8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Demarkacioni mund të jetë fundi i “regjimit” të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit!

Me një shtator, siç duket është vendosur që të votohet për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është e prerë pro kësaj marrëveshje, partitë tjera opozitare, apo disa deputet të koalicionit qeverisës janë kundër këtij ratifikimi.

Disa deputet të PDK-së, të PD-së dhe e gjithë opozita janë kundër Demarkacionit në këtë mënyrë, por LDK-ja është e vendosur që të kaloj kjo marrëveshje.

Mirëpo, analistët politik, insistimin e LDK-së me kreun e saj, njëherës edhe kryeministër të Kosovës, e shohin si të rrezikshëm për vendin. Ata për Gazetën InfoPress, theksojnë se, interesat personale vihen para atyre nacionale, gjë që, me këtë mënyrë të veprimit nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe partia e tij, mund të dështojnë politikisht, por edhe karriera e z. Mustafa mund të marr fund në politikë!

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thekson për InfoPress se, Isa Mustafa në njërën anë po i shërben si patericë Hashim Thaçit, për ta shpëtuar nga përgjegjësia e nënshkrimit të marrëveshjes së Demarkacionit, e në anën tjetër po insiston në miratimin e marrëveshjes, sepse dëshiron të qëndrojë në pushtet.

“Përndryshe, nuk ka kurrfarë arsye tjetër që ai t’i jep kaq zor që marrëveshja të ratifikohet. Mustafa e di se nëse bie nga pushteti, ky do të jetë fundi i tij politik, ashtu siç e di edhe Thaçi se nëse vërtetohet se Demarkacioni ka probleme, ai do të mund të ndiqet penalisht. Andaj, të dy janë bërë bashkë dhe po bëjnë çmos që demarkacioni të kalojë me çdo kusht. Të rëndësishëm e kanë interesin personal, e jo atë nacional”, thotë Mushkolaj.

Ndërsa, publicisti Faik Krasniqi, thotë se, nuk e kupton gjithë këtë insistim të kryeministrit Isa Mustafa dhe Presidentit Hashim Thaçi për ratifikimin e Demarkacionit, kur të gjithë ekspertët e pavarur, por edhe ekspertët e partisë së Mustafës, e konfirmuan me fakte të gjalla se Kosova me ratifikimin e Demarkacionit ashtu siç është punuar nga Komisioni Shtetëror, do të humbas 8200 hektarë ose 82 km2.

“Edhe pse mund të jetë në pyetje karriera politike e Isa Mustafës, në rast të dështimit të ratifikimit të Demarkacionit, interesat personale nuk guxojnë të vihen para atyre nacionale. Isa Mustafa dhe LDK-ja do të dështonin politikisht vetëm nëse ratifikohet Demarkacioni, sepse jo vetëm populli por në histori do të futeshin si tradhtarët e këtij kombi. Jo vetëm Isa Mustafa dhe LDK-ja, por të gjithë ata deputetë dhe ato parti që do ta bënin këtë marrëzi. Prandaj, duhet të kenë kujdes të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që mos ta bëjnë një marrëzi të tillë, pavarësisht presionit që kanë nga liderët e tyre partiakë!”, përfundon analisti politik Faik Krasniqi.

Kurse, për analistin Leon Duhanaj, çështja e Demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, është bërë aq shumë zhurmë e politizim, sa që me gjasë më askush nuk është i sigurt as çfarë të mendoj. “Këtë e them duke menduar që përpos ata që kanë agjenda politike të cilat synojnë t’i avancojnë duke politizuar me tema të interesit nacional”.

“Është vërtet për keqardhje se si në si shoqëri, e që thirremi e emancipuar politikisht, nuk po ia dalim të koordinojmë çështje me interes vital për vendin. Si ka mundësi që ne për asnjë moment dhe për asgjë, nuk kërkojmë dhe nuk gjejmë konsensus nacional të bazuar në mirëkuptim dhe në interes të vendit”, thotë Duhanaj për Gazetën InfoPress.

Sipas tij, kjo është vërtetë rast për t’u studiuar, pasi që kjo çfarë po ndodhë më politiken dhe shoqërinë tonë të tersi, nuk është normale.

“Tani duke qenë se tematika është tejet problematike dhe se propaganda ka arritur t’i vej në dilema, qoftë deputetët, qoftë edhe opinionin e gjerë, duke ua mjegulluar të pamurit dhe mundësinë për ta kuptuar drejtë këtë çështje. Është shumë problematike edhe të parashihet apo të paragjykohet një zhvillim hipotetik, në rast se ndodhë kjo apo ajo. E vërteta është se, me vetë faktin që janë gjithë këto sugjerime të miqve tanë ndërkombëtare, e posaçërisht atyre amerikan, çështja është shumë serioze dhe ka konotacion të rëndësishëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik për interesat e NATO-s në rajon”, shton ai.

Duhanaj thotë se, ne duhet të dëshmojmë si shtet, që jemi të gatshëm të marrim vendime, në interes të sigurisë nacionale dhe në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë.

“Tani mënyra se si do ta bëjmë mbetet të shihet, por duke qenë se kur ka vullnet për zgjidhje ajo gjithmonë gjendet, do të ishte e mirëseardhur nëse do të gjenim rrugë të përbashkët drejtë daljes nga ky kolaps. Kosova nuk e ka luksin të qëndroj në pengmarrje duke mos e lejuar zhvillimin normal. Së këndejmi, nëse nuk ka gatishmëri për zgjidhje të përbashkët atëherë është më mirë të deklarohen hapur dhe të shkohet në zgjedhje. Përgjegjësia tek deputetët është tejet e madhe dhe e kuptueshme, duke qenë se kjo temë është shndërruar në mjet propagandë, përmes së cilës deputetët ndahen në “patriot apo tradhtar”, kjo nuk është në shërbim të vendit pasi që duhet të shtrohet pyetja; çka nëse demarkacioni është mirë dhe se krejt kjo ka qenë një aranzhim i interesave pansllaviste të cilat janë në luftë diplomatike më SHBA-ne dhe NATO-n. Njëjtë siç mund të thuhet se nëse kanë ndodhur gabimet përgjatë përcaktimit të vijës kufitare atëherë do t’i bënim një dëm territorit”, pohon Duhanaj, duke shtuar se, mundësia për të gabuar është në të dyja anët, prandaj më e lehta për deputetët do të ishte nëse brenda subjekteve të tyre dalin me konsensus të plotë, pasi që ombrella partiake do t’i mbronte në çfarëdo rasti.

/Gazeta InfoPress

Më Shumë

Zafir Berisha: Lubizhda e Hasit ishte mbështetja e fuqishme e luftës së UÇK-së

Kryetari i Nismës në Prizren, Zafir Berisha ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e fshatit Lubizhdë të Hasit “Sot, 25 vite më parë (12 prill 1999)...

Nagavci: Projektligji për tekstet shkollore përmirëson cilësinë e arsimit

Të premten në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës është diskutuar për Projektligjin për tekste shkollore, të cilin është duke e kundërshtuar opozita. Madje,...

Lajmet e Fundit