9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Deputeti i LDK’së tregon se a do të emërohet ministër, bën thirrje për marrëveshje të shpejtë me VV’në

Anton Quni thotë se arsyeja se pse LDK-ja po tenton që të dakordohet me VV-në edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin është se në këtë mënyrë shmangen zgjedhjet e reja, e mundësohet një qeveri stabile dhe e sigurtë, që do të thotë mandat afat gjatë me partinë e Albin Kurtit.

Mirëpo, kreu i LDK-së në Komunën e Prizrenit ka mohuar se Isa Mustafa është personi për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës po e përgatit këtë pozitë, pasi që shton se deri më tani nuk është diskutuar për emra të përveçëm.

Derisa Lidhja Demokratike tashmë po insiston që të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si tjetër dikaster që po thuhet se ka zgjedhur Isa Mustafa në takimin me Albin Kurtin është edhe Ministria e Forcës dhe Sigurisë. Në një nga këto dy dikastere po përmendet se do të emërohet Quni. Duke folur për herë të parë për këtë temë, deputeti i zgjedhur, thotë se nuk ju ka ikur asnjëherë sfidave e detyrave, e mbrojtja dhe siguria e qytetarëve do të ishte një detyrë për të cilën shton se do të punonte me nder për ta përmbushur.

Në fund, Quni ju ka bërë thirrje LDK-së e Vetëvendosjes që të arrijnë marrëveshje sa më shpejtë për të mos i zhgënjyer votuesit e të dy partive.

Intervista e plotë:

Gazeta Express: Cili është qëndrimi juaj për bisedimet LDK – VV, si dhe për përplasjet e fundit, që i kanë lënë dy partitë pa arritur marrëveshje? A duhet të diskutohet në këtë fazë pozita e presidentit që do të pasojë Hashim Thaçin, dhe a duhet që LDK-ja të marrë këtë pozitë?

Anton Quni: Mendoj që trajtimi i postit të presidentit në kuadër të bisedimeve për ndarjen e përgjegjësive mes partnerëve është e nevojshme për stabilitetin e qeverisë së ardhshme. Kjo pozitë duhet plotësuar pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, dhe një marrëveshje në parim do të lehtësonte zgjedhjen e presidentit të ri. Dështimi për ta zgjedhur presidendin siç besoj e dini edhe ju, e çon vendim në zgjedhje të reja, ndërkohë që ne po synojmë të kemi një qeveri stabile dhe të sigurtë në plotësimimin e mandatit të saj kushtetues, si dhe një bashkëpunim edhe më afatgjatë me VV-në.

Gazeta Express: Kush duhet të emërohet në këtë pozitë, a është kreu i partisë, Isa Mustafa personi që do të nominojë LDK-ja?

Anton Quni: Nuk është biseduar asnjëherë për emra të përveçëm, përveç mediave që përmendin emra të mundshëm. Mendoj që LDK nuk po negocion për ta bërë president një person, nuk ka emër rreth të cilit është ngritur kjo çështje, por, po insiston të bisedohet rreth një pozite të rëndësishme shtetërore e cila së shpejti duhet të plotësohet dhe për këtë nevoitet pajtueshmëri gjentëlmene mes palësh.

Gazeta Express: Sa i përket ndarjes së dikastereve, pse po insistohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme?

Anton Quni: Secila ministri ka peshën e vet, normalisht që disa kanë përgjegjësinë më të zgjeruar, në kuptimin e rëndësisë së çështjeve që mbulojnë. Luftimi i krimit dhe korrupsionit, rendi dhe ligji janë problemet akute që kërkojnë të zgjidhen. është normale që secila parti politike të synojë të udhëheq me dikaster, puna në të cilat mundëson të sjelli rezultate të prekshme te qytetarët. LDK ka kuadro të përgaditur mirë profesionalisht dhe të dëshmuar për secilën ministri që merr, prandaj, mendoj që ndarja e ministrive mes partnerëve nuk do të paraqet problem.

Gazeta Express: Si një nga deputetët më të votuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, së fundmi po përmendeni si emër potencial i LDK-së që do të udhëheq një nga ministritë e ardhshme? Çka ka të vërtetë në këtë pjesë, a ju është ofruar ndonjë post?

Anton Quni: Ne jemi ende në negociata me partnerin tonë VV-në, ende nuk e kemi një marrëveshje përfundimtare që rrumbullakson dukjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar. Në momentin që arrihet marrëveshja, atëherë fillon faza tjetër brenda partisë tonë ku emërohen individët përkatës për dikaster.

Pra është lidershipi i LDK-së që përcakton se me kënd do të prezantohet në qeveri. Personalisht, nuk ju kam ikur asnjëherë sfidave, përgjegjësive e detyrave që më janë caktuar. Me qenë përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe vendit tim do të ishte për mua një përgjegjësisë e detyrë për të cilën do të punoja me nder për ta përmbushur, por, ende nuk ka emërimi apo caktime në asnjë pozitë, sepse fillimisht na duhej një marrëveshje mes LDK e VV e cila besoj se do të arrihet së shpejti.

Asnjëra palë nuk e kemi luksin që t’i zhgënjejmë votuesit tanë dhe gjithë qytetarët të cilët po presin të shohin formimin e një qeverie ndryshe, një qeveri që do ta udhëheq vendin me duar të pastra, do ta luftoj krimin e organizuar e korrupsionin, do ta kthej zhvillimin ekonomik në binarët e normales, do të përmirësoj cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë dhe do të jep zgjidhje shumë e shumë problemeve të ciat si rezultat i keqqeverisjes së fundit kanë rënduar në masë të madhe jetën e qytetarëve. Rikthimi i shpresës te qytetarët e vendit, duhet të jetë kryefjala dhe kallëzuesi, për të dy neve partnerëve në bisedime.
Nuk guxojmë ta harrojmë se, shpresa e humbur po e zbrazë vendin. Prandaj, na duhet urgjentisht arritja e pajtueshmërisë afatgjate për qeverisje të mirë deri në fund të një mandati të plotë me mundësi bashkëpunimi +katër.

Më Shumë

Totaj priti në takim përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”, të këtij qyteti. Kjo shoqëri mban gjallë që 73 vjet...

Paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e një vajze të mitur. Të dyshuarit thuhet se janë...

Lajmet e Fundit