12.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Haskuka: Aktakuza ndaj drejtorëve është e pabazë, punët e komunës po bllokohen

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në Interaktiv të KTV-së e ka quajtur të pabazë aktakuzën ndaj drejtorëve të tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kujtojmë se të martën, Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasemit, drejtor i Shërbimeve Publike nga radhët e Vetëvendosjes, Fejzë Kabashit të LDK-së, drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqirit, drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, Ganimete Babunës asambliste si dhe Ares Shporta nga shoqëria civile, të gjithë anëtarë të Komisionit për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës Publike.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare sepse kishin favorizuar ofertuesen F. B., duke i dhënë në shfrytëzim një lokal në Shatërvan, ani se ajo kishte ofruar rreth 20 euro për metër katror, kurse ofertuesi tjetër, në këtë rast i dëmtuari A. D., kishte ofruar rreth 25 euro.

“Dje pasdite e mora dhe e kontrollova aktakuzën dhe lidhet për dhënien në shfrytëzim pronën publike. U befasove dhe e pash se ishte një proces administrativ dhe vendimet janë hedhur në asamblenë komunale dhe ajo shkon në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe ka ardhë se është e ligjshme dhe pas kësaj komisioni ka bërë punën e saj. Në bazë të kësaj gjithçka ishte sipas ligjit, një nga palët që ka qenë i pakënaqur ka paraqitur kallëzim penal”, ka thënë Haskuka.

Ai thotë se fituesi zgjidhet sipas çmimit dhe kritereve të vendosura në ankand.

“Kriteret kanë qenë shumë dhe në mesin e tyre është edhe numri i të punësuarve dhe të gjitha ato kritere janë vlerësuar dhe në atë mënyrë është vendosur. Çmimi nuk e determinon se kush e fiton dhe nuk ka asnjë dëshmi se personi përfitues ka ndonjë lidhje familjare nga komisioni. Kurse në komision ka pasur edhe persona nga shoqëria civile. Nuk vendos një person dhe prandaj formohen komisionet”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo nuk është hera e parë kur ka pasur tendenca të tilla për të penguar punën e Komunës.

“Kjo tendencë nuk është e para dhe të tilla raste kemi pasur edhe për rrënimin e ndërtimeve paleje. Në shumë raste në qendrën historike të Prizrenit kur MMPH në mënyrë arbitrare ka intervenuar në vendime të Komunës dhe ka hapur konflikt administrativ. Prokuroria në Prizren është tërësisht në dispozicion të njerëzve me të cilët kanë pasur lidhje dhe ata dëshirojnë të bllokojnë punën e komunës. Do të kemi shumë problematike që të caktojmë njerëzit nëpër komisione”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se, “kjo aktakuzë nuk ka logjikë. Nëse aty ish shënuar se dikush e ka kushtëzuar me dhënien e ndonjë paraje për këtë ankand, ose dikush ka përfituar nga rasti që e ka fituar këtë ankand, por këtu nuk ka asnjë dëshmi”.

Më tutje Haskuka ka folur për shkeljet që kanë bërë qeverisjet lokale para tij, e të cilat i kanë dërguar në Prokurori por asgjë nuk ka ndodhur.

“Asnjë komunë nuk ka pasur të fshijë borxhet e qiradhënies dhe në atë kohë janë fshirë borxhet e njerëzve që kanë shfrytëzuar pronën publike. Kjo është aplikuar në Prizren dhe kjo është vepër penale. Si atëherë edhe tani po tentohet të njolloset puna e komunës. Ndaj atij që ka marrë vendim nuk po ngrihet aktakuzë, kurse ngrihet ndaj atyre që kanë ekzekutuar ato. Pra, ata me këtë u thonë njerëzve nëse jeni me Haskukën jeni të rrezikuar, e nëse jeni me ne nuk iu prek askush. Është krim juridik nga ana e Prokurorisë. Por, me këtë duhet të merret Këshilli Prokurorial por dihet se në çfarë gjendje janë. Kemi dorëzuar mbi 30 faqe për shkeljet që ka bërë kryeprokurori i Prizrenit”, ka thënë Haskuka.

Ai thotë se s’do të shkarkojë drejtorët, pasi për një gjë të tillë nuk ka bazë ligjore, derisa ka theksuar se edhe ai është thirru disa herë për t’u marrë në pyetje, siç i quan banale.

“Nuk ka bazë për me e shkarkuar drejtorin. Gjyqësori duhet të vërtetojë fajësinë, e deri në atë moment këta janë të pafajshëm. Edhe mua më kanë thirr 3-4 herë në Prokurori, për çështje banale. E më kanë pyetur pse keni vepruar kaq shpejtë. Disa herë më kanë thirr. Këto grupe të organizuara janë pikërisht këta, që janë caktuar në rastin “Pronto””, u shpreh ai.

Haskuka ka insistuar se po pengohet puna e komunës.

“S’po më pengon puna e sistemit të drejtësisë. Në dy vitet e fundit kanë penguar punën tonë. Kanë thirrur njerëzit tanë duke i mbajtur në pyetje rreth 6 orë. Ka aq shumë shkelje në Komunën e Prizrenit sa që të gjithë ish-drejtorët do të duheshin të dënoheshin. Në vend se të ngriheshin aktakuza ndaj tyre, ngrihen ndaj zyrtarëve komunalë aktualë. Në vend të atyre që kanë marrë vendime persekutohen zyrtarët komunalë”, ka thënë Haskuka.

Kreu i Prizrenit gjithashtu ka thënë se nuk ka mbështetje edhe nga disa aktivistë të Vetëvendosjes në Prizren.

“Nuk kam mbështetje nga disa njerëz brenda Vetëvendosjes ndoshta sepse merren me tituj e nuk merren me përmbajtjen. Ka njerëz që kanë bërë gabime të tilla. Kjo është më shumë në qendrën në Prizren, ata janë aktivistë kryesisht, nuk janë persona shumë të rëndësishëm. Kurti më ka këshilluar të jem pak më pak nervoz, pasi këto gjëra mund të kalojnë”, ka thënë Haskuka.

Haskuka në fund ka bërë thirrje që të bëhet një konferencë ku prezent do të ishin edhe juristë dhe të flitet për të gjitha këto aktakuza që janë ngritur edhe ndaj drejtorëve të tij, por edhe për shkeljet që Vetëvendosje ka gjetur nga qeverisjet e kaluara lokale, e për të cilat, siç thekson ai nuk ka ndodhur asgjë dhe askush nuk është dënuar.

Më Shumë

25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe dhe në tri fshatrat e Rahovecit

25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa...

“Messi i Prizrenit”, talenti që ishte afër transferimit në Manchester City

Në Prizren e thërrasin “Messi”. Shpesherë driblon bukur sikur Leo dhe dhuron magji me të majtën. Ylli Myrtezanin dhe kampionin e botës e lidh një fakt...

Dhimbja

Lajmet e Fundit