21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Forumi Transparenca: Ramadan Muja t’i ndalë kërcënimet ndaj gazetarëve

Ramadan Muja 2Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja vazhdon të përdorë gjuhë disiplinuese dhe kërcënuese ndaj gazetarëve për mënyrën e raportimit sa i përket çështjeve të komunës. Ai ka keqpërdorur debatin publik për buxhetin e komunës për të ngritur akuza ndaj gazetarëve, duke aluduar se ata po përdredhin fjalët e tij.

“Gjatë gjithë kësaj jave, kryetari i Komunës ka mbajtur debate publike për buxhetin në disa zona të komunës. Raportimi i mediave lidhur me diskutimet që kanë ndodhur në debatet në Gjonaj, Reçanë e Korishë me gjasë nuk i kanë pëlqyer kryetarit Muja, pasi që në këto debate janë artikuluar mjaft pakënaqësi nga qytetarët. Në debatin përmbyllës në sallën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, teksa po i përgjigjej pyetjes së një qytetari, ndonëse fillimisht ka deklaruar se nuk dëshiron të përdorë fjalor konfrontues, fjalën e tij e ka vazhduar me konstatimin se gazetarët zakonisht i përdredhin fjalët e tij”, thuhet në reagimin e Forumit Transparenca.

“Forumi Transparenca dënon publikisht fjalorin rëndues të kryetarit Muja mbi përfaqësuesit e mediave. Ky fjalor është dëshmi e përpjekjeve të tij për të ushtruar presion ndaj gazetarëve, të cilët me raste edhe janë kërcënuar nga kryetari vetëm pse e kryejnë punën e tyre dhe refuzojnë t’i nënshtrohen çfarëdo diktati të pushtetit. Ky nuk është rasti i parë që kryetari Muja vepron kësisoj. Për më tepër, kjo sjellje e kryetarit Muja ka ndodhur gjatë debatit publik me qytetarët, rast të cilin ai e ka keqpërdorur për t’i disiplinuar gazetarët që të raportojnë sipas qejfit të tij”

“Liria e të shprehurit dhe pavarësia redaktorialë e mediave janë parime të shenjta të demokracisë. Për këtë arsye, Forumi Transparenca e fton kryetarin Muja që të përmbahet nga fjalori kërcënues ndaj gazetarëve. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje kryetarit Muja që t’u kërkojë falje publike gazetarëve të Prizrenit. Mbi të gjitha, Forumi Transparenca e udhëzon kryetarin Muja që, në rast se ka ankesa për punën e gazetarëve, t’i shfrytëzojë mekanizmat përkatës institucional që rregullojnë fushën e medieve në Kosovë apo edhe mekanizmat gjyqësorë. Tentimi për t’i paraqitur gazetarët si “e keqja” para qytetarëve, në një debat mbi buxhetin e komunës, është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet e qeverisjes demokratike dhe dëmton edhe më shumë transparencën”/PrizrenPress.com/

Më Shumë

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Gjendet në humnerë personi që u raportua si i zhdukur në Prevallë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur burri nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur dje. Policia ka bërë me dije se...

Lajmet e Fundit