9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Dënohet pesë muaj burgim me kusht, mjeku Nevzat Bajrami nga Dragashi

Mjeku nga Dragashi, Nevzat Bajrami, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të enjten, është dënuar me pesë muaj burgim me kusht, dënim ky i caktuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur në mes tij dhe prokurorisë.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka thënë se pas negociatave me të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, kanë arritur marrëveshje, që i njëjti të dënohet me burgim prej pesë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda një viti nuk kryen vepër të re penale.

Po ashtu edhe avokati Bestar Kolgeci, i cili mbron të akuzuarin, ka deklaruar se negociatat për të arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale dhe ka kërkuar që e njëjta marrëveshje të pranohet nga gjykata.

Me mbrojtësin e tij, është pajtuar edhe i akuzuari Bajrami, i cili ka deklaruar se me vullnet të plotë dhe pa presion nga askush ka hyrë në negociata për pranimin e fajësisë dhe se më nuk do ta përsërisë asnjëherë gabimin e bërë.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi ka pranuar marrëveshjen në fjalë dhe i ka shqiptuar dënimin e paraparë si në marrëveshje, po ashtu e ka obliguar të akuzuarin që të paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 100 euro.

Nevzat Bajrami, akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prizren për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar të tij, në cilësinë e mjekut në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka lëshuar dokumente mjekësore të zbrazura, të cilat i ka  nënshkruar dhe vulosur me vulën e institucionit, e të cilat dokumente janë përdorur nga persona të ndryshëm, të cilët kanë kërkuar azil në Francë.

Bajrami, për këto shërbime, kishte pranuar nga palët dhurata, dreka dhe shuma të parave prej pesë eurosh.

Më Shumë

Katër vite pa aktorin Rikard Ljarja

Aktori Rikard Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e...

Policia në Suharekë konfiskon dy armë zjarri

Në 24 orët e  fundit, policia në Suharekë ka konfiskuar dy armë zjarri.     Siç bëhet e ditur, në rastin e parë, gjatë  kontrollit në automjetin...

Lajmet e Fundit