9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Hoxha i Rahovecit: Ma kanë bllokuar Facebook-un, nuk e kam mbyllur

Bedri Bytyçi, imami i fshatit Fortesë në komunën e Rahovecit e gjithashtu kandidat për kryetar të komunës së Malishevës në zgjedhjet e fundit, nga subjekti FJALA, të dielën me 17 mars, kishte bërë thirrje përmes rrjetit social Facebook te hoxhallarët që të mos shkojnë për ta varrosur babanë e kryeministrit Ramush Haradinaj, Hilmi Haradinaj, i cili vdiq të shtunën në orët e mëngjesit.

Imami kishte shkruar se “Hoxhallarët s’kanë çka lypin te Gjoka!”, duke shtuar edhe vargje të një kënge.

“Ia pruni dekën ‘para’ kohe i biri me veprimet e tij!. Hoxhallarët s’kanë çka lypin te Gjoka! Në këngën e Selman Kadrisë, për dajën që e vrau nipin këndohet: Ngoni hoxhë e haxhi, Kush kit njeri, N’dhe s’guxon me shti, Ju boj be ja boj ma zi, Ka me shti popi i zi, Nven xhematit kryqali…”, ka shkruar ne profilin e tij imami.

I kontaktuar nga KALLXO.com, imami Bedri Bytyçi, tha se është keqkuptuar nga mediat dhe se këtë postim e ka bërë duke ironizuar me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe, sipas tij, nuk ka pasur asgjë me të ndjerin, babain e kryeministrit Haradinaj.

“Për babën e Ramushit nuk e kom than, e kom than për Ramushin. Ka qenë ironizim me Ramushin po e keni keqkuptu. S’kam pas kurgjo me babën e Ramushit”, tha Bytyçi.

Ai tregoi se i ka kërkuar falje familjes së kryeministrit dhe fshatit.

“Ju kam kërku falje edhe familjes edhe fshatit edhe krejtve e Ramushit nuk i kom kërku falje se aj na ka ofendu dhjetëra herë edhe ai le ta provon çka është ofendimi”, tha Bytyçi duke shtuar se nuk dëshiron të jap prononcim.

Sa i përket Facebook-ut, Bytyqi tha se ia kanë bllokuar dhe se nuk e ka mbyllur vetë.

“Ma kanë blloku – hakeru, nuk kam qasje. Unë nuk e kom mbyll ata që e kam thënë e mbaj, po ma kanë hakeru”, tha Bytyçi.

E Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, tha për KALLXO.com, se shprehin keqardhje për deklaratë të tillë dhe se ajo nuk është qëndrim i BIK-ut.

“Ne së pari i shprehim ngushëllime familjes Haradinaj dhe lutemi për rahmetliut Hilmiun. Ka qenë një burrë i mirë një burrë i cili Kosovës i ka dhënë 4 gjeneralë e dy dëshmorë, familje që meriton respekt kulminant nga ne dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

“Shprehim keqardhje nga një deklaratë e tillë të një personi i cili edhe nuk është imam i rregullt. Na vjen mirë që edhe xhemati ka reaguar unanimisht ndaj kësaj deklarate dhe ka marrë masat e duhura. Nuk është qëndrim i BIK-ut, është mendim i një personi dhe shpresojmë të jetë rast i izoluar dhe të mos përsëritet”, tha Sadriu.

Gjithashtu, edhe subjekti, FJALA janë distancuar nga deklarata e Bedri Bytyçit.

Përmes një reagimi Fjala këtë deklaratë e ka quajtur të ngutshme dhe jo të duhur.

“FJALA distancohemi nga deklarata e Bedri Bytyçit lidhur me vdekjen e Hilmi Haradinajt, babait të Kryeministrit të Kosovës. Ne cilësojmë se një deklaratë e tillë ka qenë e ngutshme dhe jo e duhur. Deklarata e tillë nuk përkon me frymën e subjektit tonë politik”, thuhet në njoftim.

FJALA ka shkruar se e respektojnë çdo qytetar të Republikës Kosovës, e në veçanti Hilmi Haradinajn i cili ka rritur dhe edukuar dëshmorët Shkelzen e Luan Haradinaj.

“Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Haradinaj, familjes Haradinaj dhe gjithë qytetarëve të Republikës Kosovës:, thuhet në deklaratë.

Bedri Bytyçi, ishte kandidat i subjektit FJALA, në zgjedhjet komunale 2017 në Malishevë.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/hoxha-i-rahovecit-ma-kane-bllokuar-facebook-un-nuk-e-kam-mbyllur-549408/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Lajmet e Fundit