13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Gjykata e Apelit shumë shpejtë cakton Kolegjin e gjyqtarëve të EULEX-it, për rastin e Ramadan Mujës

Ramadan MujaGjykata e Apelit shumë shpejtë, do të caktojë kolegjin e gjyqtarëve nga EULEX-i, për rastin e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës dhe ish-drejtorëve të tij.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari tha për “PrizrenPress” se Kolegji i gjyqtarëve, do të caktojë edhe datën e mbajtjes së seancës për rastin “Muja”.

“Akoma nuk është caktuar data e mbajtjes se seancës së kolegjit në Rastin “Muja”. Së shpejti këtij rasti do t’i caktohet një kolegji të gjyqtareëve të kryesuar nga EUELX-i, i cili edhe do të caktoj datën e mbajtjes së seancës në përputhje me planin vjetor te punës se kësaj gjykate dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, tha Jashari.

Sipas tij, ankesat kundër Aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Themelore të Prizrenit, që mban datën 13 mars 2014 me numër P.nr. 171/13, janë pranuar në Gjykatën e Apelit me 08 korrik 2014 dhe lënda është regjistruar me numrin PAKR 349/14”.

“Por lënda është dërguar fillimisht tek Prokuroria e Apelit për mendim me 09 korrik 2014 dhe na është kthyer në Gjykatën e Apelit tek me 4 shtator 2014. Praktikisht i bije që kjo lëndë ka vetëm disa ditë që është ne dispozicion te gjykatës sonë”, tregon Jashari.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunal, më 13 mars 2014, u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Kryetari Muja, për katër pikat e aktakuzës, u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Minir Krasniqi ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.
Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.
Historik i shkurtër i rastit Muja

Procedura ndaj Mujës dhe të tjerëve, ishte nisur më 25 mars të vitit 2013, për të përfunduar në marsin e vitit 2014.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Gjykimin e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues nga radhët e EULEX-it, Vladimir Mikula.
Mozbatimi i veprimit të Gjykatës Supreme

Në vitin 2006, Gjykata Supreme kishte shpallur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 dhe 8619 që kanë sipërfaqe prej 0.20.65 dhe 0.06.22 hektarësh. Të dyja kanë vlerë rreth 50 mijë euro.

Për tri vjet rresht, nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit kishte njoftuar Kryetarin e Komunës, përmes një memorandumi që vendimi i Supremes duhej ekzekutuar, Muja kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.

Meqenëse toka nuk ishte kthyer në pronësi të komunës, nga veprimet e kryetarit të komunës dhe drejtorit të gjeodezisë kanë përfituar Minir Krasniqin (i pandehur tjetër në këtë rast), M.Q dhe J.A.

Dhënia e tokës “Gulistanit”

Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntori 2010 dhe 11 shkurt 2011, gjatë së cilës kohë Muja së bashku më Minir Krasniqin, drejtor i Administratës dhe Avni Ademajn, ushtrues detyre i Drejtorit për Gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”.

Të tretë në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 eurosh.

Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja, andaj komuna nuk mund ta posedonte.

Në mënyrë që të administronin me të, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.

Tokën e AKP-së Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010, kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtin ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga ky i fundit po atë ditë.

Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë më Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepej kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.
Tokë edhe për fabrikën “Kamila”

Pika e tretë e aktakuzës tregon që Muja kishte vazhduar të merrte veprime të paligjshme kur bëhej fjalë për shfrytëzim pronash.

Në periudhën kohore nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre, kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “Kamila”.

Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metrash katrorë, në vlerë prej 40 mijë eurosh, në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Pika e fundit e aktakuzës, ka të bëjë me ndërprerjen e përfaqësimit të ekspertëve të gjeodezisë në lëndët e gjykatës.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, kryetari Muja me nxjerrjen e një konkluzioni më 2 gusht 2012, të cilën për nënshkrim ia kishte ofruar drejtori i Administratës Minir Krasniqi, kishte ndaluar përfaqësimin e ekspertëve të gjeodezisë në gjykatë.

Ndërsa drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Abdullah Tejeci, në bazë të këtij konkluzioni i kishte urdhëruar ekspertët që të mos përfaqësojnë në gjykatë, kështu që ishte bërë bllokimi i lëndëve gjyqësore për gjashtë muaj rresht./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Haxhi Krasniqi rikthehet në ring, zbulohet kundërshtari dhe data e meçit

Boksieri kosovar, Robin Haxhi Krasniqi do të rikthehet në ring. Krasniqi për kundërshtar do ta ketë portugezin, Jorge Silva. Meçi zhvillohet me datë 4 maj në...

Presidentja Osmani uron qytetarët për Fitër Bajram: Solidariteti ndërnjerëzor, trashëgimi e jona e çmuar

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për festën e Fitër Bajramit, duke thënë se solidariteti ndërnjerëzor, i cili e shoqëron muajin e...

Lajmet e Fundit