10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Formimi i FAK-ut, i varur nga konsensusi me Listën Serbe

Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë ende ndonjë hap përpara në drejtim të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Qeveria dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë deklaruar në vazhdimësi se FSK-ja është e gatshme për marrjen e përgjegjësive të reja, të cilat mund të dalin nga ky transformim. Por, që të bëhet hapi tutje drejt këtij transformimi, do të nevojitet edhe një vendim politik.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë, konsiderojnë se çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura ka mbetur peng i një konsensusi politik.

Deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se arsyet pse kjo çështje nuk ka shkuar përpara qëndrojnë tek pasiviteti i institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, e kanë injoruar procesin.

“Institucionet e Kosovës nuk e kanë trajtuar seriozisht si temë. Ndërsa, duket se kohët e fundit e kanë marrë më seriozisht edhe për shkak të shumë rrethanave që po ndodhin në rajon dhe jashtë tij, pra shumë kërcënimeve, si nga ekstremizmi, apo edhe nga vetë terrorizmi. Tash po duket se edhe faktorët miq, siç është ShBA-ja, e ka një interesim shumë më të theksuar që transformimi i FSK-së të ndodhë sa më shpejt”, ka thënë Haradinaj.

Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përsëritur disa herë se FSK-ja tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar edhe nga NATO.

Anëtari tjetër i Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fadil Demaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se të gjitha çështjet në lidhje me proceduarat ligjore kanë përfunduar. Por, sipas tij, ngecjet janë për çështje politike.

“Mendoj se duhet një angazhim edhe më i madh i institucioneve tona, një trysni shumë më e madhe edhe ndaj komunitetit serb, përfaqësuesve politikë të tyre në Kosovë. Ata në fund të fundit janë deputetë me vota të Republikës së Kosovës. Këtu duhet të jetë trysnia shumë më e madhe e faktorit vendor dhe ndërkombëtar, i cili normalisht ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset”, ka deklaruar Demaku.

Për themelimin e FAK-ut është i nevojshëm edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Andaj, kjo dikton nevojën e konsensusit politik me Listën Serbe, pasi ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

Deputeti Demaku thotë se shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura nuk mund të bëhet pa dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.

“Çështje të tjera nuk ka veç nevojës për një konsensus, sepse duhen edhe votat e dy të tretave të pakicave. Mendoj se problemi është politik dhe nuk kemi njohuri për ndonjë problematikë tjetër”, është shprehur Demaku.

Nga ana tjetër, deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se deputetët serbë ende nuk kanë marrë një vendim lidhur me këtë çështje.

“Kryeministri disa herë ka theksuar se do të formohet FAK-u, por nga ana tjetër sa u takon deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, askush me ne nuk ka biseduar. Se a do të ketë ndryshime në të ardhmen unë nuk e di, por tash për tash sa i takon FAK-ut nuk kemi zhvilluar bisedime”, ka thënë Rashiq.

Plator Avdiu, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se si duket ende nuk po ekziston një angazhim konkret dhe serioz i institucioneve të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Po ashtu, ai ka thënë se kjo çështje më së shumti është shfrytëzuar për konsum të brendshëm politik.

“Mungon një lobim i fuqishëm nga ana e Qeverisë për ta shtyrë përpara agjendën për kompletimin e arkitekturës së sigurisë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përkatësisht shndërrimit të FSK-në në FAK. Siç po duket, Qeveria ende nuk i ka kuptuar peshën dhe rëndësinë e themelimit të FAK-ut, duke mos e vendosur si prioritet kryesor në këtë fazë të shtetndërtimit”, ka theksuar Avdiu.

Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë t’i kalojnë amendamentet kushtetuese për votim në Kuvend lidhur me themelimin e FAK-ut.

“Për këtë duhet të ndodhë një debat i brendshëm në vend, duke përfshirë edhe partitë politike serbe në Kosovë. Nëse marrëveshjet e bisedimeve me Serbinë vendoset të dërgohen për miratim në Kuvend, atëherë parakusht për këtë të jetë pëlqimi i subjekteve serbe në Kuvendin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese për themelimin e FAK-ut”, ka thënë Avdiu.

Këto forca, sipas ekspertëve të çështjeve ushtarake dhe sigurisë, do të formohen gradualisht dhe nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e plotë të NATO-s brenda pesë deri 10 vjetët e ardhshëm, ngjashëm siç ka ndodhur edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës. Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do ta diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.

Forcat e Armatosura mund të themelohen vetëm nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n.

Më Shumë

Totaj takohet me Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka takuar Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba, në një drekë solemne në Army & Navy Club...

Moti sot: Me shi dhe reshje bore

Këtë të mërkurë në Kosovë pritet të ketë ulje drastike të temperaturave ku priten reshje shiu. Reshjet do të jenë në formë të rrebesheve, të...

Lajmet e Fundit