8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Edhe dy policë të tjerë, e mohojnë se kanë marrë ryshfet

Dy nga 20 zyrtarët policorë, Safet Veliu dhe Ismail Azemi, që akuzohen për marrje të ryshfetit, kanë deklaruar se me përpikëri i kanë kryer detyrat e tyre duke mohuar se kanë pranuar para nga shkelësit e rregullave të komunikacionit në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Të akuzuarit Veliu e Azemi, kanë dhënë mbrojtjen e tyre, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Polici Ismail Azemi, në mbrojtjen e tij, ka deklaruar se asnjëherë gjatë detyrës së tij nuk i janë ofruar dhurata apo shpërblime të tjera, duke shtuar se kurrë nuk ka marrë ndonjë vërejtje nga eprorët e tij.

“Nuk kam marrë asnjëherë vërejtje, përkundrazi kam marrë vetëm lëvdata dhe mirënjohje”, ka deklaruar i akuzuari Azemi.

Ai ka kërkuar nga trupi gjykues që të bëjë analizimin e detajuar të CD-ve, që janë shfaqur në seancën e 8 dhjetorit të këtij viti, nga të cilat prokuroria pretendon se këta zyrtarë policorë vërehen duke marrë ryshfet.

Sipas të akuzuarit Azemi, kërkesa për analizimin e këtyre CD-ve, ka të bëjë me arsyetimin, pasi sipas tij, ka mospërputhje ndërmjet pamjeve dhe transkripteve të bisedave.

Ndërsa, kolegu i tij, Safet Veliu, gjatë mbrojtjes së tij, ka deklaruar se detyra e tij në autostradë, ka qenë mbajtja e matësit të shpejtësisë, apo siç njihet ndryshe, radarit.

“Unë e kam pas për detyrë të bëjë matjen e shpejtësisë së automjeteve me laser, i kam ndalë kundërvajtësit dhe më pas kolegu im, Shemsi Demolli, i ka shkruar tiketat”, ka deklaruar i akuzuari Veliu.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Demolli, avokatit Nexhmedin Sejdija, nëse kanë qëndruar gjatë gjithë kohës jashtë veturës në momentin, kur i mbrojturi i tij, i ka shkruar gjobat, i akuzuari Veliu, është përgjigjur se jo, pasi që nganjëherë është futur edhe në makinë,  ngase sipas tij, jashtë ka mbretëruar mot i ftohtë.

Veliu ka thënë se me të akuzuarin Shemsi Demolli, është njohur kohëve të fundit gjatë patrullim në autostradë, por një gjë të tillë e ka mohuar Demolli, duke thënë se këta dy njihen tash e 13 vjet.

Në lidhje me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Demolli, avokati Nexhmedin Sejdija, ka kërkuar nga trupi gjykues që të dy të akuzuarit Demolli dhe Veliu të ballafaqohen në këtë seancë.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar avokati Haxhi Millaku, mbrojtës i të akuzuarit Safet Veliu, me arsyetimin se sipas ligjit, të akuzuarit nuk duhet të ballafaqohen, ngase secili prej tyre, ka të drejtë të deklaroi ashtu siç ai din më së miri ta mbron veten.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Serjani, e ka refuzuar kërkesën e avokatit Sejdija.

Ndërsa, të akuzuarit Shefki Zeka, Aziz Krasniqi dhe Afrim Rafuna, janë mbrojtur në heshtje, duke mos u deklaruar në këtë shqyrtim gjyqësor.

Seanca për fjalën përfundimtare është caktuar më 22 dhjetor 2017, në ora 13:15 dhe 28 dhjetor 2017, në ora 10:00.

Përveç dy prej 20 të akuzuarve, të cilët qysh në shqyrtimin fillestar e kanë pranuar fajësinë, në seancat e kaluara zyrtarët e tjerë policorë të akuzuar për marrje të ryshfetit, Shemsi Demolli, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka, Nuhi Zogaj si dhe Ismail Azemi e Safet Veliu, janë deklaruar të pafajshëm, duke mohuar pretendimet e prokurorisë, se kanë pranuar para nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarë policor të njësisë së autostradës “Ibrahim Rugova”, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej dy dhe tre zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast janë të akuzuar 20 policë, mirëpo në shqyrtimin fillestar, policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani, kanë pranuar fajësinë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Vodhi kuletën e një gruaje tjetër, policia shpall në kërkim të dyshuarën nga Prizreni

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare për veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Policia njofton...

Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës,...

Lajmet e Fundit