6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Fahri Musliu: Kur hipokrizia e PDK-së s’ka kufi!

Gazetari Fahri Musliu ka reaguar ndaj deklaratave të dy ministrave të PDK-së, Uran Ismajli e Abelard Tahiri, në një debat televiziv, të cilët kishin thënë se Qeverisja e Ramadan Mujës në Prizren, duhet të jetë model.Musliu në një shënim në Facebook, për botimin e të cilit është marrë pëlqimi i autori, deklaratat e dy ministrave të PDK-së i ka quajtur tragjike e komike.Shënimi i plotë i Musliut, të cilin Gazeta Blic e boton të plotë dhe pa ndërhyrje,transmeton Blic.

Postimi në Facebook

KUR HIPOKRIZIA S’KA KUFI!

Këto ditët të fushatës elektorale çka mos nuk kemi dëgjuar, por ajo që dëgjova të enjten mbrëma (12.10.2017, ora 22.00) në emision televiziv “Debat +” të Tv Dukagjinit, nga dy zyrtar të lartë të PDK dhe aktualisht ministra, po të mos ishte tragjike do të ishte komike.Ata, duke folur për të arriturat e qeverisjeve të partisë së tyre me lëvdata të papara, e morën si shembull Prizrenin. Thanë se (parafrazim) “qeverisja e Ramadan Mujës është shembull i qeverisjes së mirë për mbarë Kosovën sepse qyteti është zhvilluar me hov të madh dhe të gjithë që vijnë në Kosovë kërkojnë ta vizitojnë. Prizreni i ka konturat e një qyteti qysh duhet të jetë dhe kjo ka ndodhur me qeverisjen e Ramadan Mujës, nga se është bërë një investim i madh…të gjitha revistat e kanë nxjerrë Prizrenin si shembull që duhet vizituar dhe kjo ka ndodhur falë qeverisjes së PDK…e cila edhe e ka ruajtur trashëgiminë kulturore dhe kjo i bënë të gjithë me e vizituar Prizrenin, për çka ne krenohemi…?

Ishin të kota përpjekjet e dy gazetarëve, njohës të gjendjes në Prizren, që ti hidhnin poshtë këto konstatime të dy skifterëve të PDK, duke vlerësuar se qeverisja e kryetarit Muja e ka shkatërruar qytetin.
Isha bukur i shqetësuar me këto konstatime prandaj vendosa tua paraqes realitetin në pika të shkurta: Prizreni nuk e mbanë më epitetin e qytetit të kulturës, sepse që nga përfundimi i luftës e veçmas nga ardhja në pushtet e PD, në krye me Ramadan Mujën, këtu çdo gjë është rrënuar;

Prizreni ka përjetuar masakrim urbanistik apo urbicid, qendra historike, falë OJQ “Ec më ndryshe” pjesërisht ka shpëtuar nga rrënimi i tërësishëm për interesat klanore apo partiake; trashëgimia kulturore po ruhet gjithashtu falë OJQ, e jo pushtetit i cili disa vite me radhë nuk ia ka dalë ta rregullojë hapësirën e Kalasë, as objektin e Hamamit (po meremetohet me vite); në pjesën qendrore është hequr kalldrëmi e janë vendosur do pllaka guri vetëm për të përfituar nga tenderët..

Prizrenin dikur djep i qytetarisë dhe i kulturës sot është kapluar nga jokultura, primitivizmi, tallavaja, kiqi, shundi; qyteti ka disa muzeu (që pak vizitohen) por jo edhe muzeun popullor (kombëtar), kurse disa objekte të kultit nuk janë të funksionale; ekziston teatri profesional që shfaq dy premiera gjatë sezonit (të cilat shikohen gratis) dhe disa repriza të cilat shfaqen në sallën boshe (çmimi i biletës 2 euro); qyteti nuk ka godinë të teatrit (shfrytëzohet shtëpia e kulturës e cila nuk e ushtron funksionin e vet kulturor); nuk ka teatër amator, teatër të kukullave; gjeneratat e reja nuk kanë pasur rast të shohin balet, operë, mjuzikëll, pantomimë; qyteti nuk ka galeri të arteve; Festivali i DokuFestit, si mburrje e qytetit, është meritë e dashamirëve të kulturës dhe artit si dhe shumë manifestime tjera kulturore, e jo meritë e pushtetit i cili madje nuk gjen as mjete minimale për ti ndihmuar materialisht. Sepse Drejtoria e Kulturës nuk çanë kokën për kulturën e cila është në bisht të lahutës; për këtë mosinteresim, po e pëson edhe SHKA Agimi, më e vjetra në Kosovë, (e cila gati u shndërrua në qebaptore) dhe tash është ndarë në dy grupe, por edhe festivali i njohur i muzikës qytetare “Zambaku i Prizrenit” (këtë vit zambakët çelën në shtator, e jo në qershor!); para 7 vitesh disa entuziast e themeluan “Orkestrën e qytetit” por ajo nuk ka as lokal për ushtrime as ndihmë financiare nga komuna, kur për dhënien e koncerteve udhëheqja e Shtëpisë së Kulturës u kërkon 300 euro për shfrytëzimin e sallës (siç ndodhi para një jave).

Në qytetin e kulturës nuk mund ta shihni asnjë përmendore të personaliteteve të kulturës, artit, letërsisë, muzikës; por në qendër janë ngritur lapidar për heronjtë e luftës së vitit 1999, (përkulëm para sakrificës së tyre) dhe gjeneratat e reja duhet të mësohen e edukohen me pushkë, bombë, bajonetë, uniformë ushtarake;…Ndoshta për këta zyrtar të PDK, të cilët në Prizren edhe vijnë kohë pas kohe, model i zhvillimit dhe i kulturës është Lumbardhi, Shatërvani, Kalaja shekullore, objektet e vjetra sarkale të cilat kurrë nuk i kanë vizituar…apo qebaptoret “Te Syla”, “Beska”, “Pashtriku”, apo restorantet në luginën e Zhupës ku janë vizitor të rregullt…Kujtoj se këta zyrtar qendror dhe tjerë, do të ishte mirë t’i lexojnë raportet e OJQ të kulturës ((Ec më ndryshe para se gjithash) mbi gjendjen në urbanizëm, trashëgimi kulturore dhe kulturë në tërësi dhe të bisedojnë me njerëzit e zakonshëm gjatë vizitave në qytet, e jo të flasin si me jetuar në Mars. Kjo dëshmon për një hipokrizi pa kufi.

Ndoshta për ta dëshmuar suksesin e zhvillimit të Prizrenit si “mode i qeverisjes së deritashme”, PDK ka vendosur që t’i “qeros” banorët e Prizrenit me transferimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit në këtë qytet, por nuk di si mund të ndikojë ajo në kthimin e epitetit të kulturës qytetit. Besoj se edhe kjo Ministri do ta ketë fatin e “Akademisë diplomatike” (2012) e cila duhej të vepronte në këtë qytet, për çka komuna pat caktuar edhe lokalin, por ndodhi ndryshe.

Prizrenit mund t’ia kthej epitetin e qytetit të kulturës dhe qytetarinë vetëm një qeverisje kompetente dhe e përgjegjshme, aktivistet e kulturës, artdashësit dhe të gjithë banorët që e duan qytetin e vet.

Vërejtje: Ky shkrim nuk mund të publikohet në ndonjë medium tjetër – portal apo gazetë, pa pëlqimin e autorit.

Më Shumë

Lajmet e Fundit