12.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Hetohet një vrasje politike

Ndonëse kanë kaluar 17 vjet pas luftës, shumë vrasje që kanë ndodhur nga atëherë e deri më sot vazhdojnë të mbesin misterioze për familjarët dhe mbarë opinionin publik. Në mesin e të vrarëve, siç dihet, ka pasur figura politike, ushtarake, por edhe personalitete të tjera të jetës politike, por që nga ajo ditë e tutje, vrasësit e tyre, qoftë vendorë apo të huaj, sorollaten lirshëm rrugëve të vendit apo të shteteve të huaja në pamundësi për t’u kapur nga drejtësia vendore dhe misionet e huaja ndërkombëtare që janë të akredituara që nga pas lufta në Kosovë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Por, çfarë ka ndodhur me dosjet e UNMIK-ut për vrasjet politike të ndodhura pas luftës, dhe a janë transferuar ato te misioni i EULEX-it apo te Prokuroria vendore? Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka bërë me dije duke informuar se sa i përket transferimit të lëndëve të kësaj natyre nga ana e UNMIK-ut tek EULEX-i, Prokurori i Shtetit, sipas saj, nuk i posedon këto informata dhe asnjë të dhënë se a është bërë transferimi i lëndëve dhe se si është bërë, derisa për të marrë një përgjigje të tillë në këtë drejtim, ajo ka sugjeruar për t’iu drejtuar zyrtarëve të këtyre misioneve.

“Gjithashtu, ju informoj se te prokurorët vendës nuk është transferuar asnjë rast i kësaj natyre nga ana e EULEX-it. Për informatën tuaj, Prokuroria Speciale (prokurori vendës nga kjo prokurori) ka filluar me vetiniciativë që ta trajtojë një rast të tillë, i cili tani gjendet në fazën e grumbullimit të informatave”, ka theksuar, zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj.

Likuidimi i rivalëve politikë

Analisti Naim Kelmendi tha për gazetën “Kosova Sot”se pas luftës në Kosovë kanë ndodhur mjaft vrasje me motive politike, teksa kjo tashmë dihet dhe është e vërtetuar se të gjitha këto vrasje kanë qenë të drejtuara kundër një vije politike, dhe të gjitha këto vrasje kanë pasur për objektiv mënjanimin politik të kundërshtarëve në skenën politike. Kelmendi tutje shprehet se, siç duket, UNMIK-u ka bërë pak gjë apo asgjë në zbardhjen e këtyre krimeve dhe me kryerjen e mandatit të përkohshëm të këtij administrimi, dosjet, siç është thënë, i ka kaluar tek EULEX-i, derisa, sipas tij, mbase edhe ky i fundit deri më sot nuk ka treguar efikasitetin e duhur në këtë drejtim, pasi nuk është e njohur se ka zbardhur ndonjërin nga vrasjet politike të pasluftës, apo të ketë nxjerrë para drejtësisë për të gjykuar ndonjërin nga aktorët e këtyre vrasjeve.

“Gjykimi dhe dënimi apo zbardhja e këtyre krimeve nuk ka ndodhur deri më sot nga gjykatat tona, e që do të duhej të ishte një nga detyrat e tyre në sistemin dhe ndarjen e drejtësisë nga Gjyqësia jonë, derisa në anën tjetër dihet se krimet e pasluftës janë krejtësisht politike, pa lënë anash edhe ato të natyrës tjetër, sikur janë vrasjet e krimit të organizuar etj., por mbase lëndimi më i madh ka qenë natyra e vrasjeve politike”, ka vijuar më tej ai.

Kelmendi ka nënvizuar se këto krime kanë ndodhur për të likuiduar kundërshtarët politikë, nisur thjesht nga motivet politike, por që kanë urdhërdhënës dhe organizatorë si dhe strategji të këtyre vrasjeve.

“Është thënë dhe përfolur sa herë se këto krime politike e kanë adresën te njerëzit dhe rrjeti i SHIK-ut, por edhe përkundër kësaj, as kjo etapë nuk është zbardhur dhe askush nuk ka dhënë llogari për këtë para drejtësisë, dhe që do të duhej patjetër gjykuar edhe SHIK-un për veprimtarinë e tij tejet misterioze për kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tij, mbase duke vënë në dyshim të gjithë atë kohë vrasjesh politike derisa ka vepruar kjo strukturë e inteligjencës së një partie në pushtet për vite të tëra, pasi, veç tjerash, për vite të tëra edhe familjet e të vrarëve të krimeve të kryera, por edhe opinioni kanë kërkuar që të zbardhen vrasjet politike të pasluftës në mënyrë që të gjykohen kriminelët dhe të vendoset drejtësia në vend. Por, duket se këto thirrje kanë shkuar në vesh të shurdhër nga ana e Gjyqësisë kosovare, dhe me një fjalë drejtësia deri më sot ka heshtur, ngase deri më tash nuk kemi parë vullnetin e drejtësisë për të arrestuar kriminelët e këtyre krimeve”, tha Kelmendi.

 As UNMIK-u, as EULEX-i nuk dhanë rezultat

Avokati Nikë Shala thotë se, për fat të keq, pas luftës në Kosovë janë vrarë disa figura të mirënjohura, të devotshme e të palodhura, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre maksimal për kauzën tonë mbarëkombëtare, derisa, sipas tij, ende ka shumë nëna të veshura me rroba të zeza, të cilat kafet e mëngjesit i pinë me lot në sy, duke pritur me shpresën se a mos vallë kryesit e vrasjeve do të zbulohen, që ata të ballafaqohen me drejtësinë, e që kjo të paktën atyre nënave t’ua lehtësonte dhimbjet shpirtërore që i kanë për më të dashurit e tyre.

“Përndryshe, është evidente se gjer më tani, organet kompetente të drejtësisë, përveç zotimeve dhe deklarimeve, as UNMIK-u, por as misioni i EULEX-it nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë drejt zbardhjes së rasteve për vrasje politike, ngase deri më tash, sa unë kam njohuri, asnjë rast i vrasjeve që konsiderohet me motive politike nuk është gjykuar në Republikën e Kosovës. Andaj, përfundimisht ka ardhur koha që prokurorët të dëshmojnë vullnet dhe guxim profesional që në bazë të provave materiale dhe në mënyrë profesionale t’i kryejnë kompetencat ligjore në kuadër të ligjit, për çka edhe janë betuar, e të mos zvarriten procedurat, dhe që kryesit eventualë të vrasjeve të ulen në bankën e zezë dhe të ballafaqohen me drejtësinë, dhe gjykata pastaj të vendosë në mënyrë meritore, ngase kjo do të ishte një satisfaksion moral, që të paktën t’ua lehtësojë dhimbjet shpirtërore familjeve të të dëmtuarve”, ka vijuar më tej Shala, duke shtuar se çdo vonim i procedurës në këtë drejtim, ani pse tashmë ai konsideron se është i vonuar, mund të rrezikojë vërtetimin e provave apo zhdukjen e tyre, si dhe mund të ketë vështirësi në sigurimin e dëshmitarëve.

Anarki në sistemin e drejtësisë

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha dyshon se moszbardhja e këtyre rasteve ka qenë e qëllimshme, ngase, siç tha, për vetë faktin se deri më tash nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. /Kosova Sot/

Më Shumë

Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët e të lihen të lirë kriminelët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e...

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Lajmet e Fundit