9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Dënohen me burgim efektiv të akuzuarit për fajde në Prizren

Të akuzuarit për fajde, detyrim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje, Pal Morina, Engjëll Thaqi, Albert Kala, Nue Karica, Bernard Përlazeri, Gjon Kuzhnini dhe Eduard Morina, të martën, janë dënuar me burgim efektiv nga Gjykata Themelore në Prizren.

Engjëll Thaqi është shpallur fajtor për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje, duke u dënuar me burgim efektiv prej dy vitesh dhe me gjobë prej tre mijë euro.

I akuzuari Bernard Përlazeri, i cili po ashtu është duke u gjykuar për vrasjen e Hekuran Morinës, është gjetur fajtor për fajde dhe armëmbajtje pa leje, me ç’rast është dënuar me 20 muaj burgim efektiv dhe 2300 euro gjobë.

Të akuzuarit, Pal Morina dhe Nue Karica, janë shpallur fajtorë për veprën penale të fajdesë dhe janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim efektiv dhe me nga një mijë euro gjobë.

Edhe i akuzuari Albert Kala është shpallur fajtor për veprën penale të detyrimit dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv dhe dy mijë euro gjobë.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Gjon Kuzhnini është shpallur gjykim refuzues sepse prokuroria ka hequr dorë nga akuza.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Raime Elezi, ka vendosur që i akuzuari Eduard Morina të lirohet nga akuza e fajdesë, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë me pretendimin se ata përmes imponimit të fajdesë, ndaj familjes Kazazi, kanë marrë prej tyre shuma të mëdha të parave dhe kanë tentuar t’ua marrin shtëpinë, me anë të kërcënimit me armë.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit Engjëll Thaqi dhe Albert Kala, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarve, u kanë bërë presion me armë, që të paguanin kinse një borxh prej 150 mijë euro, përndryshe duhej ta bartnin shtëpinë në emër të tyre.

Në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit kanë shkuar vazhdimisht në shtëpinë e të dëmtuarve dhe i kanë detyruar ata të nënshkruajnë kontrata se kinse ata kanë marrë borxh nga të akuzuarit në shumë mbi 100 mijë euro.

I dëmtuari, Ibrahim Kazazi, më 11 janar 2017 është plagosur me armë zjarri nga dy persona, një ditë para se të fillonte dëshminë në këtë gjykim. I njëjti, më pas, ka dhënë dëshminë e tij përmes pajisjeve audio, nga një dhomë e veçantë në gjykatë.

Në seancën e mbajtur në fund të majit të vitit të kaluar, i dëmtuari Sefedin Kazazi, në dëshminë e tij ka treguar se si ky grup kishte përfituar nga ai shuma të mëdha të parave.

Ai ka treguar se të akuzuarve u kishte dhënë para në shumë prej 1500, 5300, 9300, në emër të kinse borxhit që u kishte djali i tij, atyre.

Tutje ka thënë se të akuzuarit Pal Morina, i kishte dhënë para në shumë prej 5300 euro, në emër të një borxhi që ia kishte pasur djali i tij, Ibrahimi.

Ka përmendur edhe dy raste kur të akuzuarit Engjell Thaqi dhe Albert Kala, i kishin dhënë atij shumat prej 20 mijë dhe 25 mijë euro, kinse për të mbuluar borxhin që djali i tij kishte ndaj dy personave.

Ky i dëmtuar gjatë atij shqyrtimi ka thënë se ato para nuk i kishte marrë asnjëherë, sepse të njëjtat para, Engjulli dhe Alberti i kishin marrë dhe ia kishin dhënë Bernard Perllazerit.

Përlazëri po ashtu është duke u gjykuar për vrasjen e Hekuran Morinës, pas një konflikti për një borxh të pretenduar nga ai, prej 70 mijë eurosh./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në përurimin e Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, raporton Ekonomia Online. Muzeu përmban...

“Fëmija po rrezikohen”- vozitje të “çmendura” në një fshat të Malishevës, pamje nga kamerat

Në njërën rrugë të fshatit Drenoc të Komunës së Malishevës banorët atje po rrezikohen nga ngasësit e veturave. Pamjet nga kamerat e sigurisë që janë...

Lajmet e Fundit