10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Gjykimi për korrupsion ndaj inspektorit në Prizren, refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës

Gjykata Themelore në Prizren e ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, në rastin ku inspektori i tregut në Komunën e Prizrenit, Fatmir Gashi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai akuzohet se në gusht të vitit 2014, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, me dashje shkel  Ligjit për Lojërat e Fatit, duke dhënë pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Refuzimi i kërkesës për hudhjen e aktakuzës, është bërë në seancën e së martës, pasi paraprakisht mbrojtësi i tij, avokati Skender Morina ka parashtruar një kërkesë të tillë.

Avokati Morina, ka thënë se e mbështet kërkesën për hudhjen e aktakuzës, ndërsa sa i përket propozimit të provave, ai ka thënë se e rezervojnë të drejtën që dëshmitarët dhe provat t’i paraqesin gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi ka kërkuar që aktakuza të pranohet, pasi që sipas saj, ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe se fajësia e të akuzuarit do të vërtetohet gjatë procesit gjyqësor.

Sipas saj, autorizimi për dhënien e pëlqimit ka rrjedhur nga memorandumi i bashkëpunimit, që sipas saj, ishte bërë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

“Është e vërtetë që pos dhënies së pëlqimit janë edhe kushtet tjera që duhet të përmbushen për dhënien e lejes, por të gjitha këto kushte duhet të përmbushën në mënyrë komulative, po të konstatohej që mungon largësia e kërkuar me ligj, nga institucionet fetare apo shkollat nuk do të pajisej “Game plus” me leje për veprimtari”, ka thënë  prokurorja Gashi.

Ndërsa, i akuzuari Fatmir Gashi i ka kundërshtuar pretendimet e prokurores, duke thënë se pëlqimi lëshohet në bazë të ligjit, e jo në bazë të memorandumit.

“Pëlqimi lëshohet në bazë të Ligjit mbi Inspektoratin e Tregut dhe Ligjit mbi Tregtinë e Brendshme, e jo në bazë të memorandumit, ekziston edhe udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ku na obligon në mënyrë ligjore për dhënien e pëlqimit për çdo lloj biznesi. Memorandumi është vetëm një mirëkuptim për t’i ndihmuar inspektorët e lojërave të fatit”, ka thënë ai.

Pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Skender Morina, që aktvendimi për refuzimin e kërkesës për hudhjen e aktakuzës t’i dorëzohet me shkrim, gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë në afatin e paraparë ligjor.

Në seancën fillestare të mbajtur më 10 qershor 2019, i akuzuari Fatmir Gashi, ka mohuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Barnetta: Xhaka është lider i vërtetë

Bayer Leverkuseni luan sot prej orës 17:30 ndaj Ëerder Bremenit. Me fitore, skuadra e Granit Xhakës shpallet kampione e Bundesligës. Dhe merita të mëdha...

Siguria në Prizren, vlerësohet e mirë

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, ka pritur në takim Besar Gashin, drejtori i Departamentit për Operative të SHKK nga Drejtoria...

Lajmet e Fundit