2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dëshmitari: Fatmir Gjurgjeali përcolli dokumente sekrete mes emailit privat

Dëshmi nga ish-kolegë të Fatmir Gjurgjealit, ish-zyrtarit policor, i cili akuzohet për veprën penale të zbulimit të fshehtësive zyrtare, vënë në dukje se ai ka përdorur adresën private të emailit për të përcjellë informacione sekrete.

Diçka e tillë u dëshmua në seancën e radhës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të enjten, gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj Fatmir Gjurgjealit, ish-zyrtarit policor, i cili akuzohet për veprën penale të zbulimit të fshehtësive zyrtare.

Kodi Penal i Kosovës për veprën penale me të cilën ngarkohet Gjurgjeali parasheh dënim me burg deri në 5 vjet.

Në vazhdimin e procedurës së provave të enjten në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua shefi i sektorit për hetime financiare në Policinë e Kosovës në Prishtinë, Avni Namani.

Dëshmitari Namani, tha se nga shefi i hetimeve dhe inteligjencës rajonale kishte marrë informatën se Fatmir Gjurgjeali (tani i akuzuar) po përdorte adresën private email për të dhënë informata të inteligjencës policore.

Ai tha se kanë kërkuar nga gjykata lëshimin e urdhëresës për zbatimin e masave të fshehta, të cilën gjykata e ka lëshuar.

“Kur i kemi hap këto email adresa kemi vërejtur se një sërë dokumentesh të klasifikuara si konfidenciale, apo sekrete gjinden të ruajtura posaçërisht në email adresën f*******@hotmail.com”.

Pas këtyre veprimeve, Namani, tha se e kanë arrestuar Fatmir Gjurgjealin dhe po ashtu i kanë bastisur edhe shtëpinë ku kanë gjetur materiale të dyshimta, të cilat tha se tani i posedon gjykata.

“Ne kemi dyshuar se Fatmir Gjurgjeali, i ka vendosë në emailin e tij privat këto dokumente sekrete në mënyrë të paautorizuar me qëllim që personi tjetër i cili e ka poseduar email adresën e tij dhe fjalëkalimin e tij, të ketë qasje dhe t’i shkarkojë të gjitha dokumentet që gjenden në këtë email”.

Në pyetjen e avokatit Bashkim Nevzati, dëshmitari Namani u përgjigj se nuk kanë mundur ta vërtetojnë nëse dikush tjetër ka pasur qasje në emailat privat të akuzuarit Gjurgjeali, kjo tha për faktin se kompanitë e “gmail” dhe “hotmail” gjenden në ShBA dhe marrin shumë kohë dhe është vështirë për t’u kontaktuar.

Për fund, dëshmitari Namani, tha se provat rrethanore çojnë tek e vetmja arsye që informatat të përcillen te personi tjetër.

Për ditën e njëjtë ishte planifikuar që të dëgjohet edhe dëshmitari nga Mitrovica Afrim Koshi, mirëpo ky i fundit edhe pse kishte marr ftesën në rregull, nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Me propozimin e prokurorit të shtetit, kryetarja e trupit gjykues dhe se të akuzuarin Koshi seancën e radhës do ta ftojë me forcë me anë të policisë.

Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit e ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit e ngarkon atë se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione Gjurgjeali, në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në email-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

Seanca e radhës do të mbahet më 29 maj, kur do të dëgjohen edhe tre dëshmitarë tjerë./KALLXO.COM/

Më Shumë

Enea Koliqi, ‘Ylli i javës’ në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 29-të...

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Lajmet e Fundit