16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Fati i të zhdukurve, plagë e hapur që 17 vite

Edhe pse kanë kaluar gati 17 vite që nga mbarimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e rreth 1.650 personave të cilët konsiderohen të zhdukur që nga mbarimi i luftës.

Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë që të bëhet më shumë për ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre pasi siç thonë deri tash ka munguar një vullnet politik që të lëvizte diçka në këtë drejtim.

Nysrete Kumnova, nga shoqata “Zëri i nënave”, ka thënë për KosovaLive se fati i personave të zhdukur duhet të ndriçohet sa më shpejt në mënyrë që të mbyllet kjo plagë e moçme që po u djeg familjarëve.

Kumnova i ka bërë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të bëjnë më shumë në këtë drejtim dhe më në fund kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Mesazhi im si familjare është t’i bëj një thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të bëjnë të pamundurën për ndriçimin e fatit të 1.650 qytetarëve ku në mesin e tyre është edhe djali im i vetëm Albioni. U bënë gati 17 vite kur adresa dihet, është te shteti serb të cilët i kanë të gjitha argumentet, faktet por edhe krimet që i kanë bërë, secili ka informacione për secilin veç e veç se çfarë ka bërë por ka munguar vullneti i mirëfilltë i të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për ta ndriçuar së paku fatin e të pagjeturve. Si nënë bëjë apel që të bëhet më shumë për fatin e personave të zhdukur dhe kriminelët të dalin para drejtësisë për krimeve që i kanë bërë jo të kenë ledhatime e përkrahje. Fati i më të dashurve tanë duhet të ndriçohet sa më shpejt dhe të mbyllet kjo plagë njëherë e përgjithmonë. Data 30 gusht është një datë e rëndësishme por edhe e dhimbshme sepse të gjithë familjarët e të zhdukurve do ti përkujtojmë më të dashurit tanë që ende nuk dimë për fatin e tyre”, ka deklaruar Kumnova.

Edhe Bajram Qerkini, nga shoqata “Zëri i prindërve”, tha për KosovaLive se nuk po bëhet sa duhet në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur dhe Serbia po vazhdon të luaj me ndjenjat e familjarëve me arsyetimet më të ulëta.

“Fajin kryesor e ka bashkësia ndërkombëtare që po toleron këtë lojë të turpshme të Serbisë por edhe që s’po i kryen punët e veta siç duhet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Ne kemi pritur deri tash që ndërkombëtarët të bëjnë diçka më shumë për të zhdukurit por ata pa e pasur një trysni prej vendorëve nuk bëjnë diçka konkrete kështu që presim edhe nga vendorët të bëjnë më shumë dhe të zbardhet e vërteta për më të dashurit tanë”, ka thënë Qerkini.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur e pranon se nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por tregon edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen ata që merren me këtë çështje. Gjetaj i konsideron të drejta kërkesat e familjarëve që të bëhet më shumë në këtë drejtim, mirëpo thekson se po angazhohen brenda mundësive të tyre dhe e pranon se nuk është çdo gjë në dorën e tyre.

“Familjarët çdo herë janë kërkues dhe kanë të drejtë në kërkesat e tyre, mirëpo ne si përfaqësues të institucioneve normalisht angazhohemi brenda mundësive, por duhet pranuar se nuk është çdo gjë në dorën tonë. Fillimi i hulumtimeve në lokacionet e dyshuara për varreza masive në Serbi nuk varet prej nesh.

Nuk varet prej nesh edhe kur është fjala për lokacione në Kosovë, sepse ende në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, gjegjësisht në mjekësinë ligjore i ka kompetencat EULEX-i. Pra ky mision i ka kompetencat e plota edhe për zhvarrime edhe për gërmime kështu që ne do të sillemi brenda mundësive dhe kompetencave që i kemi”, theksoi Gjetaj.

Një ditë më parë nëpërmjet një deklarate për media me rastin e Ditës ndërkombëtare për persona të zhdukur, shefi i Misionit EULEX në Kosovë, Gabriele Meucci ka thënë se kjo është çështje thelbësore e cila i prekë shumë familje në Kosovë dhe në të njëjtën kohë tejet e rëndësishme për Misionin.

“EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes ekspertizës forenzike për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në çdo mënyrë të mundshme”, ka deklaruar Gabriele Meucci, shef i Misionit EULEX në Kosovë, me rastin e Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur.

Ndërkohë, në kuadër të shënimit të 30 gushtit, Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur për tri ditë radhazi janë mbajtur aktivitete në shënimin e kësaj dite. /KosovaLive/

Më Shumë

Universiteti “Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Karamanoglu Mehmetbey nga Turqia

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti Karamano?lu Mehmetbey nga Turqia, sot kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Siç bëhet e ditur sipas njoftimit, marrëveshja është...

Konfiskohet drogë në vlerë rreth 70 mijë euro në Suharekë, arrstohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe prokurorinë, kanë arrit të realizojnë identifikimin e katër personave të...

Lajmet e Fundit