5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Intervistë me Zafir Berishën: KQZ-ja më certifikoi për Parlament, më decertifikoi për Prizren!

Zafir Berisha ankohet se vendimi i KQZ-së për ta decertifikuar nga gara për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e 22 tetorit për shkak të rikyçjes ilegale në rrjetin e energjisë elektrike është i padrejtë.

Ai gjatë një interviste për gazetën “Zëri” thotë se pak muaj më parë ai ishte lejuar pikërisht nga KQZ-ja të marrë pjesë në garën për deputet në Parlamentin e Kosovës, ndërsa po i mohohet mundësia për të garuar në nivel lokal.

Intervistë me deputetin e NISMA-s, Zafir Berisha – Ai tregon pse u decertifikua nga KQZ si kanidat për kryetar të Prizrenit!

Deputeti Berisha nuk e mohon mundësinë që një vendim i tillë i KQZ-së të ndërlidhet edhe me abstenimin e tij në Parlament për qeverinë “Haradinaj”, por thotë se në asnjë mënyrë nuk do ta përkrahë kandidatin e PDK-së për kryetar të Prizrenit. Madje, ai është i bindur se pas kësaj “loje” me decertifikimin e tij qëndron i pari i shtetit, Hashim Thaçi.

Zëri: Z. Berisha, dje jeni decertifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit për shkak të një dënimi për vjedhje të energjisë elektrike. Pse nuk u decertifikuat për zgjedhjet parlamentare, por për ato lokale?

Berisha: Nuk është fjala për vjedhje, është fjala për rikyçje në sistemin e energjisë elektrike, në të cilin jemi kyçur që 13 vjet dhe të cilit deri më tani i kam paguar obligime mbi 300 mijë euro KEK-ut. Këtu është një lapsus i qëllimshëm apo i paqëllimshëm i Valdete Dakës, që në aludim e përmendin shprehjen vjedhje, edhe pse ajo gjyqtare e di mirë se vjedhja është krejt diçka tjetër dhe rikyçja në sistem është diçka tjetër. Megjithatë, mendoj se krejt kjo është një fushatë për eliminim politik që shefja e KQZ-së, Valdete Daka, në këto momente po dyshoj se është vegël e atyre skenarëve, të cilët i kanë përgatitur gjithë këto gjëra.

Me këto ligje jam certifikuar si deputet

Zëri: A mund të na shpjegoni prej kur jeni dënuar për energjinë elektrike, për të cilën dje ju ka decertifikuar KQZ-ja dhe si do të veproni në lidhje me një vendim të tillë?

Berisha: Në fakt është një presion i vazhdueshëm që bëhet nga KEDS-i, veçanërisht pas privatizimit të dyshimtë, që unë dyshoj se pas privatizimit të distribuimit të energjisë elektrike qëndrojnë bandat mafioze të Hashim Thaçit. Për këtë unë kam folur disa herë në Parlament dhe presioni është rritur veçanërisht kur unë kam shtuar zërat në Kuvendin e Kosovës, gjë që kam edhe dëshmi në arkiva dhe vazhdoj me qenë i atakuar me tendencë për t’u shantazhuar për t’i ndryshuar qëndrimet e mia publike dhe politike. Por, unë do të vazhdoj, pavarësisht prej vendimit të KQZ-së, do të jem pjesë e jetës politike në Kosovë, në Prizren. Jam deputet për dijeninë e Valdete Dakës dhe të të tjerëve, me këto ligje jam certifikuar para tre muajve. Unë marr pjesë prej 2007-ës në zgjedhje. Mandati i tretë si deputet. Por, në këtë rast unë po besoj se nuk ka të bëjë shumë me ligjin…Tendenca për të më eliminuar nga gara ka të bëjë, sipas logjikës së tyre të sëmurë, që votuesit e Zafës ta mbështesin kandidatin e kësaj bande. Sidoqoftë, kam mbijetuar dhe do të mbijetoj edhe politikisht, edhe fizikisht.

Zëri: A do ta mbështesin votuesit tuaj kandidatin e PDK-së?

Berisha: Në asnjë mënyrë. Përpjekja ime e vazhdueshme, qysh në fëmijëri në moshën 13-vjeçare, ka rezultuar me çlirimin e Prizrenit në raport me Serbinë dhe përpjekja ime do të jetë shumë më e fuqishme për ta çliruar Prizren për herë të dytë, por tash nga bandat e Hashim Thaçit.

Zëri: A është kjo arsyeja që ju thoni se jeni cak i shantazheve?

Berisha: Po. Sigurisht se këtu ka personale dhe private në raport me këtë kriminel dhe i cili për fatin e keq përdor edhe institucionet, edhe gjykatat, se fundi i fundit është fjala për një dënim që unë as që jam marrë me të, d.m.th. me një dënim prej 140 eurosh që ia kam dhënë avokatit ta bëjë pagesën, as s’e kam ditur çka shkruan në atë vendim, sepse ka qenë aq minore sa nuk ia ka vlejtur që unë të merrem me atë gjykim. Mirëpo qysh se ka ndodhur ai gjykim aty ka pasur prapavijë. Tash jam bindur në konsultim edhe me avokatin se forma e shkruarjes së lëndës të aktgjykimit paska pasur këtë qëllim që tash ka dalë në mejdan.

Veseli, “figurë shahu” e Thaçit

Zëri: Tani kryetar i PDK-së është Kadri Veseli, pse po i referoheni vetëm Thaçit?

Berisha: Shiko, Kadriu është një vazhdimësi e Hashim Thaçit dhe me thënë të drejtën meqë unë i njoh shumë, qe 30 vjet, unë pak a shumë e di kush është banditi kryesor. Unë nuk i referohem Kadriut, se Kadriu është një figurë shahu që është duke u lëvizur prej Hashim Thaçit.

Zëri: Thaçi është president i vendit. A keni fakte ta dërgoni në Gjykatë nga këto që thoni?

Berisha: Ai mund të jetë president juaj, i dëgjuesve dhe i teleshikuesve tuaj, por jo dhe presidenti im, tash duhet ta bëjmë këtë dallim.

Zëri: Por meqë keni fakte, a do të punoni në drejtimin ta çoni në Gjykatë presidentin?

Berisha: Në cilën gjykatë, ku është Valdete Daka gjykatëse?!

Zëri: Pse KQZ-ja i toleroi kandidatët për deputetë, ku mes tyre ka pasur nën hetime apo edhe të dënuar të marrin pjesë në zgjedhje dhe nuk po i lejon për zgjedhjet lokale?

Berisha: Unë kam qenë kandidat dhe kam fituar në zgjedhjet e 11 qershorit me këto ligje që po organizohen dhe me këto zgjedhje. Dhe atëherë nuk kanë mundur të marrin masa se aty kemi pasur kandidatë që tash kanë përfunduar ministra, të cilët janë duke u hetuar edhe për 30 milionë euro, pra në dëm të shtetit. Nëse institucionet e Kosovës, pra institucionet e mirëfillta, jo këto që ka bërë Thaçi, mendojnë se Zafa ka penguar integrimin e Kosovës në Evropë me shkeljen prej 140 eurosh, atëherë unë që tani po largohem nga gara.

Zëri: A mund ta ndërlidhni një vendim të tillë të KQZ-së me votën tuaj të fundit në Parlament kur abstenuat për qeverinë “Haradinaj”?

Berisha: Nuk besoj, po gjithçka është e mundur, ndoshta edhe ka koinciduar ky qëndrim. Mirëpo unë lidhur me qeverinë “Haradinaj” kam edhe risi tjera në seancën e parë. Edhe nëse hiqem apo nuk hiqem prej garës qëndrimet e mia nuk i ndryshoj, nuk i kam ndryshuar as para Serbisë, nuk i ndryshoj as para banditëve.

“Nuk e votoj një ministër që i ka vjedhur 30 milionë euro”

Zëri. Pse e votuat Kadri Veselin kryeparlamentar e jo Ramush Haradinajn?

Berisha: Për t’u zhvilluar proceset në Kosovë që kishin mbetur peng, mirëpo emrat kanë filluar të lakohen atë ditë se kush do të jetë ministër. Unë me dorën time nuk mundem ta votoj një ministër që ka vjedhur shtetin me 30 milionë euro dhe ka edhe 101 arsye tjera. Por, thjesht unë kam menduar se ky koalicion, me gjithë presionin e panatyrshëm të partnerëve që e kanë bërë Ramushin, kam besuar se së paku do të ofrojë emra që megjithatë do të ma mbushin mendjen edhe mua të votoj. Mirëpo, kur kanë filluar të lakohen emrat, një ditë para dhe atë kur u mbajt seanca, kam dalë me qëndrimin prapa të cilit qëndroj edhe në këtë moment.

Zëri: A do ta përkrahni me votën tuaj në Parlament koalicionin qeverisës apo do të vazhdoni si deputet i pavarur?

Berisha: Qëndrimi im është se rreth vendimeve të Qeverisë që janë në favor të Kosovës do ta ketë besimin tim. Aty ku unë mendoj si Zafir Berisha dhe si deputet, që kam afër 13 mijë vota, se dëmtohet interesi i Kosovës me dy duart do të votoj kundër.

Zëri: Nëse opozita pas 100 ditëve do ta kërkojë shkarkimin e qeverisë “Haradinaj”, si do të veproni ju?

Berisha: Në rast se Ramushi do të marrë masa dhe hapa që pres në seancën e parë edhe publikisht do t’ia them, natyrisht se do ta ketë mbështetjen time. Në momentin kur Ramushi nuk i tejkalon bandat të cilat i ka brenda në koalicion unë do të jem pjesë e angazhimit politik dhe me besimin tim që këtë Qeveri ta çoj në shtëpi.

Zëri: Nëse përfundimisht nuk do të lejoheni të merrni pjesë në zgjedhjet komunale, cilin kandidat për kryetar do ta përkrahni?

Berisha: Unë si Zafir dhe dega e Nismës nuk do të heqë dorë për t’i gjunjëzuar politikisht bandat e Hashim Thaçit në Prizren.

Më Shumë

Sot votohet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri

Sot në katër komunat në veri të vendit do të votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në këto komunat. Komunat që do të...

Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

Qeverisë e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në...

Lajmet e Fundit