13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Investimet ilegale në Urën e Gurit dhe Arastës

Ura e gurit ne prizrenOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka hulumtuar çështjen e intervenimeve të fundit që janë bërë në ndriçimin e Urës së Gurit dhe riparimin dhe ndriçimin e Urës së Arastës, që të dyja në Qendrën Historike të Prizrenit.

Valon Xhabali, koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore, tha se në bazë të informatës së pranuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor intervenimet në këto dy ura janë bërë pa lejen paraprake të këtij dikasteri. “Shërbimi i këtij organi ju informon se sa i përket kërkesës së OJQ-së “EC Ma Ndryshe”, rreth ndriçimit të Urës së Gurit dhe Urës së Arastës nuk është bërë asnjë kërkesë për leje ndërtimi në DUPH. Nuk posedojnë leje ndërtimi”, thuhet në shkresën e DUPH-së.

Ndërsa Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike të Prizrenit ka konfirmuar se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për pëlqim për intervenim në urat e përmendura dhe si rrjedhojë as nuk ka lëshuar ndonjë pëlqim.

Xhabali tha se monitoruesit e organizatës kanë kërkuar sqarime edhe nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, përfaqësuesit e së cilës kanë pohuar se DSHP me 11 shtator 2013 ka lëshuar pëlqimin për NSH “Hisar Kosova” për pastrimin e shtratit të Lumëbardhit, rregullimin e mureve mbrojtëse në vendet e dëmtuara dhe ndriçimin e urave në qytet. “Përkohësisht është bërë ndriçimi i urave i cili do qëndrojë deri në festat e fundvitit dhe janë bërë disa riparime të vogla si ngjyrosja e parmakëve, rregullimi i trotuarit në urë, të cilat kanë qenë mjaft të dëmtuar dhe mundë të qëndrojnë deri në rregullimin e urës së re”, thuhet në përgjigjen e DSHP-së, që ka marrë “Ec Ma Ndryshe”.

“Sipas këtyre informatave del se intervenimet respektivisht ndriçimi i Urës së Gurit dhe riparimi dhe ndriçimi i Urës së Arastës janë bërë pa lejen e DUPH-së dhe pa pëlqimin e IMMH-së, që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit”

Neni 9 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit që definon mbrojtjen nga dëmtimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore, në paragrafin 1 thotë se “personi fizik dhe juridik, i cili bën ndërtimin, rrënimin, ndërhyrjet në infrastrukturë apo çfarëdo aktivitet tjetër, duhet të ndërmarrë paraprakisht të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur objektin e trashëgimisë kulturore dhe fetare nga shkaktimi i çfarëdo dëmi të mundshëm, gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve” derisa paragrafi 2 thekson se “masat nga paragrafi 1 i këtij neni duhet të ndërmerren në koordinim me Drejtorinë për Urbanizëm dhe Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Prizrenit”.

Gjithashtu ky ligj, përcakton se për çdo aktivitet në Qendrën Historike duhet të konsultohen Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Prizrenit dhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike dhe se pas pëlqimeve të tyre Drejtoria e Urbanizmit lëshon lejen përkatëse ose e refuzon duke u bazuar në Planin e konservimit dhe ligjet në fuqi. Këto procedura nuk janë përfillur në rastin e Urës së Gurit dhe të Arastës.

“Në bazë të këtyre të gjeturave “EC Ma Ndryshe” konsideron se organet komunale duhet të angazhohen më shumë në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit dhe ruajtjen e vlerave në këtë zonë të mbrojtur”, tha Xhabali.

““EC Ma Ndryshe” është mirënjohëse ndaj donacioneve të shteteve mike dhe inkurajon largimin e barrierave procedurale për zbatimin e projekteve të mirëfillta, mirëpo në të njëjtën kohë përkujton se në këtë rast kemi të bëjmë me një zonë të mbrojtur ku aplikohen masa të veçanta të ruajtjes e konservimit të objekteve të trashëgimisë. Ne i bëjmë thirrje komunës së Prizrenit që të rris mbikëqyrjen inspektuese në këtë zonë, në mënyrë që praktikat e realizimit të projekteve pa lejet përkatëse të institucioneve përgjegjëse të mos përsëriten më, me qëllim që të kemi sundim të ligjit dhe mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore në qendër të Prizrenit”.

“EC Ma Ndryshe” në korrik ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale. /PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Osmani merr pjesë në tubimin përkujtimor në 25 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në tubimin përkujtimor në 25 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe, me fillim të...

Lajmet e Fundit