11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Dëshmon eksperti mjeko-ligjor në rastin e Reshtanit

Në rigjykimin kundër tre të akuzuarve për vrasjen e Burim Kryeziut dëshmoi eksperti mjeko-ligjor dr. Cen Morina.

Burim Kryeziu ishte lënduar rëndë në rrahjen në fshatin Reshtan të Suharekës në gushtin e vitit 2002 mes djemve të dy vëllezërve Nuhi e Jonuz Kryeziut, ndërsa kishte vdekur pas një jave në spital.

Seanca ishte paraparë që të fillojë në orën 11:00 por prokurorja Ervehe Gashi, kishte kërkuar që të shtyhet deri në orën 13:00, për arsye se ndodhej në një takim.

Në seancën e sotme dëshmoi dr Cen Morina që kishte bërë ekspertizën mjeko-ligjore të Burim Kryeziut në kohën kur ai pas rrahjes ishte ende gjallë.

Morina përshkroi ekspertizën e bërë njësoj si gjatë gjykimit të mëhershëm të këtij rasti.

Avokatja e Enver Kryeziut, njërit nga të akuzuarit për këtë vrasje e kundërshtoi dëshminë e Morinës, me arsyetimin se vdekja e Burim Kryeziut dhe autopsia për të e kanë konsumuar ekspertizën para vdekjes.

Por kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj ia shpjegoi avokates se duhet të merren parasysh të gjitha provat e këtij rasti, pasi kështu kishte kërkuar Gjykata e Apelit kur ktheu në rigjykim këtë çështje.

Pastaj nuk pati ndonjë kundërshtim për dëgjimin e ekspertit.

Në rastin e rrahjes në Reshtan nga goditjet e dyanshme me shkopinj druri, çekanë e thika mes familjarësh e miqsh, mbetën të lënduar edhe 5 meshkuj të dy familjeve.

Ditën kur ndodhi rrahja Nuhi Kryeziu po organizonte ditën e dytë të dasmës së djalit të tij Kujtimit.

Dy familjet kishin mosmarrëveshje edhe më parë, ndërsa rrahjen e kishte nxitur parkimi i veturave para shtëpisë ku po zhvillohej dasma.

Gjykata Themelore në Prizren më 11 shtator të vitit të kaluar dënoi me 40 vjet burg të gjithë të akuzuarit e këtij procesi.

Gjykata e Apelit më 24 prill të këtij viti aprovoi kërkesën e të dënuarve Fadil Shala dhe Enver e Artan Kryeziut duke e kthyer në rigjykim rastin e tyre.

Fadil Shala qe dënuar me 15 vjet burg, ndërsa Enver e Artan Kryeziu me 13 vjet burg, për vrasjen e Burim Kryeziut.

Në seancën e ardhshme të caktuar më 3 gusht është paraparë të dëshmojë eksperti i mjekësisë ligjore dr Flamur Blakaj. /Kallxo.com/

Më Shumë

Liria në shtëpi pret Dukagjinin

Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin. Vendasit nuk e...

Beteja për titull zhvillohet në Suharekë

Ndeshje vendimtare për titullin e kampionit mund të jetë derbi që zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë mes liderit aktual në elitë, Ballkanit dhe...

Lajmet e Fundit