrmuar dhe mezi mbijetuam. Nuk kanë pushuar as ditën, as natën torturat. Na mbanin lidhur me pranga tërë kohën dhe torturat kanë qenë të tmerrshme; na goditnin me shufra gome, por edhe me mjete të tjera të forta. Aq rëndë na kanë torturuar saqë nuk kam mundur të qëndroj në këmbët e mia, por është dashur që dikush të më mbajë për krahësh ose të më tërheqin zvarrë. Shokët më kanë thënë se i kanë futur edhe në korrent në elektroshok. Mua jo. Pas përfundimit të hetimeve nuk na kanë rrahur aq shumë, por dhuna dhe presioni psikologjik ka vazhduar sistematikisht. Më 24 gusht 1998 më dënuan me pesë vjet e gjysmë burg. Nga data 12 korrik 1998 deri sa më kanë transferuar në Nish, më 11 shtator 1998, kemi dëgjuar britma të tmerrshme të njerëzve që torturoheshin vazhdimisht. Torturat zgjatnin gjatë gjithë kohës, ndërrim pas ndërrimi dhe asnjëherë nuk pranin. Britmat dhe ofshamat e njerëzve dëgjoheshin thekshëm. Nuk kishte asnjë moment qetësie dhe për neve kjo ishte torturë shtesë, ngase e kishim kaluar atë ferr para tyre. Na tmerronte gjendja e të mbajturve shqiptarë. Nuk mund të rrëfehet gjithë ai tmerr i përjetuar. Nuk e di një moment qetësie gjatë asaj kohe. Gjatë qëndrimit në burgun e Prizrenit, edhe kur na vinin për vizitë prindërit, torturat nuk pushonin. Prindërit tanë dëgjonin britmat e atyre të burgosurve shqiptarë që torturoheshin mizorisht. Prindërit i dëgjonin britmat dhe sikur donin të na tregonin se e kuptonin gjendjen tonë, na pyetnin nëse po na mundonin. Ne duhet të thoshim se nuk po na rrihnin, ndërsa britmat e njerëzve që torturoheshin dëgjoheshin qartë dhe zëshëm. Gardianët na qëndronin mbi kokë gjatë kohës sa zgjaste vizita dhe nëse dikush guxonte të fliste “më shumë nga sa duhej” e pësonte keq më pastaj. Nuk dëshiroja që prindërit e mi të dëgjonin britmat e njerëzve, por nuk bëja dot asgjë që të mos dëgjoheshin britmat. Madje, nganjëherë dëshiroja që ata të mos vinin fare në vizitë vetëm për këtë shkak.

TRANSFERIMI NË NISH DHE “TUNELI” I TMERRIT

Në burgun e Prizrenit na mbajtën deri më 11 shtator 1998, nga ku na transferuan nga aty në Nish. Atje na mbajtën deri më 29 prill 1999. Në Nish na kanë zhveshur vetëm në brekë dhe na kanë rrahur me gjithfarë mjetesh që kishin. Çfarë eshpe shtazarake që kishin dhe sa të motivuar ishin të torturonin njerëz të lidhur dhe të pafuqishëm. Gardiantë e kishin përgatitur të ashtuquajturin “tunel”, përmes të cilit ne duhet të kalonim. Dikush arrinte të dilte me më pak dajak, por shumica rrëzoheshin dhe vaj halli për të pastaj. Njerëzit ishin të gjakosur dhe të mavijosur në krejt trupin. Edhe nëpër qeli na kishin futur ndonjë serb ordiner dhe torturat vazhdonin edhe aty. Dikush kishte fat dhe qëllonte të rastiste në ndonjë të burgosur serb më të përmbajtur dhe nuk i torturonte shqiptarët. Mua më qëlloi një serb që kishte qenë paramilitar në Bosnje dhe ishte tepër agresiv. Vazhdimisht më provokonte me fjalë fyese, por ndoshta për fat që isha trupmadh hezitonte të më vërsulej drejtëpërdrejt. Gjatë kohës së mbajtjes në Nish na kanë torturuar vazhdimisht. Vetëm njëri ndërrim ishte më i qetë. Na rrihnin edhe gjatë kohës kur hanim bukë. Në fytyrat e të burgosurve shiheshin hematoma, gjakosje dhe enjtje të fytyrës. Këto pamje ishin të zakonshme dhe dikur nuk na bënin më përshtypje.
Më kujtohet një moment kur më zhvendosën nga një qeli në tjetrën, që quhej izolim. Më futën përmes “tunelit”. Në duar mbaja një pako me disa gjëra personale. Më nxorën nga qelia dhe gjatë gjithë kohës më godisnin deri sa rashë zvarrë. Mezi shpëtova. Më futën në një qeli ku kishte shumë persona dhe aty nuk kishim ku të shtriheshim. Na nxirrnin nga qelitë tona dhe na rrahnin pa mëshirë. Na futnin në pjesën ku ishte izolimi dhe duart duhej t’i mbanim pas shpine dhe të mos e ngritnim kokën. Nëse konsideronin se nuk na kishin shkaktuar dhimbje mjaftueshëm na zhvishnin dhe na rrihnin deri në alivanosje. Më kujtohet se pas këtyre përjetimeve arrita të kthehem zvarrë në qeli dhe e futa kokën në filxhanin e toaletit dhe e lëshova pak ujin të rridhte. Vetëm ashtu më dukej se po merrja frymë, sepse mezi mund të hapja gojën.

I mbaj në mend disa emra të xhelatëve që na torturonin më së shumti, ndonëse edhe të tjerët nuk mbeteshin pas për nga ashpërsia dhe egërsia. Shquheshin për sjellje brutale sidomos disa; njëri quhej Vojkan, një Pavlloviq, tjetri Spasiq, njëfarë Petriqi, kurse njëfarë Bixha si lloj eprori ishte ekzemplar për sjellje të ashpër dhe shumë armiqësore ndaj të burgosurve. Po ashtu ishte njëfarë Zhiviqi, pastaj njërin që e quanin Kuki, tjetrin Neniç, dhe që të gjithë ishin të këqinj. Më ngjanin sikur rojet gjermane në kampet naciste. Këta na torturonin rëndë dhe shumë shpesh pa asnjë shkak.

NË DUBRAVË PAMË VDEKJEN ME SY

Më 29 prill 1999 nga burgu i Nishit na mblodhën dhe na ngarkuan nëpër autobusë. Na lidhën njërën dorë me njëri-tjetrin dhe na vendosën në rresht. Fillimisht na dërguan në burgun e Lipjanit, por kishin plan të na dërgonin në Dubravë. Por, pasi që ishte bombarduar nga NATO ura e Llazicës, bënë një kthim prapa dhe na dërguan në Lipjan. Më 30 prill na dërguan në Dubravë. Gjatë gjithë kohës ishim të lidhur me pranga dhe askush nuk guxonte të ngrinte kokën për të parë anash apo përpara. Gardianët na ruanin me rreptësinë më të madhe dhe kush guxonte të bënte lëvizjen më të vogël pasonte ndëshkimi fizik brutal. Paramendojeni sa gjatë na është dashur të rrimë pa lëvizur dhe pa pasur asnjë mundësi madje as për të kryer nevojat personale. E kemi dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe për një moment gardianët dolën nga autobusi dhe na lanë vetëm. E kuptuam se NATO kishte bombarduar serbët. Autobusin ku ishim ne dhe një tjetër autobus me të burgosur shqiptarë na kthyen dhe na dërguan në Lipjan.
Të nesërmen, me 30 prill 1999 në hyrje të burgut të Dubravës ishin rreshtuar shumë roje dhe paramilitarë, të cilët e nxirrnin ndonjërin prej nesh dhe e grushtonin, e shtrinin përtokë duke e goditur, e goditnin me shqelma në mënyrat më brutale të mundshme. Deri më 17 maj i grumbulluan shumë të burgosur shqiptarë në Dubravë.
Më 19 e 21 maj kanë rënë bombat e NATO-s, ndërsa serbët në mëngjesin e 22 majit dhe gjatë gjithë datës, si dhe në mëngjesin e 23 maj kanë hyrë të armatosur nëpër pavijonet e burgut duke vrarë kë gjenin përpara nga të burgosurit shqiptarë. Në njëfarë mënyre ne e morëm nën kontroll burgun. Ushqeheshim vetë dhe nuk shihnim roje burgu. Njerëzit flitnin shumë rrallë dhe vetëm ndonjëri aty-këtu merrte mundimin të tregonte apo hapte ndonjë temë bisede. Madje në disa raste dikush edhe ia merrte këngës. Nuk kishim asnjë mundësi të bënim ndonjë plan. Vetëm pritnim se çdo të ndodhte me ne.
Më 22 në mëngjes përmes altoparlantit na ftuan që dalim jashtë dhe të marrim sendet personale, sepse do t’na dërgonin në një vend tjetër. Menduam se ashtu do të jetë në të vërtetë. Ne qëndronim të bashkuar; Sherif Ilazi, Dëfrim Rifaj, Sejdi Bellanica, Haqif Ilazi dhe Unë. Me ne qëndronte edhe njëfarë Xhevat Daci nga Mali i Zi. Dolëm jashtë dhe u rreshtuam disi, jo në një formë të rregullt. Ndërkohë Shefir Ilazi më tha se kishte një parandjenjë të keqe dhe se na kishin rreshtuar për t’na vrarë. E pashë për një fraksion të sekondit kur një ushtar serb u ngrit nga kulla e rojës dhe me një granatahedhës krahu u drejtua drejt nesh. E kuptova se Sherifi pati të drejtë. Turma u shpërnda në panik. Granata eksplodoi në mesin e të burgosurve dhe gjymtyrët e njerëzve u hodhën gjithandej. Më pas pasuan të shtëna të pandërprera me pushkë automatike. Pashë kur para këmbëve të mia binin trupat e shokëve nga breshëria e të shtënave të serbëve. Plumbat binin mbi kokat tona si kokrrat e breshrit. Njerëzit binin si kallinj gruri të vdekur apo të plagosur. Sekush synonte të gjente një vend për të futur kokën, por as nuk kishte një vend të tillë. Morëm arratinë dhe nuk e di as vetë si kam mundur të tërhiqem nga ajo plojë. Madje në duar kisha dy qese të mëdha me rrobat e mia dhe nuk më shkonte ndërmend as t’i hedh e t’ia mbath sa më shpejtë. Vetëm kur jam rrëzuar duke vrapuar kam vërejtur se kisha me vete ngarkesë,i kam lëshuar qeset dhe kam vrapuar deri të një pjesë më të ulët si hendek , ku kam qëndruar ndoshta për disa sekonda.

Trupat e pajetë të të burgosurve dergjeshin nëpër oborr të burgut, ndërsa të plagosurit goditeshin me të shtëna të rralla. Sapo dëgjonim të shtënat tek e tek, e dinim se edhe dikush prej nesh u shua. Kishim frikë se NATO do të bombardojë përsëri, prandaj bashkë me Sherif Ilazin i kemi marrë disa batanije dhe e kemi shkruar në oborr të burgut me batanije HELP, pasi e dija anglishten, duke besuar se pilotët do ta vërejnë dhe nuk do të hedhin bomba mbi ne. Koha ishte e mirë dhe kufomat nisën të dekompozohen shumë shpejt. Era e rëndë e kufomave filloi të përhapet gjithandej. Më duket se edhe sot ajo erë e rëndë më kundërmon në hundë. Ishte e tmerrshme të mos kesh mundësi të ndihmosh ndonjë shok të plagosur apo të tjerë që kishin frikë të madhe. Shumica kishin qëndrim stoik. Nuk kishim zgjidhje tjetër, pos të inkurajonim njëri-tjetrin. Rezistenca jonë zgjati pak, sepse serbët kërkuan të mblidhemi në sallën e sportit dhe të mos mbanim në duar asgjë, ndryshe do t’na vritnin. Ndërkohë i pashë shtatë kufoma në një kënd të bodrumit të shtëpisë së kulturës. Kufoma gjithandej dhe kalonim skaj tyre e nuk na bënte përshtypje, sepse secili e ndjente se vdekja mund ta merrte në çdo moment. Habitesha me veten se si isha bërë i tillë, pa ndjenja. Mua që më dhimbsej një pulë apo dele kur pritej, shihja njerëz pa këmbë, me kokë të çarë, me zorrë jashtë, krejt të gjakosur dhe krejt kjo të mos më bëjë përshtypje!?

SOLIDARITETI I TË BURGOSURVE NA JEPTE FORCË
Rreth 150 persona i kanë vrarë aty dy ditë, ndërsa 193 të kanë qenë të plagosur. Këtë shifër e di mirë ngase vetë jam përpjekur të ndihmoj të plagosurit, duke ju lidhur plagët dhe duke ju dhënë kurajë për të përballuar dhimbjet. Serbët gjurmuan gjithandej të burgosurit dhe pasi vranë e bënë atë që deshën, ne u detyruam të mbyllemi në pavijonin C ku vazhduam të mjekojmë plagët e shokëve. Mirëpo, duhet potencuar faktin se të burgosurit kanë qëndruar si burrat në ato rrethana të vështira. I jepnim zemër njëri-tjetrit dhe besonim se ishte afër fundi i luftës dhe se serbët nga dëshpërimi i humbjes po kryenin një masakër të tillë. Por, kishte edhe raste kur të burgosurit nuk i bënin dot ballë presionit të madh psikologjik dhe tentonin të vetëvriteshin ose edhe u vetëvranë. Njerëzit erdhën buzë dëshpërimit dhe nuk besonin se mund të duronin e përjetonin tortura e tmerre të tjera, prandaj edhe i dhanë fund jetës. Por numri i tyre ishte i vogël. Kryesisht të burgosurit mbaheshin mirë, si burrat. Dëshpërimi i madh dhe frika e vazhdueshme nga vdekja e torturat kanë shkaktuar trauma të pashërueshme tek të burgosurit shqiptarë. Njerëzit futeshin në hapësira shumë të ngushta vetëm për të gjetur një vend shpëtimi, por kishte raste kur gardianët, por dhe të burgosurit ordiner serb të armatosur, i gjenin dhe i ekzekutonin në vend. Duke parë një gjendje të tillë mes jetës e vdekjes, ne u mobilizuam dhe deshëm të bëjmë qëndresë. Të paktën të mos na vritnin pa asnjë rezistencë. Grupi ynë rrëmbyem shufra hekuri dhe më vonë edhe disa të tjerë qëndruan në një krah të pavionit të gatshëm për t’u përballur me fatin. Pasi erdhën disa të burgosur nga kuzhina e burgut ku qëndronin pjesa më e madhe e të burgosurve, dhe na e përcollën se gardianët kishin kërkuan që të dalim ose përndryshe do të na pushkatonin të gjithëve ne filluam t’i mblidhnim të plagosurit duke i dërguar të gjithë në sallë të sportit.

MË DËRGUAN NË BURGUN E BEOGRADIT NË GJENDJE TË RËNDË SHPIRTËRORE
Më 11 tetor 2000 më transferuan nga Pozharevci në burgun qendror në Beograd. Më dërguan në repartin psikiatrik, gjoja se nuk jam mirë me shëndet mendor. Nuk pranova të qëndroj aty dhe kërkoja të kthehesha në burgun e Pozharevcit, prandaj edhe e kam thyer një derë. Mbaj mend se katër apo pesë gardianë më kanë rrëzuar për tokë dhe njëri prej tyre përderisa isha me fytyrë për dyshemeje betoni më ka goditur me shqelm në fytyrë dhe në atë moment i kam humbur ndjenjat. Vetëm kur jam përmendur e kam parë veten në spital të lidhur për krevati me pranga. Vetëm njërën këmbë e kisha të lirë. Vinin gardianët dhe më rrihnin edhe të shtrirë në shtrat. Ngase nuk kisha ç’të bëja asgjë, e shaja me nënë një gardian që më godiste dhe ai më rrihte deri sa alivanosesha.

Nuk mund të hapja gojën, ngase ma kishin thyer nofullën. Aq isha i lodhur saqë as duart nuk mund t’i bashkoja. Ndërkohë më jepnin infusion intravenoz përmes damarëve. Më kanë thënë se në atë kohë kishin ardhur për vizitë prindërit katër herë, por në gjendjen që isha e mbaj në mend vetëm vizitën e fundit. Isha lodhur shumë dhe mezi merrja frymë. Më kishin marrë të gjitha rrobat e brendshme dhe isha vetëm me pizhame e këmbëzbathur.Mos gabofsha, quhej Sebastian Griecourt nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nga Franca, vinte e më vizitonte. Një herë i thashë se kam ftohtë. Ai i hoqi nga këmbët çorapët e tij dhe m’i dha.
Nuk mbaj mend shumë nga ajo periudhë e qëndrimit në spitalin e burgut. Isha dobësuar jashtëzakonisht shumë dhe kur ma sollën një dokument për ta nënshkruar nuk kisha mundësi as ta mbaja lapsin në dorë. Më bëhej se kërkonin të bëhesha bashkëpunëtor i serbëve, prandaj nuk desha ta nënshkruaj. Mirëpo, përfaqësuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar më sqaroi se po lirohesha nga burgu. Nuk mund ta besoja këtë gjë. Nuk shihja mirë, dhe më bëhej se isha verbuar. Vetëm kur me makinën e Kryqit të Kuq më dorëzuan tek familjarët në Merdarë, atëherë e besova.

NDONËSE ISHA NË MES TË FAMILJARËVE- NUK E BESOJA SE ËSHTË E VËRTETË
Takimi me familjarët ishte shumë emocionues. Më dërguan në spitalin e Prishtinës dhe më bënë një ekzaminim se mos isha sëmurë nga TBC-ja apo ndonjë sëmundje tjetër. Por nuk qëndrova aty, kërkova me ngulm të shkoja në shtëpi. Pas një muaj e gjysmë jam shtirë në Repartin Maksillofacial të QKUK-së . Më irritoi shumë fakti se një mjek më dërgoi në një sallë dhe aty ju jepte sqarime studentëve për gjendjen time shëndetësore, kurse një tjetër deshi të ma vendosë nofullën në vend duke mos ditur që kishte tre muaj që më kishin thyer nofullën, tragjikomike!
Dëshiroja që sa më parë të trajtohesha dhe të kthehesha në shtëpi. Nuk doja të qëndroja asnjë minutë larg shtëpisë dhe familjes sime. Më vonë më operuan dhe ma rregulluan nofullën , ndonëse ende nuk është në gjendjen më të mirë. Gjendja ime shëndetësore në atë kohë ishte e tmerrshme. Isha dobësuar shumë dhe mezi qëndroja në këmbë. Isha i zbehur i tëri dhe lëkura më ishte nxirë. Njerëzit vinin për vizitë, por shumicën nuk e njihja dhe nuk i dëgjoja mirë. Isha krejt i përhumbur. Nuk më besohej se isha në shtëpinë time. Nuk ka shkuar shumë kohë pas qëndrimit në spital diku kah mesi i vitit 2001 jam punësuar , si dhe i jam kthyer studimeve që më kishin mbetur.

Regjimit serb i kanë munguar vetëm dhomat e gazit të Hitlerit

Mendoj se regjimi serb nuk dallon nga regjimi nacist i Hitlerit. Vetëm dallon koha dhe mjetet në dispozicion. Mbaj mend se gjatë transferimit nga Dubrava për në Lipjan me 24 maj 1999, autobusi u prish dhe neve na futën në një kamion bagëtish. Mushamaja ishte hapur në një anë, ndërsa ne shihnim fëmijët serb në Lipjan që na bënin me dorë me gjeste sikur donin t’na prenin kokën. Kjo dëshmon sa e thellë ishte urrejta serbe ndaj shqiptarëve. Mendoj se atij regjimi i kanë munguar vetëm dhomat e gazit.

Burgu të tjetërson dhe nuk mund të jesh vetvetja. Përvojat e rënda në burg dikë e kanë forcuar e dikë e kanë stërkequr. Nganjëherë bisedoj me disa shokë burgu dhe qëndrimi ynë është se, kjo jetë për ne është si një shtesë apo “bonus”. Kemi mundur të vdesim të gjithë.

Pesonalisht ndjej se jam përpjekur të jap kontributin tim për vendin, por nuk kam bërë mjaftueshëm. Më e mira do të ishte sikur të mos kishim rënë në duart e serbëve dhe të kishim vazhduar luftën dhe të kisha dhënë kontribut më të madh për lirinë e Kosovës.

Liria nuk ishte ajo që e kishim menduar në burg. Të burgosurit nuk janë trajtuar në mënyrën më të mirë. Me ta është dashur të merret më seriozisht sistemi shtetëror dhe t’ju ofrohet një shans i dytë për jetë. Shoqëria nuk ka qenë e drejtë në raport me të burgosurit. Mungesa e hapësirës së nevojshme më pamundëson të jap më shumë kontribut dhe kjo më shqetëson më së tepërmi. Konkurrenca e ashpër dhe e pandershme më mundon, ngase do të doja të jap më shumë, sepse kam mundësi intelektuale e profesionale të bëj më shumë për Kosovën. Konsideroj se ky sistem nuk është më i miri i mundshëm dhe se nuk i kemi shfrytëzuar hapësirat e krijuara. Më ngushëllon fakti se Serbia nuk është më prezente në Kosovë me polici e ushtri, por kjo nuk është e tëra që më bën më të lumtur. E di se është dashur të ketë rezistencë kundër pushtimit dhe ta bëjmë punën tonë, mirëpo dikush sikur e sheh veten shpëtimtar të këtij populli, prandaj mendon se i meriton edhe privilegjet. Rrethanat ndërkombëtare kanë bërë që Kosova të ketë rastin e vet për të dëshmuar aftësi shtetformuese. Pseudovlerat po dominojnë dhe ky është realitet i dhimbshëm. Mashtrimi, demagogjia dhe keqpërdorimet janë pjesë përbërëse e jetës tonë dhe kjo më shqetëson më së tepërmi. Megjithatë jam optimist. Vazhdoj të luftoj me mundësitë dhe potencialin tim intelektual e profesional dhe mundohem të jap kontributin tim aty ku punoj si mësimdhënës në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren.
Nuk pres lëmoshë e as keqardhje nga askush, thjesht dua ta ndiej veten se trajtohem në mënyrë të drejtë dhe të barabartë si qytetar i Kosovës.

Bisedoi: Qemajl Krasniqi

Më Shumë

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Policia në Suharekë konfiskon dy armë zjarri

Në 24 orët e  fundit, policia në Suharekë ka konfiskuar dy armë zjarri.     Siç bëhet e ditur, në rastin e parë, gjatë  kontrollit në automjetin...

Lajmet e Fundit