9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Haxhiu: Kërkesa e PDK-së është e pabazuar

Albulena Haxhiu ne gjykat  Albulena Haxhiu ne gjykatAlbulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje u ndal te dy dispozita të Kushtetutës që sipas saj dëshmojnë të kundërtën e parashtruesit të kërkesës dhe tregojë se kërkesa e PDK-së është e pabazuar.

Ajo tha se Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë vetëm konstatimin se a u bë propozimi nga grupi më i madh parlamentar, gjë të cilën mund ta vërtetojë te regjistrimi i deputetëve.

Haxhiu tha se detyrimi i kryesisë së mëparshme është rendi i ditës për seancë solemne dhe nuk është çështjes së gjykatës për shkak se ajo është e drejtë e Kuvendit të Kosovës ta ndërpres masën e përkohshme të sigurisë dhe kërkesën e deputetëve të PDK-së ta konsiderojë të papranueshme.

Ja çfarë tha Haxhiu në seancën e Gjykatës Kushtetuese:

Të nderuar gjyqtar të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,
I nderuari Kryetar i Gjykatës Kushtetuese,

Së pari ju falënderoj për organizimin e kësaj seance dëgjimore, konsiderojmë që është tejet e rëndësishme, që secili subjekt politik i përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës të paraqesë opinionet, qëndrimet dhe argumentet lidhur me kërkesën e parashtruar me nr. KO119/14.

Sipas njoftimit të 21 korriku 2014 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit Nr. 05-V-001, të njëjtit kanë parashtruar kërkesën bazuar në Nenin 113 paragrafi 3 pika 5 dhe Nenit 113 par. 5 të Kushtetutës, Nenit 38 dhe 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Referuar kësaj baze ligjore konsiderojmë çështje kontestuese si në vijim:

Dy baza juridike në të cilat parashtruesit e kërkesës janë thirrur:

Së pari, Neni 113 par. 3 pika 5 dhe Neni 113 par. 5 i Kushtetutë s.
Këto dy dispozita janë elemente qenësore për Gjykatën që të bëjë konstatimin e përmbushjes së prezumimeve procedurale në bazë të të cilave konstatohet përmbushja e kushteve që subjekti i caktuar të konsiderohet si palë e autorizuar, e po ashtu të vlerësohet edhe aspekti i pranueshmërisë materiale të kërkesës, ratione materiae.

Në aspektin material dispozita e Nenit 113, paragrafi, 3, pikës 5 vërteton faktin se kërkesa në fjalë nuk ka mbështetje juridike për parashtrimin e saj. Kjo sepse në Nenin 39 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese është precizuar kushti i shterjes së mjeteve juridike, duke theksuar se rrjedha e afatit 30 ditor për të parashtruar kërkesën mbi këtë bazë kushtetuese është momenti i shterjes së mjeteve juridike. A janë shterur mjetet juridike nëse po cilat janë ato mjete juridike që i ka shfrytëzuar pala parashtruese e kërkesës për të kontestuar Vendimin e Kuvendit Nr. 05-V-001 dhe për ta sfiduar kushtetutshmërinë e tij?!

Ndërsa Neni 113 par. 5 i Kushtetutës i referohet autorizimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të nxjerrë nga ana e Kuvendit. Termi kushtetutshmëri ka kuptimin e vlerësimit të përputhshmërisë objektive të aktit me Kushtetutën dhe jo aspektin e përputhshmërisë subjektive të aktit në raport me rregullimin kushtetues.

Pra, kemi të bëjmë me rrethana tërësisht të ndryshme dhe se parashtruesi duke përfshirë dy baza juridike, atë nga Neni 113.3 (5) dhe 113.5 e bënë kërkesën qartazi të pabazuar.

Për këtë, ne propozojmë që në cilësinë e provës materiale të merret Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese të cilit i është bashkëlidhur Kërkesa KO119/14 në versionin e dorëzuar nga pala parashtruese. Për këtë lusim sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese që ta pranojë provën tonë në kopje fizike dhe t’ia ofrojë të njëjtën Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese.

Më tej, është për t’u çuditur se Gjykata Kushtetuese në vendimin për masë të përkohshme VMP689/14 nuk e ka cituar fare bazën juridike nga Nenit 113.3 (5) në të cilën është bazuar kërkesa e 30 deputetëve kundër vendimit të Kuvendit Nr. 05-V-001. Madje në pikën 7 të këtij Vendimi VMP689/14 citohet baza, e cila fare nuk është cituar nga parashtruesit si referuese për rastin e iniciuar në Gjykata Kushtetuese në lidhje me Nenet 27,42 dhe 43 te Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e 30 deputetëve ka cituar vetëm nenet 38 dhe 43, dhe jo nenet 27, 42 dhe 43. Po ashtu, në pikën 7 përfshihet baza juridike sipas rregullave 54, 55 dhe 56.3 te Rregullores se punës te Gjykatës Kushtetuese, e që këto dispozita nuk janë përmendur fare nga parashtruesi dhe as që janë bazuar në të njëjtat.

Mendojmë se me konstatimin e tillë Gjykata Kushtetuese qartazi ka asistuar në korrektimin e kërkesës KO119/14 dhe me këtë ka tjetërsuar cilësinë e saj, e përkufizuar sipas Nenit 112 par. 2, si plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj.

Për këtë:
Propozojmë që Kolegji të evidentojë këtë vërejtje dhe të njëjtën ta shqyrtojë, veçanërisht në procedurën e këshillimit para se të vendosë për çështjen e ngritur pranë saj.
Përkundër mospajtimit tonë , lidhur me pajtueshmërinë e kërkesës KO119/14, sa i përket përmbajtjes së objektit të kërkesës, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se:
sipas pikës 1. parashtruesit kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 17korrik, pra nëse Kryetari i Kuvendit është propozuar nga grupi më i madh parlamentar sipas nenit 67.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

• Gjykata Kushtetuese nuk mund të bë jë hermeneutikën e definicionit prezumues “Grupi më i madh parlamentar”. Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë vetëm konstatimin se a është përmbushur prezumimi kushtetues lidhur me çështjen se: a u bë propozimi nga grupi më i madh parlamentar? Këtë konstatim kuantitativ Gjykata Kushtetuese e realizon vetë m përmes vërtetimit të materialit të Kuvendit duke u fokusuar në aktin e regjistrimit të deputetëve dhe praktikës parlamentare, si p.sh. krijimi i grupit parlamentar 6+ në legjislaturën e IV-të.

Nuk është në kompetencën e Gjykata Kushtetuese që të bëjë interpretimin e Rregullores së Punës së Kuvendit dhe mbi bazën e kësaj të bëjë interpretimin e grupit parlamentar. Në instancë të fundit Rregullorja e Kuvendit është akt autentik i Kuvendit, ku interpretimi i saj bëhet nga vet kuvendi si organ autentik, dhe mbi bazën e parimeve hermeneutike, subjekti që ka nxjerrë aktin, respektivisht interpretimi i tij krijon efekt me fuqi detyruese – që përndryshe në teorinë juridike njihet si interpretimi autentik. Pra, interpretimi i Kuvendit lidhur me rregulloren e punës është situatë detyruese ku i obligon të gjitha subjektet tjera të respektojnë vendimin e tij. Në rastin konkret, duke qenë se Kryesia e Kuvendit ka miratuar rendin e ditës, gjatë trajtimit të të njëjtit është bërë një interpretim përmes të cilit është konstatuar grupi më i madh parlamentar.

2. Pyetja tjetër që përbën objektin e kërkesës së parashtruar është sqarimi se cili është Grupi më i madh parlamentar, që është përcaktuar në Nenin 67 (Paragrafi 2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjegjësisht a është Grupi Parlamentar ai që ka fituar në zgjedhjet për Kuvend të datës 8 qershor 2014 apo grupimi i cili është formuar gjatë regjistrimit të deputetëve dhe si rrjedhojë: Kush ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit në mbledhjen Konstituive të Kuvendit?

– Kjo ndërlidhet me pyetjen e parë, gjë që ka të bëjë me kufizimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me interpretimin e nocionit të grupit më të madh parlamentar. Në anën tjetër, edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të ndërhynte në interpretimin e grupit parlamentar duke u bazuar në klauzolën e njëjtë sikur tek rasti i mandatarit, kjo do të përbënte cenim të dispozitës së Nenit 70 të Kushtetutës, ku garantohet mandati i lirë i deputetit. Vullnetin e deputetit duhet kuptuar jo vetëm me të drejtën e shprehjes së tij gjatë seancave plenare, por edhe në aspektin e determinimit të tij politik. Është vullnet politik po ashtu i deputetit që të bashkohet në formacionin e caktuar politik brenda parlamentit për realizimin e qëllimeve politike.

Pra arsyeja dhe qëllimi politik është ajo që përmban të paktën formalisht bërthamën e lirisë së determinimit politik.

Kështu që edhe rreshtimi me grupin më të madh parlamentar (edhe ne kuptim te Nenit 20 par. 1 te rregullores se Kuvendit) do të duhej ta konsideronim si vullnet politik, e po ashtu duke ngërthyer këtu ndoshta qëllimin konkret-pajtueshmërinë për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit.

Për këtë duhet pasur parasysh se momenti i fillimit të mandatit të deputetit në aspekt kohor është përcaktuar me dispozitën e Nenit 70 par. 2 të Kushtetutës, moment i cili fillon nga certifikimi i rezultatit zgjedhor nga ana e KQZ-së. Kjo nënkupton se nga momenti që mandati fillon në kuptim të Nenit 70 par. 2 fillon së vepruari paragrafi 1 i këtij, që jo rastësisht këto dy autorizime janë të përfshira në të njëjtin nen. Pra, posa fillon mandati i deputetit, paragrafi 1 i këtij neni garanton mosnënshtrim ndaj asnjë mandati detyrues.

Në pyetjen e tretë nga Kërkesa KO119/14, parashtruesit pretendojnë në vlerësimin e kompetencave të Kryetarit të Kuvendit nga legjislatura e mëparshme. Edhe në referatin e kërkesës aludohet në tejkalimin e kompetencave dhe mohimin e të drejtës së Kryetarit dhe Kryesisë nga legjislatura e mëparshme përkitazi me përgatitjen e rendit të ditës. Këtë çështje e argumenton shumë mirë Rregullorja e punës së Kuvendit.

Në Nenin 8 paragrafi 3 është përkufizuar përmbajtja e domosdoshme e rendit të ditës në seancën konstituive, që përndryshe paraqet një nga prezumimet më kryesore të Rregullores përkitazi me seancën konstituive, me ç’rast kjo dispozitë e Rregullores e ka qartësuar se cilat janë pikat e domosdoshme të rendit të ditës, siç është përcaktuar në vijim:
1.Formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve dhe
2. Zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë (5) nënkryetarëve të Kuvendit.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit nga legjislatura e mëparshme nuk duhet të kenë parasysh detyrimin nga paragrafi 2 i Nenit 8 të Rregullores ku është i përfshirë obligimi i Kryesisë që të thërras mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike.
Pra një ndër detyrimet e Kryetarit dhe Kryesisë së legjislaturës së mëparshme është edhe përgatitja e rendit e ditës, ku sipas transkriptit të mbledhjes vërtetohet dakordimi unanim për rendin e ditës siç i është proceduar kryesueses së seancës konstituive sipas çelësit nga Rregullorja e Punës së Kuvendit.

Madje, sipas Nenit 9 paragrafi 2 kryesuesi i mbledhjes konstituive është i obliguar që të hapë mbledhjen e seancës konstituive dhe ta paraqesë(prezantojë) rendit e ditës që është përgatitur sipas Nenit 8 par. 2 të Rregullores së punës së Kuvendit.

Kryesuesi i seancës konstituive nuk ka asnjë kompetencë për interpretimin e rendit të ditës e as Rregullores së Kuvendit, sepse kjo është e përkufizuar edhe me par. 1 të Nenit 9 të rregullores, ku i njëjti udhëheq seancën vetëm deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe Nënkryetarëve.

Po ashtu, edhe sipas Nenit 85 par. 1 të Rregullores, e drejta e interpretimit të dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit është në kompetencën e kryesuesit të mbledhjes së seancës plenare dhe jo të seancës konstituive. Andaj, në mbledhjen e datës 17 korrik 2014 kryesuesja e seancës konstituive pa asnjë të drejtë ka shkelur rendin e ditës, duke anashkaluar pikën 3 lidhur me Njoftimin për formimin e grupeve parlamentare, gjë që mund të vërtetohet edhe nga transkripti i mbledhjes së datës 17 korrik 2014.

Po ashtu, përkitazi me pyetjen e 4-të për të cilën parashtruesi ka kërkuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e shkarkimit të kryesueses së mbledhjes konstituive dhe vazhdimit të mbajtjes së seancës duke aluduar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, është jashtë çështjes kushtetuese për të cilën Gjykata Kushtetuese do të mund të vlerësonte një veprim të ndërmjetëm të Kuvendit, e aq më pak sa i përket çështjeve që ndërlidhen me aspektin e rregullimit të brendshëm të Kuvendit.

Në fund, ne si subjekt politik, i propozojmë Gjykatës Kushtetuese që pas shqyrtimit të qëndrimeve dhe argumenteve në këtë seancë dëgjimore, ta ndërpresë masën e përkohshme të sigurisë, të caktuar me vendimin nr. VMP689/14 dhe Kërkesën KO119/14 të 30 deputetëve të Legjislaturës së V-të ta konsiderojë si të papranueshme për shkak të mos përmbushjes së kushteve ligjore të përcaktuara me Nenin 38, 39 dhe 42 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në bazë të arsyeve të përcaktuara në Rregullin 36 paragrafi .3 pika (a) dhe (f) e Rregullores së Punës së Gykatës Kushtetuese.

Për këtë, Vendimi i datës 17 korrik 2014 nr. 05-V-001 duhet mbetet në fuqi dhe i njëjti është i zbatueshëm.

Më Shumë

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Policia shqipton 1.521 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1521 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit