16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ëndrra rome

Sa është e vështirë për të arritur suksese për një pjesëtarë të komunitetit pakicë në Kosovë dhe si shihen romët nga të tjerët në Kosovë. Politikani Jallxhi Shala, poeti e deputeti Kujtim Paçaku e këngëtari Titomir Veshalli rrëfejnë se si ia dolën që të kenë suksese përkundër mos respektit shtetëror për komunitetin që i përkasin.

Titomir Veshalli kujton vitin 1978 kur për herë të parë doli në skenë për të kënduar këngën himn të romëve ?aje Šukarije. Për djalin 11 vjeçar, skena e një koncerti qe hapi i parë drejt ëndrrës së madhe për të qenë këngëtar. Ai nuk do ta besonte atëherë se një ditë do të jetojë gjatë në ëndrrën e vet. I rritur në një familje muzikantësh, Veshalli thotë se ishte familja ajo që e shtyri e i dha forcë.

“Ata gjithmonë thoshin se kam me u ba një këngëtar i mirë, por unë nuk e besojsha”. Një nga këngëtarët më të njohur të komunitetit romë flet me dashuri të madhe për këngën, pas 37 vjetësh në skenë.

I ulur pranë shatërvanit të famshëm të Prizrenit, Tito, siç e thërrasin, 48 vjeçar, i lindur në Prizren, thotë se fillimi i karrierës muzikore ishte i vështirë për një muzicient rom, por liria që komuniteti rom gjithnjë ka pasur në qytetin e vjetër, qe njëfarë lehtësimi.

Prizreni si qytet ku jetojnë komunitete të shumta pakicë, ka një koncetrim të madh edhe të komunitetit rom, në një numër që llogaritet të jetë prej rreth 6500-7000, banorët e të cilit për këngëtarin janë të hapur për artin e kulturën e një komuniteti pakicë. Tito kujton miqtë e kolegët që e kanë ndihmuar në katër dekada jetë më muzikën në gjuhën rome, shqipe e në atë turke, pa ndihmën e të cilëve thotë, se nuk do ia kishte dalë.

Për njeriun e lindur e të rritur me këngën, porosia e madhe për romët është arsimimi, por pas shkollimit, ai do t’ua përkujtojë të mos e harrojnë muzikën.

Prizreni është qytet që shquhet për multietnicitetin, ndërkaq vetë romët thonë se kanë dhënë një kontribut jo të vogël sidomos në muzikë, me pjesëmarrjen në shoqëri të ndryshme kulturore. Pothuaj se nuk ka dasmë shqiptare pa praninë e romëve nën dirigjimin e orkestrës. Këngën, diellin e varfërinë thonë e kanë në gjak. Edhe jetën e lirë e shpesh jetesën në natyrë, dhe zakone e tradita tipike të komunitetit, origjina e të cilit mendohet të jetë India e largët.

Porosia e madhe: Arsimimi

Diskriminimi dhe varfëria i ka përcjellë romët në historinë e tyre të zhvendosjes nëpër botë, por diskriminimi i tyre në Kosovë dikur, thonë se ishte pjesë e përditshmërisë. Megjithatë jeta e komunitetit rom në Kosovë, thonë të jetë përmirësuar, por një ndër problemet kyçe të këtij komuniteti mbetet arsimimi, vetëdija për të cilin varet nga vetëdija individuale dhe ajo e familjeve rome për t’i dhënë arsimimin e duhur fëmijëve.

Nëse para dy dekadash romë të rrallë kanë arritur të studiojnë jashtë Kosovës, sot numri i studentëve nga ky komunitet kalon shifrën 50, të cilët kryesisht studiojnë në Universitetin publik të Prizrenit dhe në universitete të tjera private.

Ardian Maksuti është një ndër studentët e paktë që ka mbaruar juridikun në Universitetin e Prishtinës.

Fëmija i shtatë në familjen në të cilën asnjëri nuk ka vazhduar më shumë se shkollimin fillor, Ardiani ndjek ëndrrën për të qenë një njeri i ligjit. Si një student rom në Prishtinë, thotë se në fillim ka pasur dyshime, por mikëpritja e shoqëria që ka gjetur në kryeqytet, ka shënuar një nga kohët më të bukura të jetës së tij.

Ardiani ndjek nivelin e studimeve Master në Fakultetin Juridik dhe është kryetar i degës së Partisë së Re të romëve të Kosovës në Prizren. Mban veshur rroba zyrtare dhe shenjën gjelbërt e kaltërt të subjektit politik . “Jam sugari i shpisë, familja ka dhënë gjithçka për edukimin tim” flet me krenari djali 27 vjeçar.

Familja është shtyllla nga e cila i riu ambicioz ka mundur të ndjekë ëndrrën.

Nga ëndrra për një avokat a gjyqtar deri te ëndrra për një politikan me peshë, Ardiani thote se do që t’i shfrytëzojë të dyja për t’i ndihmuar komunitetit nga vjen. “Janë mësu me atë retorikën se komuniteti rom është i padijshëm, i paarsimun, por kjo duhet të thehet njëherë e përgjithmonë”. Për të shkollimi është arma më e fortë e një njeriu dhe vetëm shkollimi do i ndihmonte të ecnin përpara romëve të Kosovës.

Megjithatë varfëria në të cilën jetojnë romët dhe pamundësia për punësim, krijon pengesë të madhe.
“Edhe ne jemi njerëz!”

Në qeverinë e kaluar komunitetin rom e ka përfaqësuar Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, në zgjedhjet kombëtare 2014 ndërkaq, subjekti politik që zuri vend është partia e re, Partia e Re e Romëve të Kosovës. Kryetar i saj është absolventi i juridikut, 41 vjeçari, Jallxhi Shala. Shala sapo është emëruar edhe zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës. Në javën e dytë në postin qeveritar synimet i ka të mëdha.

Politikani elegant e i ri, veshur me rroba firmato, thotë se politikës i ka hyr jo për qëllime personale, po për hir e për të mirën e komunitetit që përfaqëson, për të cilin partia paraprake rome, thotë se ka bërë pak.

Ai është lodhur nga padrejtësitë që në vazhdimësi i janë bërë këtij komuniteti përsa i takon punësimit në Kosovë, pakoja qeveritare e së cilës megjithë përkrahjen në letra, prioritet gjithnjë i ka dhënë komunitetit serb.

“Ne s’qenkemi njerëz!! Ata janë komunitet, ne jemi komunitet. Zero jemi për kah mundësitë që i kemi për punësim, të drejtat nga 10 përqindëshi janë vetëm letra, nuk respektohen”. Shala thotë se romët vazhdojnë të shtypen e të privohen dhe se ndryshe thuhet në qeveri, e ndryshe zbatohet në praktikë, dhe thirrja e tij se më nuk duan letra “Duam zbatim!”.

Ai flet edhe për telashet në zyret për komunitete, qoftë ato qeveritare e qoftë ato lokale, në të cilat thotë se në vend që të punësohet komuniteti rom, janë të zëna nga komunitete të tjera. Shkelja e romëve ka ndodhur në secilin mandat të qeverisë së Kosovës pohon Shala, ‘Po luajnë me ne”. Si kryetar i subjektit politik rom, është i mendimit se situata mund të bëhet alarmante nëse gjërat nuk ndryshojnë, por premton se vetë do të bëjë çmos.

Rutina e përditshme e kërkimit të lëmoshës

Shala ikën për një takim zyrtar. Derisa me Ardianin bisedojmë për varfërinë në të cilën jeton komuniteti i tij, një vajzë rome kërkon lëmoshë.

Tri vjeçarja flokë kaqurrele, endet nga tavolina në tavolinë. Vanesa është plot jetë e gëzim dhe buzëqesh kur kamarieri i jep një akullore. Ulet në njërën nga shkronjat e simbolit të shtetit të ri të Kosovës, Neëborn, murmurit një këngë hit e tregon me gisht të ëmën, e cila pak metra më tutje poashtu kërkon lëmoshë.

Merita Hysenaj, e ëma e Vanesës, nënë e gjashtë fëmijëve, rri ulur në një cep. Në njërën dorë mban djalin dy vjeç, tjetër e ka shtrirë për lëmoshë. Për të, zgjatja e dorës është mënyra e vetme për të sigurar bukën e gojës. “Jemi mësuar, nuk kemi as punë, as kurrgjo”. Merita thotë se jeton në një nga garazhet e harruara në qytetin e Prishtinës. Për të shoqin nuk flet, por tregon se pesë fëmijët e mitur e ndihmojnë në këtë “rutinë” të përditshme.

Merita kujton kohën e luftës 98-99, e cila për të ishte një goditje në standardin e jetës edhe ashtu të varfër të romëve në Kosovë. Kujton bombardimet e forcave të NATO-s, dhe shpërnguljen më pas.

Kohë kjo kur romët qenë shpërngulur e dëbuar në numër të madh, të akuzuar nga komuniteti shqiptar për bashkëpunim me forcat policore dhe paramilitare serbe. Ndonëse nuk ka një shifër të saktë për numrin e romëve të shpërngulur, familje të pastreha dhe të zhvendosura brenda e jashtë vendit, janë të shumta.

Pogaqja nacionale

Nga lypësarët që bredhin rrugëve te një poet i jashtëzakonshëm rom. Kujtim Paçaku do të shkruante poezinë e sofrës rome dhe poezinë e jetës nën lëkurën me ngjyrë.

Paçaku është deputeti i vetëm në Kuvendin e Kosovës që përfaqëson komunitetin rom. Në zyrën e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, mirëdita thuhet në disa gjuhë. Dikush flet në romishte, dikush në shqipe, dikush në serbishte e dikush në gjuhën boshnjake. Kujtimi ua kthen në të gjitha.

Po çfarë mund të bëjë poezia në politikë? Autori i disa librave me poezi, Magjistër i shkencave të pedagogjisë muzikore, i diplomuar në romulogji në Paris dhe në akademinë e arteve në Prishtinë, thotë se kultura është si një avion ushtarak për politikën. Dhe kjo është arma e tij.

Për Paçakun, qëllimi në politikë është që të bëjë më shumë për komunitetin ku përket ”Ky komunitet meriton shumë më shumë, për punësim, shkollim, trajtim shëndetësor, e sidomos meriton gjendje më të mirë të banimit”. Deputeti i vetëm rom thotë se mbase paragjykimet mbi ta kanë bërë që romët të jenë aty ku janë, porse është i bindur se meritojnë një statut më të lartë kulturor, ekonomik e politik, aq më shumë për kontributin dhënë bashkëjetesës multietnike në Kosovë.

Kujton verën e vitit 1999 kur nga Prizreni udhëtonte në Prishtinë, i ulur në fund të autobusit. “Nuk ishte lehtë që një person me lëkurë të zezë të udhëtojë nëpër Kosovë në atë kohë.” Një mik artist e kishte ftuar të luajë në dramën me temë pikërisht një familje rome. Miku e kish porositur që ta mbajë kryet lart se Kosova, Prishtina, është edhe e tija. Për një shkrimtar rom, të luajë në shfaqje e të marr pjesë në mbrëmje poezie, ishte gjë e madhe, kujton kohën Kujtimi. Kështu zuri fill dhe ëndrra e tij.

Por nga 16 vjet më parë, gjërat kanë ndryshuar. Deputeti ndan mendimin se romët në Kosovë kanë potencial të bollshëm intelektual, dhe ajo që mund të japin nuk është e paktë. Ai kërkon realizimin e asaj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës e promovon. “Sa implementohet ai ligj në parim, është pikëpyetje e madhe- fare pak të punësuar në institucionet vendimarrëse të kosovës. Sepse ekziston ligji i shërbimit civil, 10 % e pakicave. Por në kët rast si pakicë tretmanin shumë më të mirë e kanë serbët”, duhet të pajtohemi, thotë Kujtimi, por kërkon që “pogaqja nacionale” të ndahet në proporcione të barabarta.

Kërkesën e tij për barazi me pakicat tjera në Kosovë, deputeti poet e ngrit mbi bazën e kuadrove që kanë krijuar romët, të cilët do të mund të integroheshin lehtë në shoqërinë kosovare, po t’u jepej mundësia.

Përtej ëndrrave individuale, ëndrra e misioni i romëve në shoqërinë kosovare është kthyer në luftën e përfitimit të të drejtave të barabarta për të gjithë, ashtu siç vazhdimisht i promovon Republika e Kosovës në synimin e saj për të krijuar një shoqëri multietnike e demokratike./Gazeta Jeta ne Kosove/

Më Shumë

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

Zweig pas vdekjes së Moisiut: Ai që na e solli këtë art të shenjtë, qoftë i bekuar

Nga: Stefan Zweig (fjalë lamtumire shkruar pas vdekjes së Aleksandër Moisiut më 22 mars 1935) Përktheu: Albert Vataj Kush pati fatin e lumtur ta njihte nga...

Lajmet e Fundit